Ballkani, vendi që i paguan keq punëtorët

    Punëtorët në Ballkanin perëndimor kanë paga të ulëta karshi kostos së lartë së jetesës. Edhe pagat minimale që i pranojnë punëtorët në rajon renditen ndër të fundit në tabelën evropiane të pagave të garantuara minimale me ligj që punëdhënës duhet të paguajë për një orar të caktuar të punës. Nëse marrim vetëm rastin e dy shteteve fqinje, përkundër rritjes së pagave mesatare në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri edhe si rrjedhojë e trysnisë që ka shkaktuar rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë apo 15 mijë denarë dhe 15.194 denarë në Maqedoninë e Veriut, megjithatë një pjesë e madhe e të punësuarve në të dyja vendet akoma marrin paga minimale që janë larg mesatares së ekonomisë vendore. Apo larg pagës mesatare prej 28.642 denarë në Maqedoninë e Veriut dhe afër 57 mijë lekë në Shqipëri. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të Entit të Statistikës për pagat e muajit gusht në Maqedoninë e Veriut ku pagat më të ulëta mesatare i kanë pranuar të punësuarit në veprimtaritë e sigurimit me 16.404 denarë, mirëmbajtja e ndërtesave 18.220 denarë, prodhimtarinë e lëkurës me 16 442 denarë, të veshmbathjes me 17 880 denarë, përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit me 19.370 denarë etj. Arsyetimet për mëditjet e ulëta janë se këto veprimtari ekonomike nuk krijojnë vlerë më të madhe të shtuar, dhe nuk realizojnë fitime më të mëdha për pronarët e këtyre bizneseve.

    Nga ana tjetër, në Shqipëri përderisa paga mesatare në vend ka arritur në rreth 56.700 lekë, apo afër 464 euro më shumë profesione vijojnë të mbeten në pragun e pagës minimale mujore, duke mos arritur të përmbushin edhe nevojat më bazike të punonjësve. Referuar të dhënave të INSTAT, profesioni më i keqpaguar në vend, një trend që zor se ndryshon, është ai i punëtorëve elementarë, të cilët kanë një shkollim minimal dhe punojnë kryesisht në ndërtim, në fasoneri apo punë përpunimi dhe qepje në tekstil për partnerët e huaj, industri përpunuese etj, ku paga mujore mesatare arrin rreth 34. 700 lekë në muaj apo afër 284 euro.

    Në Shqipëri, profesionet më dobët të paguara janë punëtorët e profesioneve elementare. Ato përbëhen nga detyra të thjeshta dhe rutinë të cilat kryesisht kërkojnë përdorimin të mjeteve të dorës dhe shpesh disa përpjekje fizike me 34.747 lekë. Në këtë grup bëjnë pjesë punëtorë shërbimi dhe ndihmës , ndihmës në përgatitjen e ushqimit etj. Në grupin e punonjës me paga të ulëta bëjnë pjesë edhe të punësuarit në bujqësi, pyjeve dhe peshkim me 35.580 lekë, zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to me 39.522 lekë, punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve me 39.632 lekë dhe punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve me 43.108 lekë.

    Nga ana tjetër, më shumë analiza tregojnë se një nga shkaqet kryesore të pagave që ngecin në Ballkanin perëndimor në raport me shtetet perëndimore është edhe niveli i ulët i konkurrencës së ekonomive të rajonit karshi Evropës. Në të dyja vendet shtrohet çështja se si mund të mbijetojë një familje me paga kaq të ulëta në kushtet kur çmimet po shkojnë gjithnjë e në rritje, po shtrenjtohet kostoja e jetesës, dhe vështirë po paguhen faturat dhe po plotësohen nevojat për veshje dhe ushqime, si dhe detyrimet e tjera për shkollim dhe shëndetësi.

    Ekspertët ekonomik në Shqipëri, në një shqyrtim që i kanë bërë ecurisë së prodhimit në ekonomi dhe rritjes së pagave, arrijnë në përfundimin se në shumë sektorë të ekonomisë, mundësitë për një rritje më të fortë të pagave, të bazuar thjesht mbi rritjen e produktivitetit, janë plotësisht të motivuara. Sipas tyre, fakti që produktiviteti ka pasur një rritje dukshëm më të lartë, do të thotë se përfitimet e ekonomisë nga rritja e produktivitetit kanë shkuar në favor të të ardhurave mbi kapitalin. Shqipëria ka aktualisht nivelin më të ulët të pagës në Evropë, me mesatarisht 2.3 euro për orë pune, kundrejt gjashtëfishit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka pagën mesatare më të ulët ndërmjet vendeve të Ballkanit, ndërsa pagën mesatare më të lartë në Ballkanin Perëndimor e ka Mali i Zi rreth 787 Euro, ndërkohë që paga mesatare për Ballkanin Perëndimor, llogaritet rreth 655 Euro. Paga mesatare në Ballkan është rreth 1070 euro, ku vlerën më të ulët e ka Shqipëria rreth 436 euro, ndërsa pagën mesatare mujore më të lartë, mbi 2400 Euro e ka Italia.

    Në ndërkohë, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se angazhohen që paga minimale të arrijë 63 për qind të pagës mesatare. “Vlerësojmë se në periudhën e ardhshme duhet të mendohet për ndryshimin e zgjidhjes ligjore, që do të pengojë që paga minimale të jetë nën 60 për qind të pagës mesatare, si dhe të parashikohet zgjidhje përmes së cilës edhe pagat e tjera do të ndjekin rritjen e pagës minimale andaj edhe më lehtë do të rritet paga mesatare”, thonë nga LSM. Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski thotë se nevojitet një rritje shkallë- shkallë e pagave në bazë të marrëveshjeve kolektive, që duhet të zbatohen në praktikë sipas sektorëve të ndryshëm që të mos vijë deri një barazim pa kriter i të gjithë pagave, për shkak se nuk mund të gjithë të pranojnë paga minimale. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut thonë se e kuptojnë rritjen e kostos së jetesës për punëtorët, mirëpo shtojnë se një rritje e mëtejshme e pagës minimale duhet mirë të peshohet nga të gjithë pjesëmarrësit në dialogun social, si qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat. “Në parim paga minimale rritet në bazë të dialogut social midis partnerëve dhe Ligjit për pagën minimale. Njëherësh një nga motivet për të ruajtur edhe punëtorët është edhe rritja e pagës minimale, mirëpo si punëdhënës të përgjegjshëm vlerësojmë se duhet të mbahet llogari dhe të bisedohet se sa një rritje e tillë është e qëndrueshme, se sa kemi rritje ekonomike dhe përmes një dialogu transparent të arrijmë deri tek një zgjidhje të pranueshme për të gjithë”, thonë nga Konfederata e Punëdhënësve të Maqedonisë. Sipas tyre, mbetet të punohet më shumë në produktivitetin e ekonomisë vendore si ndoshta problemin e saj më të madh përmes investimit një dituri, pajisje dhe të ngjashme për të rritur produktivitetin.

    Ndryshe, analizat e ndryshme tregojnë se dy të tretat e punëtorëve në vend që pranojnë të ardhurat mujore kanë paga nën mesataren e shtetit, ndërsa analizat e Sindikatave tregojnë se në vitin 2011 kur ka filluar fushata për nevojën e miratimit të ligjit për pagë minimale, 60 mijë deri 70 mijë punëtorë kanë qenë në kufi apo kanë pranuar paga minimale, ndërsa 10 vite më vonë apo në vitin 2021, 100 mijë punëtorë pranojnë paga minimale që në muajin mars të këtij viti ka arritur në 15,194 denarë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Merkel në Athinë | Mitsotakis ia kujton krizën dhe masat shtrënguese që i vuri Greqisë

    Lajmi i rradhës

    Buxheti i vitit 2022 në Kosovë, 8.7% më i lartë se i vitit 2021

    Lajme tjera

    Plagjiatë të pandëshkuar

    Raportimet për plagjiaturë nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, kanë shtyrë institucionet që të ndërmarrin vendime për të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë