Buxheti i vitit 2022 në Kosovë, 8.7% më i lartë se i vitit 2021

    Qeveria ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar dhe miratuar Projektligji i  Buxhetit për vitin 2022.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kësi buxhet asnjëherë më parë nuk ka pasur Kosova.

    “Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

    Kurti thotë se vetëm në shtatë muaj janë arritur suksese të mëdha me këtë qeveri.

    Ai ka thënë se me këtë buxhet do të ndërtohen çerdhe e do të ndihmohen pensionistë.

    “Buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë. Më tutje, Buxheti i vitit 2022 synon të ndihmojë edhe ekonominë familjare me ndarjen e 45 milionë euro për të mbeshtetur nënat me Shtesat për Lehona e Shtesat për Fëmijë, ndarjen e 35 milionë eurove më shumë për kategoritë pensionale e sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesat për skemat sociale prej 30% të bëhen të përhershme”.

    Kurti thotë se me buxhetin e tillë do të bashkohen Prizreni e Tetova e do të ndihmohet edhe Lugina e Preshevës.

    Kryeministri Albin Kurti u zotua se me dhjetë milionë euro të ndara do të furnizojnë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta.

    “Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1,3 për qind të bruto-produktit vendor. E synimi është që brenda mandatit ta sjellim 2 për qind të bruto-produktit vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, ka thënë ai.

    Më tej, ai tha se me kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i AKP-së, ato mjete i kanë orientuar në ushtri dhe si rezultat do të rekrutojnë 800 ushtarë të rinj.

    E, ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar buxhetin për vitin 2022, ku theksoi se e ka objektiv konsolidimin e ringjalljes ekonomike, riorientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahjen e punësimit.

    “Si tërsi buxheti i vitit 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2,364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak.”, deklaroi Murati ditë më parë.

    Lajmi Paraprak

    Ballkani, vendi që i paguan keq punëtorët

    Lajmi i rradhës

    Procesi zgjedhor për të sëmurët dhe të burgosurit vijon pa probleme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë