Banorët e Banjicës, ujërat e zeza i hedhin në lum

    Banorët е fshatit Banjicë të Komunës Çashkë të Velesit, me kërkesa të shumta për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin e tyre. Shqetësim të madh për to përbën mungesa e kanalizimit që tashmë me vite po shkakton ndotje të mjedisit.

    Siç rrëfejnë banorët, premtimet për vendosjen e kanalizimit janë dhënë në çdo fushatë parazgjedhore por deri më sot kurrë s’janë realizuar.

    “Nevoja ka shumë por nuk i bëjnë. Pika e parë është të bëhet kanalizimi. Premtuan se do ta bëjnë kanalizimin, asfaltin prej në fillim të fshatit dhe të dal nga ajo anë, premtojnë por nuk bëjnë kurrgjë. Secili mendon për shtëpinë e vet ku ta derdh kanalizimin,  me mundësinë e vet i derdh në lum, nuk mund ti mbaj në shtëpi”, pohoi një banor.

    “Këtu ka shumë gjëra që duhet t’i bëjnë por nuk i bëjnë. Mos ti bëjnë, ne kontribuojmë vet, nuk është problem. Dikush nuk ka problem, dikush ka se ka hap gropa septike në shtëpi, nuk ka ku ti derdh. Lumi kur ka ujë I bart këto mbetje, kur s’ka ujë patjetër të kundërmoj erë e keqe”, theksoi një banor.

    Përveç kanalizimit, banorët kërkojnë edhe rregullimin e shtratit të lumit që kalon mes fshatit. Ata kujtojnë se pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut shpesh herë janë përballur me vërshime.

    “Veçanërisht duhet të rregullohet shtrati i lumit sepse vendi është i tillë që kur ka reshje shiu shkaktohen vërshime. Nuk kemi kanalizim, ky është një problem shumë i rëndë madje mendoj se komuna jonë nuk është aq e fuqishme të bëj diçka të tillë. Uji nga banjot derdhet në lum. Gjatë verës lumi nuk ka ujë dhe kundërmon erë e padurueshme”, u shpreh një banor.

    “Kur lumi është përplot me ujë atëherë është gjendje e frikshme. Deri këtu kishte ujë, çdo gjë notonte në ujë. Ndryshe, fshati është shumë i mirë për të banuar. Me fqinjët muslimanë bashkëjetojmë shumë mirë”, tha një banore.

    Në fshatin Banjicë, sipas regjistrimit të vitit 2021 ka 119 banorë të cilët kryesisht merren me bujqësi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Xhezairi, mjeshtëri që mba gjallë zanatin e qeramikës dhe motivon nxënësit

    Lajmi i rradhës

    Ajri i ndotur në përmasa shqetësuese në Pollog

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë