“Kopshtet për fëmijë do të jenë të furnizuara vazhdimisht me ngrohje dhe energji elektrike”

    Minsitrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, sot deklaroi se prindërit, të cilët i dërgojnë fëmijët në çerdhe nuk duhet të kenë frikë për çështjen e ngrohjes, sepse në kopshte do të ketë energji elektrike.

    “As prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhe, sidomos në Shkup, por as nëpër komuna nuk duhet të kenë frikë se mund të vije ndonjë rast kur të mos ketë ngrohje në çerdhe. Ngrohje do të ketë edhe për qytetarët edhe për kopshtet, sepse Qeveria është përgjegjëse dhe kujdeset për qytetarët dhe ne jemi duke e menaxhuar krizën energjetike dhe atë të ngrohjes. Të mos kihet frikë, sepse ngrohje do të ketë, edhe nëpër shtëpi, edhe në kopshte.”, tha ministrja Trençevska.

    Sipas saj, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për faktin se kopshtet paguajnë fatura të mëdha të energjisë elektrike. Ata, tha ministrja, paguajnë energji elektrike si amvisëritë. Krahas kësaj, theksoi ministrja, një pjesë e madhe, veçanërisht kopshtet e ndërtuara nga viti 2019 e në këndej, janë energjetikisht efikase dhe kursejnë energji elektrike.

    Në deklaratën e saj për media, Trençevska përkujtoi se MPPS-ja i mbulon pagat dhe një pjesë të shpenzimeve nëpër çerdhe me bllok subvencione, por se ato gjithashtu gjenerojnë edhe me të ardhurat e veta.

    “MPPS është përgjegjëse përmes bllok-granteve për mbulimin e pagave të të gjithë punonjësve në kopshte, si dhe për ndërtimin dhe rinovimin e kopshteve në nivel të të gjithë vendit. Përveç bllok-granteve për paga, ne transferojmë mjete edhe për shpenzime materiale. Megjithatë, kopshtet kanë edhe fondet e tyre nga pagesat shtesë të prindërve, që i dërgojnë fëmijët në kopshte. Kështu që përgjegjësia për pagesat e shërbimeve komunale, përfshirë edhe faturat e energjisë elektrike, duhet të jetë përgjegjësi e themeluesit të kopshtit, që është komuna”, tha Trençevska .

    Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

    Nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

    Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

    Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pati deklaruar se, edhe pse furnizimi i shkollave me energji elektrike është kompetencë e komunave, megjithatë, po bëhen përpjekje që të ndihmohen shkollat fillore dhe  të mesme në këtë drejtim, në mënyrë që mësimi në periudhën e dimrit të mbahet me prezencë fizike.

    Lajmi Paraprak

    A e rrezikojnë shumicën parlamentare zhvillimet brenda BDI-së?

    Lajmi i rradhës

    “Artan Grubi dhe Ejup Rustemi, rrezikojnë sigurinë kombëtare” | U japin oligarkëve të Putinit tenderin për korridorët 8 dhe 10

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë