Banorët e Pallçishtit fitojnë “betejën” për ujin e pijshëm (Video)

    Gazetar | Emir Hamzi

    Banorët e fshatit Pallçisht – Komuna e Bogovinës më në fund, pas 20 vitesh do të bëhen me ujë të pijshëm, të paktën kështu premtuan sot para banorëve të fshatit, zv. ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi dhe kryetari i Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. Pavarësisht se fshati i tyre rrethohet nga disa burime, banorët ka disa vite që ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, por prej gushtit të vitit 2022, revoltën për ujin e kanë shprehur nëpërmjet protestave të shpeshta, duke bllokuar rrugët, por së fundmi edhe para komunës.

    “Pas më shumë se 20 vitesh dhe shumë pritjeve për realizimin e një projekti të këtillë, vital për jetën e përditshme, sot në këtë vendbanim po fillojmë me punimet për rikonstruimin e tubacionit të furnizimit për ujësjellësin me gjatësi prej 6.5 km dhe me vlerë 266 mijë euro, respektivisht 277 mijë euro me TVSh, me një afat nëntë muajsh.” – tha para banorëve zv. ministri Rexhepi.

    Kryetari i Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu tha se rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit do të bëhet prej burimit e deri në rezervuar.

    “Janë tre burime nga të cilët duhet të merret uji dhe kjo sasi e ujit, e cila për momentin është e njëjta sasi e ujit që do ta konsumojmë, por e rëndësishme është se do të na vijë uji i pastër për pije. Terreni është tepër i vështirë, ku 10-15% është paraparë punë dore për kanalizimin dhe vendosjen e gypave.” – deklaroi Emshiu para banorëve.

    BDI, 20 vite pushtet qendror dhe 16 vite pushtet lokal, por 20 vite pritje për ujin e pijshëm

    Nistori pyeti Emshiun dhe zv. ministrin Rexhepi, pse është dashtë që banorët e Pallçishtit të presin 20 vite për ujin e pijshëm, kur dihet se partia shqiptare në pushtet – BDI është në pushtet qendror dy dekada dhe katër mandate ka udhëhequr me komunën e Bogovinës. Sipas Emshiut, kryetari paraprak, duke aluduar në Albon Xhemaili se nuk ka pasur projekt dhe ka gënjyer se Ministria e Transportit nuk ia ka kaluar projektin. Por Emshiu nuk u përgjigj për kryetarët paraprak që kanë qenë të propozuar si kandidat për komunën nga radhët e BDI-së.

    Besnik Emshiu: Ish-kryetari gjatë debateve të ndryshme përmendte se, projekti ri në vitrinë, projektin nuk e kalon ministri. Asgjë nuk ka pas, as projekte. Me ardhjen time, kemi punuar me të madhe që, projekti të kalojë.

    Nistori: Pse aq zhurmë është bërë nga banorët, prej gushtit e këndej janë bërë vazhdimisht protesta?

    Besnik Emshiu: Zhurmë, shkak mosbesimit të qyetarëve. Ata nuk kishin besim se do të fillojë projekti.

    Bekim Rexhepi: Bashkëpunimi i pushteti qendror me pushtetin lokal është shumë i rëndësishëm për qytetarët e këtij vendbanimi, por edhe qytetarët në përgjithësi. Tashmë kemi shumë fonde si Qeveri për të aplikuar, por e rëndësishme është që komunat të kenë projekte të gatshme dhe të qarta për të realizuar në vendbanimet, respektivisht në komunat që ata janë si kryetar komune.

    Kryetari i Bashkësisë Lokale të Pallçishtit, Vullnet Akiki shprehu falënderime deri te institucionet përkatëse në lidhje me fillimin e punimeve për instalimin e rrjetit të ujësjellësit.

    “Ne kemi pasur takim me kryetarin e komunës dhe jemi marrë vesht që punimet të vazhdojnë dhe më në fund i urojmë suksese për këtë punë çka e ka filluar, deri në përfundim. Ne si bashkëfshatarë i falënderojmë të gjithë ata që dhanë kontribut deri ditën e sotme në lidhje me ujin e pijshëm. Uji i pijshëm është gjëja kryesore për fshatin Pallçisht.” – deklaroi Akiki.

    Akiki tha se në qoftë se nuk mbahet premtimi, banorët do të veprojnë njëjtë si më parë dhe do të protestojnë deri në përvetësimin e ujit të pijshëm.

    Zv. ministri i Transportit ua uroi banorëve të Pallçishtit projektin e ujësjellësit dhe u dakorduan me banorët se, sistemi i ujësjellësit do të të mund të funksionojë dhe që të mund të mirëmbahet, duhet të vendoset orëmatës në çdo shtëpi për konsumimin e ujit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gjysma e bizneseve familjare rrezikojnë mbylljen

    Lajmi i rradhës

    Si duhet të lani veshjet e leshta në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë