Banorët pranë Bukovës paralajmërojnë protesta

    Mijëra turistë vendas dhe të huaj u befasuan nga tymi i dendur dhe era e padurueshme, e cila tash dhjetë ditë vjen nga deponia e egër e Bukovës. Banorët nga vendbanimet pranë deponisë paralajmërojnë protesta dhe bllokim të rrugës. Sipas Qendrës së Shëndetit Publik, djegia e pakontrolluar e mbetjeve të paselektuara është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

    “Mbeturinat komunale që hidhen në deponinë në Bukovë përmbajnë mbeturina të ndryshme, të paselektuara, dhe djegia e mbeturinave të tilla rrit rrezikun e pranisë së substancave të shumta të dëmshme në ajër. Efektet e dëmshme të këtyre ndotësve të ajrit në shëndetin e njeriut më të dukshme janë në organet e frymëmarrjes me mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve serioze të mushkërive, siç janë sëmundja opstruktive kronike e mushkërive, emfizema e mushkërive, astma bronkiale, karcinoma, thanë nga Qendra e Shëndetit Publik, Ohër.

    Ambientalistët bëjnë thirrje për masa të përhershme për të parandaluar djegien e mëtejshme të deponisë.

    “Është mirë të ketë monitorim të përhershëm me kamera termike që punojnë në dritën infra të kuqe dhe matin ndryshimin e temperaturës së deponisë dhe mundësojnë përgjigje të shpejtë nëse paraqiten shenjat e para të zjarrit dhe e gjithë kjo të kombinohet me instalimin e detektorëve të tymit,” deklaroi Gjoko Zoroski-ambientalist.

    Në Bukovë, në ditë hidhen 80 ton mbeturina nga më të ndryshmet. Këto ditë, ajo është mbuluar me dhe. Nga ndërmarrja publike komunale e Ohrit thonë se zjarri është ndezur dy herë me qëllim. Përndryshe, Bukovo së bashku me deponinë e Strugës me rekomandimin e UNESCO-s duhet të ishin mbyllur deri në vitin 2020, por tani për tani nuk ka asgjë nga kjo, sepse ende pritet  ndërtimi i deponisë rajonale që duhet të jetë gati deri në fund të vitit të ardhshëm. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Prokuroria ngrinë kontaktet me antikorrupsionin”

    Lajmi i rradhës

    Bullgaria e ndryshon ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, pas protestave masive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë