“Prokuroria ngrinë kontaktet me antikorrupsionin”

    “Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha në publik dhe në komunitetin e biznesit dhe ende mbetet fushë e shqetësimit serioz,” thuhet në draft- raportin e përgatitur nga Brukseli pas përfundimit të procesit të skriningut për klasterin e parë të negociatave. Ky klaster përfshin edhe kapitullin 23, i cili hapet i pari gjatë negociatave dhe mbyllet i fundit, dhe përfshin gjendjen në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas ekspertëve evropianë, masat anti-korrupsion kanë ndikim të kufizuar në sektorët e cenueshëm.

    “Nevojitet qasje sistematike në ballafaqimin me korrupsionin me qëllim të përgjigjes ndaj faktorëve të rrezikut: ndikim i fortë politik në sektorin publik; shkalla e ulët e sanksionimit të rasteve të korrupsionit, rregullat jokonsistente; niveli i ulët i zbatimit të masave për integritet, transparenca e pamjaftueshme, sistemi i mbikëqyrjes dhe mekanizmat e kontrollit në sektorin publik.” – raporti i skriningut.

    Sipas Komisionit të BE-së, zbatimi i Strategjisë kundër korrupsionit është shumë i ngadaltë dhe vetëm 10% e aktiviteteve të planifikuara janë zbatuar plotësisht në vitin 2022. Ata vlerësojnë se Komisioni kundër korrupsionit në vend, është proaktiv, por duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’u përmirësuar funksionimi i saj. Gjithashtu theksohet se Komisioni Antikorrupsion ka nevojë për më shumë financa, por edhe punonjës, veçanërisht me përvojë hulumtuese, të cilët në detaje do të shqyrtojnë listat anketuese të zyrtarëve. Brukseli kërkon bashkëpunim mes Komisionit Kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike, në kohë kur Prokuroria, e udhëhequr nga Islam Abazi, ka vendosur të ndërpresë kontaktet me Komisionin Kundër Korrupsionit, i zemëruar që komisioni ka nxjerrë detaje të pasurive të sekuestruara të Koçanit që përfunduan në duar private.

    “Komisioni Evropian vlerëson se bashkëpunimi midis KSHPK-së dhe Prokurorisë Publike duhet të përmirësohet, veçanërisht në pjesën e nismave dhe rekomandimeve që KSHPK-ja i jep Prokurorisë Publike. Ata vlerësojnë se Memorandumi i Bashkëpunimit i lidhur së fundmi do të kontribuojë në këtë fushë, megjithatë, siç e dini, Prokuroria para do kohe ngriu në një farë mënyre bashkëpunimin, i cili bazohej në Memorandum, megjithëse bazat ligjore për të dy institucionet janë të qarta,” tha Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK-së.

    Përndryshe, në Raportin në pjesën kushtuar autoriteteve gjyqësore, Komisioni gjithashtu vëren se ka një numër të vogël të vendimeve përfundimtare gjyqësore në rastet e korrupsionit të lartë, dhe kjo çon në kulturë të mosndëshkimit.

    “Ka dallim të madh midis numrit të hetimeve dhe numrit të aktvendimeve përfundimtare. Pas aktgjykimeve të shkallës së parë, ka një numër të konsiderueshëm rastesh kur zvarritja e procedurave gjyqësore rezulton me vjetërsimin e lëndëve. Rastet duhet të menaxhohen në mënyrë më efikase përmes sistemit gjyqësor për të siguruar drejtësi në kohë.” – raporti i skriningut.

    Vlerësimi i përgjithshëm i Brukselit është se Maqedonia ka një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, ndërsa legjislacioni në këtë fushë është pjesërisht i harmonizuar me atë evropian. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pajisja me dokumente, mision i pamundur, numrat për caktimin e terminit, jofunksional

    Lajmi i rradhës

    Banorët pranë Bukovës paralajmërojnë protesta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë