“Basha, barrë e rëndë për opozitën”

    Edhe deputeti Ervin Salianji është vendosur në radhën e demokratëve që janë pro largimit të Lulzim Bashës nga karrigia e kreut të PD-së.

    Ai e cilëson rezultatin e zgjedhjeve të 6 Marsit  katastrofik për Partinë Demokratike, duke theksuar se përgjegjësia më e madhe është tek kryetari i partisë.

    Salianji shprehet se ka qenë pjesë e demokratëve që kanë bërë  beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike, duke  e menduar si  rrugën e duhur që PD të jetë në pushtet.

    “Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen”, shkruan Salinanji përmes postimit, duke shtuar se duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje.

    Postimi i plotë:

    Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit ishte katastrofik për Partinë Demokratike.  Kandidatët e PDSH në 6 bashki ishin demokratë dinjitozë, ata bashkë me demokratët bënë çdo përpjekje, por fryma popullore ishte mesazh i qartë për çdo demokrat. Opozita u dëmtua dhe mori më pak se gjysmën e votave që grumbulloi më 25 Prill, bojkoti i votuesve tregoi krizën e besimit tek opozita. Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatatë, përgjegjësia kryesore është tek kryetari i partisë.

    Personalisht kam bërë beteja të ashpra duke rriskuar gjithçka, kam luftuar fort për të ndihmuar që Partia Demokratike të vijë në pushtet. Kam bërë beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike sepse kam menduar që ishte rruga e duhur që PDSH të vijë në pushtet!

    Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë! Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!

    LB duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje! Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë! Partia Demokratike do të ribëhet, forca dhe energjia e demokratëve është e pashtershme!

    Shumica e anëtarëve të Grupit të Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Lulzim Basha gjatë mbledhjes mbi katër-orëshe një ditë më parë, pas dështimit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki.

    Agron Gjekmarkaj vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetar i PD-së, kurse Dashnor Sula deklaroi se është gati të lërë detyrën e deputetit, nëse nuk ndryshon situata aktuale në PD.

    Gjatë mbledhjes, vetëm Flamur Hoxha, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri ishin në krah të Bashës, ndërsa pjesa tjetër ishin pro dorëheqjes nga posti dhe mbajtjes së zgjedhjeve në parti.

    Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

    Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

    Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Manchester United po përballet me një revolucion masiv, pritet largimi i mbi 15 lojtarëve

    Lajmi i rradhës

    Presidenti i Kinës kërkon përmbajtje në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë