Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimeve të fundit në Ministrinë e Arsimit, ku, sipas partisë, janë emëruar shtatë persona në pozita të larta, pesë prej të cilëve si këshilltarë shtetërorë – të gjithë të përkatësisë maqedonase dhe asnjë shqiptar.
Sipas BDI-së, ky zhvillim përfaqëson një tendencë të qartë të përjashtimit etnik të shqiptarëve nga strukturat vendimmarrëse të këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror.
“Kjo komunikatë nuk ka për qëllim ta kritikojë ministren e Arsimit, por të informojë publikisht zëvendësministrin shqiptar nga koalicioni LEN, i cili – sipas informacioneve tona – as që është njoftuar për këto vendime, e aq më pak të ketë pasur ndikim për t’i parandaluar ato.,” thuhet në reagim.
Partia thekson se zëvendësministri shqiptar nga koalicioni opozitar LEN nuk është informuar dhe nuk ka pasur ndikim në këto vendime.
“Fakti që një përfaqësues shqiptar mbahet në errësirë dhe pa rol në një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit, është tregues i qartë se pjesëmarrja shqiptare në qeverisje po reduktohet në një fasadë formale.,” vijon komunikata, duke vënë në pikëpyetje vetë kuptimin e përfaqësimit shqiptar në qeveri.
BDI e lidh këtë situatë me fushatën “Maqedonia sërish e juaja” dhe me anulimin e sistemit të balancuesit që më parë garantonte barazi ndëretnike në administratë. Sipas partisë, kjo qasje po zbatohet konkretisht përmes përjashtimit të heshtur të shqiptarëve nga pozitat strategjike.
“Ky zhvillim nuk është as rastësor e as i papritur, por pjesë e logjikës së shpallur përmes fushatës “Maqedonia sërish e juaja” dhe anulimit të balancuesit që garantonte barazinë ndëretnike – një filozofi që tashmë po zbatohet përmes përjashtimit të heshtur të shqiptarëve nga pozitat strategjike në administratë. Në këtë kontekst, kritikat ndaj VMRO-DPMNE-së janë të kota, sepse ajo po vepron saktësisht sipas planit të shpallur.,” thuhet më tej në deklaratë.
BDI përmbyll reagimin me një pyetje retorike: “Çfarë kuptimi ka pjesëmarrja shqiptare në qeverisje, kur përfaqësuesit e saj as nuk informohen, e as nuk dëgjohen?”