Këshilltarët komunal të BDI-së në Tetovë kritikojnë krerët e komunës se planifikojnë të ia japin tenderin për transport të nxënësve një kompanie e cila, sipas tyre nuk ka licencë për transport ndërkomunal dhe nuk ka orar pune. Ata akuzuan komunën edhe për borxhe të gjeneruara ndaj transportuesve, përcjell Nistori.
“Shkolla e mesme Nikolla Shtejn Tetovë, sipas raportit të ministrisë së Financave është në borxh prej 500.000 euro gjë kjo që duhet sqaruar nga drejtori dhe udhëheqësia e komunës. Së dyti komuna e Tetovës duke pasur marrëveshje me një kompani transporti ka vendosur që këtë marrëveshje ta këpus dhe t’i jepet një kompanie tjetër të afërt me Bilall Kasamin, e cila nuk posedon leje dhe orar pune të dhënë nga komuna e Tetovës”, deklaroi Liridon Disha, këshilltar komunal i BDI-së.
I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të komunës Bilall Kasami. Ai akuzoi BDI-në për manipulime me tenderët në të kaluarën, gjë që sipas tij nuk ndodh aktualisht.
“BDI ka luajtur me tenderët në të kaluarën dhe kjo është shenjë njohëse e saj. Ne në asnjë moment nuk kemi bë kalkulime të këtilla, në të kaluarën ka pasur kështu lojëra. Bëhet fjalë për një organizim të transportit publik që në dy vite e gjysmë të qeverisjes time nuk ka pasur ngecje të transportit publik dhe nuk do ketë. Ndërsa në mbledhjen e fundit të këshillit u ndryshua , u miratua ndryshimi i afatit të aplikimit për licencë të kompanive që merren me transport të nxënësve dhe ne vetëm duam të ketë liberalizim më të madh të kompanive që merren me transport të nxënësve”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Nga komuna e Tetovës paralajmërojnë, sic thonë “zero” tolerancë në plotësimin e kritereve për kompanitë që do bëjnë bartjen e nxënësve me qëllim që transporti i nxënësve të jetë sa më i sigurt.