BDI në terren për të matur forcën!

    BDI duke filluar nga kjo javë ka nisur fushatën e saj me takime tet-a-tet me qytetarët. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti bashkë me eksponentët tjerë të partisë së tij, takimet me qytetarët i kanë filluar nga Mateçi i Likovës. Takimet e BDI-së do të vazhdojnë edhe në vende të tjera ku do të shpalosin pakënaqësinë e tyre.

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është shprehur se në popull ka shumë mllef dhe pakënaqësi ndaj poshtërimit që po ju bëhet shqiptarëve.

    “Folëm për Evropën, për vetingun, për legjitimitetin, për të ardhmen. Në popull ndjej shumë mllef dhe pakënaqësi ndaj poshtërimit që po ju bëhet shqiptarëve çdo ditë dhe tentativës për ti rikthyer politikat millosheviqiane të shqiptarëve “të ndershëm”, preferencial të pushtetit të cilët verbërisht i shërbejnë patronit të tyre. Populli është kundër këtij nënçmimi dhe sonte foli zëshëm në kundërshtim të politikave që cenojnë barazinë dhe të arriturat si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit si dhe ato që na largojnë nga Evropa”, ka deklaruar Ali Ahmeti.

    Analisti Blerim Hyseni, për gazetën Koha, ka deklaruar se dalja e BDI-së në terren në takime me qytetarët ka të bëjë me disa arsyeje. Sipas tij, si pikënisje e takimeve është mbajtja e elektoratit në hap me zhvillimet politike në vend dhe gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në veçanti kërcënimit që po i bëhet drejtpërdrejtë Marrëveshjes së Ohrit.

    “Arsyeja e dytë është që në pamundësi për të mbajtur protesta, jo për fajin e saj, po për shkak faktorëve të tjerë që sa duket kanë bërë presion që protesta të mos mbahen rrugëve dhe shesheve të qyteteve. Si pasoj e kësaj BDI zgjodhi mënyrën e bashkëbisedimit me qytetarët dhe anëtarësinë e saj. Megjithatë kjo ka të bëjë me strategjinë e BDI-së tanimë si parti opozitare dhe lufta e saj politike duhet të përqendrohet në legjitimitetin si koalicion dhe nga ana tjetër duhet që me shembuj konkret si ka qenë dhe si është situata në institucionet e vendit sa i takon emërimeve dhe punësimeve në to. Në këtë mënyrë do të bindte edhe faktorin ndërkombëtarë se çështjet e përfaqësimit dhe ‘kulaçit’ të pushtetit kanë rrëshqitur në drejtim të gabuar dhe në këtë mënyrë do të bindë edhe qytetarët se megjithatë pushteti i saj ka qenë më gjithëpërfshirës me më relevantë në bashkëqeverisje”, ka deklaruar Hyseni.

    Ai në fund shtoi se me një fjalë takimet me qytetaret u panë si një mënyrë që të zëvendësohen tubimet dhe protestat dhe nuk mendoj se kanë të bëjnë me përgatitjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare apo zgjedhjet lokale që do të mbahen këtu e një vit pas.

    Nga ana tjetër, një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari ka ironizuar me paralajmërimet e BDI-së se mund të organizojnë protesta, duke thënë, se temperaturat e ulëta i pengojnë ata që t’i mbajnë ato protesta.

    “Ne jemi vazhdimisht në terren BDI-së, përsëri i preferoj që së pari të nisen të reformohen pastaj të adaptohen, tash mendoj se temperaturat e ulëta i pengojnë që të bëjnë protesta, le të takohen me qytetarët, bile është dashur që moti të takohen me qytetarët tani e kanë pak si vonë, por pavarësisht asaj, ajo është strategji partiake, le ta vazhdojnë ju uroj shumë suksese”, ka deklaruar Taravari.

    Lajmi Paraprak

    Diskutimet e KSE-së për pagën minimale pas Propozim-buxhetit do të kthehen me vërejtjet dhe amendamentet nga deputetët

    Lajmi i rradhës

    Riaktualizohet ideja për hapjen e burgut të grave në Strugë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë