BDI PREMTON VETTING, NDËRKOHË PO E MBUSH GJYQËSORIN ME FAMILJARË DHE KUADRO PARTIAK

    BDI-ja e cila në cdo fushatë trumbeton vetingun jo vetëm në gjyqësor por edhe në politikë madje edhe në parti, vazhdon të mbush gjykatat dhe prokuroritë me kuadro partiak apo njerëz të afërm me këtë parti. Sipas ekspertëve kjo përbën dyfytyrësi dhe paturpësi. Për Aleancën për Shqiptarët, lista e Akademisë dëshmon përcaktimin e saj për reforma urgjente në gjyqësor.

    “Jo, nuk duhet mbetur vetëm një zë apo një rezolutë çështja e sundimit të ligjit dhe çështja e vetingut. Këtu duhet bërë punë tejet serioze, që në vend të sundojë ligji, në vend të ketë veting të mirëfilltë dhe pastërti të figurave të cilat do të drejtojnë me sistemin e drejtësisë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    “Politika e BDI-së ka qenë dhe është që të ketë vetting në të gjitha nivelet, duke filluar nga politikanët, pastaj duke vijuar me gjykatësit dhe prokurorët”, tha Artan Grubi, BDI.

    Kjo është kryefjalë thuajse në çdo fushate parazgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, e mbushur me premtime për vetting ndërsa asgjë konkrete nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Përkundrazi, tre ditë më herët u publikua lista e prokurorëve dhe gjykatësve të ardhshëm të vendit, e cila u përballë me shumë kritika nga njohësit e çështjes pikërisht për shkak se në atë listë u gjendën fëmijë dhe familjarë të BDI-së.

    Bashkimi Demokratik për Integrim për më shumë se 20 vite në pushtet nuk e ka parë të rrugës t’i fusë në “skaner” gjykatësit dhe prokurorët publik edhe pse me dikasterin e Drejtësisë, vetëm në dekadën e fundit kanë udhëhequr kryesisht ministra nga radhët e BDI-së si Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Saliji si dhe kur nuk kanë pasur ministrin, kanë qenë të përfaqësuar përmes zëvendësministrit. Kësaj radhe, ata “braktisën” këtë ministri duke mos e përmbush premtimin për vetting.

    Hipokrite, tha njohësi i çështjeve juridike Emir Kurtishi, që një parti politike e cila “rehaton” familjarët në gjyqësor dhe prokurori, të premtojë reforma në këtë fushë.

    “Një lloj hipokrizie apo paturpësie, ti e premton një gjë dhe kalojnë kaq shumë vite dhe nuk ke marrë asnjë hap serioz, përderisa edhe në gjyqësi ballafaqohemi me një besim shumë të ulët nga ana e qytetarëve. Listat e publikuara këto ditë lënë shumë për të dëshiruar sepse kryekëput, i kam parë listat, janë familjarët ose kushërinjtë, farefiset e krerëve të këtyre institucioneve, kështu që nuk di edhe sa vite tjera duhet të kalojnë që të realizohet ky vetting”, tha Emir Kurtishi, ekspert i çështjeve juridike.

    Përveç tyre, në pushtet me shumë premtime për vetting në gjyqësorë po futet edhe Aleanca për Shqiptarët edhe pse tre ditë pas publikimit të listës së gjykatësve dhe prokurorëve të ardhshëm, ata nuk u bënë të gjallë. Ata përmes një kumtese me 3 paragrafe sot, thanë se lista e publikuar fuqizon nevojën për veting në gjyqësor.

    “Zhvillimet e fundit vetëm se konfirmojnë nevojën për realizimin e përcaktimeve tona për reforma në sistemin e gjyqësorit dhe prokurorisë, ligjin për veting, reformimin e akademisë si imperativ, rritjen e transparencës si dhe ndryshime tjera që do ta mbajnë politikën larg drejtësisë dhe drejtësinë do ta rikthejnë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Lista e fundit për prokurorë dhe gjykatës po e “varros” besimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit”

    Lajmi i rradhës

    SI NUK NA VJEN TURP QË I VOTOJMË?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë