Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim lidhur me avancimet e fundit të realizuara nga Ministria e Kulturës, ku nga 12 avancime brenda kësaj ministrie, vetëm një pozitë i është dhënë një shqiptari.
Nga BDI thonë se ky bilanc është tregues i qartë i një politike të vetëdijshme për të marginalizuar përfaqësimin kulturor të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Për më shumë se një vit, asnjë punësim i ri nuk është bërë në institucionet kulturore të drejtuara nga shqiptarët. Ansamblet kulturore janë në shuarje të plotë, artistët në margjinë dhe institucionet pa jetë, pa investime dhe pa vizion. Ansambli Muzikor është lënë si relikt simbolik, pa mbështetje dhe pa perspektivë”, thanë nga BDI.
Përgjegjësia për këtë situatë sipas tyre nuk i takon vetëm ministrisë, por edhe koalicionit VLEN si përfaqësues të shqiptarëve në qeveri.
Bashkimi Demokratik për Integrim në vazhdimësi del me reagime publike, ku akuzon koalicionin VLEN për degradimin e pozitës së shqiptarëve në shtet.