Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke deklaruar se ky koalicion nuk mund të mbrojë interesat shqiptare me vetëm 1% mbështetje elektorale. Përmes një kumtese, BDI theksoi se forca e ulët politike e VLEN e bën atë të paaftë për të ndikuar në çështjet kombëtare, duke e quajtur atë një “vazal”, shkruan Nistori.
Në deklaratën e tyre, BDI numëroi disa nga vendimet e rëndësishme që kjo qeveri ka marrë gjatë mandatit të saj, duke pretenduar se këto janë dëshmi e përkushtimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
“Me 1% përqind mbështetetje bëhesh 100% vazal! Me 1% mbështetje, nuk mund të flasësh në emër të popullit shqiptar. Me 1% mbështetje, nuk mund të mbrosh arritjet historike të Marrëveshjes së Paqes të vitit 2001 për barazi. Me 1% mbështetje, nuk mund të mbrosh statusin zyrtar të gjuhës shqipe. Me 1% mbështetje, të detyrojnë të gjesh arsye pozitive edhe për heqjen e balansuesit. Me 1% mbështetje, ta përdhosin flamurin dhe nuk të lënë as të kërkosh masa ndëshkuese për dhunuesit. Me 1% mbështetje, gjykatat bëhen instrument i një agjende monoetnike. Me 1% mbështetje, nuk mund as të përmendësh Bashkimin Evropian. Me 1% mbështetje, kuadrot dorëhiqen nga institucionet pasi nuk i llogarisin fare. Me 1% mbështetje, bëhesh vetëm 100% vazal!”, theksohet në kumtesë.
Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së, duke e kritikuar këtë parti si një strukturë që funksionon si kompani private. VLEN ka akuzuar BDI-në se është e përfshirë në korrupsion dhe se gjatë dy dekadave në pushtet ka braktisur idealet e saj fillestare. Në reagimin e koalicioni thuhet se, deklaratat e BDI-së janë kthyer në shkrime të zbehta ditore të një partie që dikur kishte ide, por sot ka vetëm krim.
“Me 1% moral, bëhesh 100% i korruptuar! BDI-ja nuk duhet të flasë për mbështetjen e popullit kur vetë, përmes shantazheve, korrupsionit dhe frikësimit, krijoi një iluzion të fuqisë. Zgjedhjet lokale do të jenë fundi i këtij lidershipi të BDI-së. Me 1% transparencë, bëhesh 100% mafioz! BDI-ja flet për gjykatat? Po kush i bëri gjyqtarët shërbëtorë partiakë? Ministrat e tyre, së bashku me Sasho Mijalkovin, ishin komision për emërimin e gjyqtarëve. Kush i sajonte tenderët? Kush e bëri shtetin të robëruar nga politikanët me llogari bankare të majme në Dubai dhe Monako? Me 1% turp, bëhesh 100% autoritar! BDI-ja pretendon se mbron Marrëveshjen e Ohrit? A nuk ishin pikërisht ata që politizuan administratën, duke punësuar ushtarë partiakë, ndërsa njerëzit e kualifikuar mbetën pa punë dhe u detyruan të emigrojnë? Familjet e zyrtarëve fituan, ndërsa qytetarët e zakonshëm u larguan për të punuar në Evropë. Me 1% të vërtetë, bëhesh 100% manipulues! Nga VLEN ndër t1% tjera shtojnë se BDI-ja është një strukturë politike që njeh vetëm gënjeshtra, vjedhje dhe manipulime. Prandaj sot sulmojnë në panik, sepse e dinë se fundi i tyre është afër! Zgjedhjet lokale do të jenë fundi i këtij lidershipi të BDI-së.
Përplasjet mes dy forcave politike po intensifikohen ndërkohë që pritet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale, duke shtuar polarizimin në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. /Nistori/