BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të zbatimit

    Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë.

    Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes, dhe interpretimit të palëve.

    “Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar.

    Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.

    “Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, tha ky zyrtar, duke shtuar se pasi të nënshkruhet, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese.

    Kurti deklaroi të hënën pas takimitse ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte i gatshëm.

    Presidenti Vuçiq, ndërkaq, ka thënë në një intervistë në një televizion të Serbisë se ai vërtet nuk ka dashur ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Vuçiq ka folur më shumë për planin e implementimit.

    BE-ja pret që palët të dërgojnë reagimet e tyre lidhur me draftin e planit të implementimit që kanë marrë nga Brukseli.

    Kurti dhe Vuçiqi takohen në Ohër më 18 mars

    Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.

    Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

    Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

    Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.

    Burimi tha se vendimi për publikimin e tekstit të propozimit, për të cilin është mbyllur diskutimi, ka qenë i Borrellit, por me këtë janë pajtuar edhe palët.

    Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

    Zyrtari evropian tha gjithashtu se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit “ishte më i miri deri më tash, por ka shtuar se “nivel i i mosbesimit mes palëve është ende i madh, prandaj të dyja palët, me të drejtë, kërkojnë edhe garanci, prandaj edhe është i domosdoshëm një plan i implementimit, i cili nuk lë vend për ambiguitet dhe do të sqarojë obligimet dhe afatet kohore”.

    Ky zyrtar tha se Borrelli i ka njoftuar Kurtin dhe Vuçiqin se më 20 mars, në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, dhe më 24 mars, në takimin e Këshillit Evropian, do të raportojë edhe për rezultatet e dialogut.

    “Borrell do të njoftojë ose për suksesin ose në rast të dështimit, për arsyet e dështimit”, tha ky zyrtar, duke shtuar se “të dy liderët e kanë kuptuar mirë këtë mesazh sepse vendet anëtare kanë në duart e tyre shkopin apo karotën dhe vendosin se cilat dhe si do t’i përdorin”.

    Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Depresioni sezonal mund të shfaqet edhe në pranverë – Shkaqet dhe si ta përballoni

    Lajmi i rradhës

    Ëmbëlsuesit alternativë – A mund të reduktojnë peshën dhe rrezikun e diabetit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë