Lehtësimi i rregullave të Bashkimit Evropian për emetimet e dioksidit të karbonit nga veturat mund të ketë pasoja të kundërta nga ato që synohen, duke rrezikuar deri në 185 mijë vende pune në industrinë evropiane të automobilave deri në vitin 2035.
Ky është përfundimi i një analize të re të Këshillit Ndërkombëtar për Transport të Pastër (ICCT), sipas së cilës zbutja e objektivave për emetimet do të ngadalësonte zhvillimin e sektorit të automjeteve elektrike dhe krijimin e vendeve të reja të punës në këtë industri.
Sipas analizës, lehtësimi i rregullave mund të ndihmojë përkohësisht në ruajtjen e vendeve të punës në prodhimin e motorëve me djegie të brendshme, por njëkohësisht do të kufizonte mundësitë e punësimit në prodhimin e automjeteve elektrike, baterive, si dhe në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për karikimin e tyre.
Si rezultat, humbjet e përgjithshme të vendeve të punës mund të jenë më të mëdha sesa përfitimet nga vazhdimi i prodhimit të veturave me benzinë dhe naftë.
ICCT vlerëson se mbajtja në fuqi e objektivit për ndalimin e shitjes së veturave të reja me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035 do të ndihmonte në ruajtjen e nivelit të punësimit në sektor. Rritja e prodhimit të automjeteve elektrike dhe baterive do të kompensonte humbjet e vendeve të punës në sektorët tradicionalë të industrisë së automobilave.
Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e zbutjes së planit për ndalimin e shitjes së veturave të reja me benzinë dhe naftë nga viti 2035.
Në vend të objektivit aktual për reduktimin e emetimeve të CO2 me 100 për qind, në diskutim është një objektiv prej 85 për qind, krahasuar me nivelet e vitit 2021.
Kjo do të mundësonte vazhdimin e shitjes së disa automjeteve me motorë me djegie të brendshme edhe pas vitit 2035, varësisht nga kushtet për kompensimin e emetimeve.
Debati për ndryshimin e rregullave ka nxitur shqetësime për të ardhmen e industrisë evropiane të automobilave, e cila po përballet me transformimin drejt teknologjisë elektrike dhe konkurrencën ndërkombëtare.
Analiza e ICCT-së thekson se ruajtja e objektivave për automjetet me emetime zero, e shoqëruar me mbështetje për prodhimin brenda Evropës, mund të krijojë kushte më të favorshme për punësim dhe zhvillim afatgjatë të industrisë. /Telegrafi/




