BE NDAL IMPORTIN E VETURAVE TË VJETRA! RMV AKOMA PA NDALESË PËR EURO 4

    Javën e kaluar, KE propozoi që makinat e vjetra dhe në fund të skadimit të mos shiten më ose të eksportohen jashtë BE-së. Një vendim i tillë mund të prekë veçanërisht ngasësit e veturave nga rajoni që përdorin me shumicë automjete të tilla. BE beson se një ndalim i tillë do të përmirësojë sigurinë në trafik dhe do të zvogëlojë ndotjen. Mirëpo nga ana tjetër, shoferët nga rajoni kanë frikë se mund të ndikojë në çmimet dhe disponueshmërinë e automjeteve të përdorura.

    RREGULLORE NË MJEGULL

    Në pritje të saktësimit të rregullores dhe miratimit eventual të saj, megjithatë nga ajo që dihet deri tani, ndalimi i mundshëm i eksportit të makinave të përdorura nga BE në të ashtuquajturat vende të treta nuk pritet të ndikojë tek shoferi mesatar në rajon sepse ky propozim, të paktën siç janë tani gjërat, vlen ekskluzivisht për makinat e përdorura që janë në fund të “jetës së tyre”. Kjo do të thotë se automjetet e përdorura që janë teknikisht korrekte do të mund të eksportohen pa pengesa nga BE-ja, pavarësisht vitit apo kilometrazhit, siç thuhet në dokumentet zyrtare në faqen e internetit të KE-së.

    Deri më tani ende nuk është përcaktuar se për cilat automjete të përdorura do të zbatohej rregullorja, pra nuk është specifikuar se cila do të ishte norma, viti apo kilometrazhi i saktë. Propozimi që KE-ja paraqiti në fund të javës së kaluar në mënyrë përshkruese thotë se vlen për makinat që kanë arritur fundin e jetës së tyre.

    Eksperti i kësaj lëmie, Petar Zhivkoviq thotë se mund të supozohet se rregullorja re do të mbulonte vjetërsinë e veturave që nuk mund të shiten jashtë BE-së, apo nënkupton se rajoni do të mbetet pa makinat më të vjetra dhe më të lira, si “euro 3” dhe “4”. Njëherësh do të shtrenjtohen në rast se miratohet një vendim I tillë edhe veturat me euro 5 dhe 6, shton ai. Propozimi i rregullores së re nuk u mirëprit nga Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Automobilave ACEA. Ndër të tjera ata vënë në pikëpyetje nëse tregu mund t’i furnizojë prodhuesit me materiale të ricikluara të mjaftueshme dhe theksojnë se shumë pjesë plastike të cilësisë më të lartë vështirë se mund të riciklohen.

    MAQEDONIA AKOMA PA NDALESË PËR EURO 4

    Nga ana tjetër, në Maqedoni akoma mund të importohen vetura me standard euro 4. Edhe pse disa vite më parë ishte paralajmëruar se do të ndalohet importi i veturave të vjetra që janë nën euro 5 standardin të ndotjes me gazra, një veprim i tillë do të presë realizimin e analizave të caktuara, thonë nga ekzekutivi. Në vitin 2016 u ndalua importi i veturave me standardin EURO-3 apo më të vjetra se viti 2005, ndërsa ndalimi i veturave euro 4 në vitin 2021 mbeti në sirtar. Ndalesa për import të automjeteve të përdorura me standarde nën EURO 5 do të ndalonte që në vend të importohen makina që janë prodhuar para vitit 2011, apo do të ndalohej importi i automjeteve më të vjetra se 12 vite.

    Në ndërkohë me liberalizimin e importit të veturave pas vitit 2010 në vend janë importuar një numër i madh i veturave, ndërsa vlerësohet se fuqia e ulët blerësve e qytetarëve është shkaku kryesor i interesimit të madh të blerjes së veturës së vjetër në vend të asaj të re në dekadën e fundit. Të dhënat tregojnë se në periudhën e kaluar në mesatare janë importuar 40 mijë vetura, ndërsa në vitin 2021 kemi pasur 500.600 automjete prej të cilave 55 për qind dizel, 43 për qind me benzinë dhe vetë 3 për qind që shfrytëzojnë karburant alternativ.

    Ekspertja Jasminna Buneska thotë se parku vozitës në vend është relativisht i vjetër me 19 vjet vjetërsi, ndërsa më shumë se 200 mijë vetura kanë ngasje me naftë. Për më tepër shton ajo në ajër 25 për qind e grimcave të dëmshme për shëndetin vijnë nga komunikacioni, ndërsa bile 40 për qind e materieve të dëmshme vijnë nga kamionët dhe veturat e tjera transportuese. Ekspertët e automobilizmit thonë se euforia e madhe e importit të veturave të vjetra dhe të reja, fillon me vitin 2010 si rrjedhojë liberalizimit kur u importuan afër 51 mijë vetura të vjetra dhe 7000 vetura të reja ,edhe si rrjedhojë e situatës më stabile ekonomike, numrit të madh të kredive automobilistike, por edhe blerjeve nga ana e institucioneve të ndryshme shtetërore. Sigurisht, duhet të jeni gjithmonë të kujdesshëm dhe të ndiqni informacionet nga BE-ja, sepse gjithmonë ka mundësi për disa ndryshime në momentin e fundit, siç ishte rasti me ndalimin e mundshëm të prodhimit të motorëve me djegie të brendshme nga viti 2030.

    Ligji i propozuar papritmas për ndalimin e prodhimit të automjeteve me lëndë djegëse fosile pas vitit 2035 në territorin e BE-së mori kritika të mëdha nga zyrtarët gjermanë dhe italianë. Sipas informacioneve të fundit, në këtë çështje gjërat po rregullohen. Siç raporton Politiko, BE dhe Gjermania kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje për të ndaluar shitjen e automjeteve me lëndë djegëse fosile nga viti 2035. Gjithashtu duhet theksuar se BE-ja është eksportuesi më i madh në botë i automjeteve të përdorura. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2020, numri i automjeteve të përdorura të eksportuara drejt vendeve të treta arriti në 870 mijë automjete, me vlerë 3.85 miliardë euro. Destinacionet përfundimtare të gjysmës së BE-së janë Afrika, Evropa Lindore, Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme. Çështja është se deri në çfarë mase Unioni është i gatshëm të heqë dorë nga këto të ardhura. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Shqiptarët e meritojnë të përfaqësohen denjësisht

    Lajmi i rradhës

    Strategjitë e lëna në gjysmë të Kulturës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë