Strategjitë e lëna në gjysmë të Kulturës

    Në dëgjesën e fundit pulike lidhur me propozimin Ligjin për Kulturën si edhe Strategjisë Kombëtare për Kulturë 2023-2027 që po zhvillohen nga ana e Ministrisë së Kulturës është shpërfaqur shqetësimi i mosimplementimit të tyre në vite. Përfaqësues të sindikatave duke u nisur nga fakti se Strategjitë e mëparshme kombëtare për zhvillimin e kulturës nuk janë zbatuar në tërësi, kanë kërkuar që Ministria e Kulturës ta zbatojë plotësisht dhe brenda afatit të përcaktuar katër vjeçar. Kryetarja e Sindikatës së Kulturës Vera Atanasovska theksoi se sindikata nuk ka ndonjë vërejtje të veçantë për Strategjinë dhe se duan që ajo të zbatohet vetëm në afatin e paraparë.

    “Ne si sindikatë kërkojmë që të zbatohet brenda afatit që është paraparë, sepse e kemi përvojën e strategjisë së fundit e cila asnjëherë nuk është zbatuar plotësisht”, tha Atanasovska.

    Problemet me të cilat përballet kultura, pavarësisht hartimit të Strategjive dhe planeve të veprimit nuk kanë ndonjë ndryshim në vite. Në një analizë të vetë Ministrisë së Kulturës konstatohet se dobësitë kryesore janë mungesa e burimeve njerëzore në departamente të caktuara, objektet infrastrukturore të vjetruara dhe joadekuate në një pjesë të madhe të institucioneve në fushën e kulturës dhe fonde të pamjaftueshme për investime…, nevojë për ndryshim të rregulloreve ligjore në të gjitha fushat e kulturës; Mungesa drastike e kuadrit profesional, veçanërisht në trashëgiminë e paluajtshme; Kapacitete të vjetruara dhe të pamjaftueshme informative teknike dhe të personelit në të gjitha institucionet kombëtare në fushën e kulturës, gjë që e bën të pamundur aplikimin e teknologjive moderne, si dhe dokumentimin e duhur dhe dixhitalizimin e burimeve kulturore.

    Sipas ministres Bisera Konstadinova Stojçevska Strategjia dhe Ligji janë dokumente të ndërlidhura dhe se nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin.

    “Çdo ministër që zbaton një dokument të tillë strategjik nuk duhet të lihet vetëm, por duhet të përfshihemi të gjithë njëlloj dhe së bashku në këtë proces. Me planin e parashikuar të veprimit, kjo strategji tashmë është një dokument që i qaset seriozisht praktikave dhe politikave evropiane për realizimin dhe konceptimin e kulturës në një kontekst modern. Të dy dokumentet parashohin disa ndryshime në Ligjin për Vullnetarizmin, në mënyrë që të kalohet periudha e vakumit që deri më tani kërkonte pesë vite përvojë pune. Do të jetë me vullnetarizëm, apo me shkolla verore, apo me ndonjë angazhim tjetër të studentëve në ato institucione për të cilat ata janë të kualifikuar. Mendoj se nëse qëndrojmë në këtë mënyrë të organizimit të vendeve të punës, ajo periudhë vakuumi 5-vjeçare, që kërkohet për hyrjen më të madhe në një institucion, do t’i bëjë të rinjtë të ikin sërish jashtë vendit. Prioriteti im dhe i Qeverisë është që të mbahen të rinjtë këtu, sepse në fushën e kulturës po përballemi me një deficit të tmerrshëm të kuadrove profesionale”, theksoi ministrja.

    Draft teksti i Propozimit të Strategjisë Kombëtare për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, i cili është publikisht i disponueshëm në Regjistrin Kombëtar Elektronik të Rregulloreve të Maqedonisë së Veriut, është përgatitur nga një grup punues me përfaqësues nga: Ministria e Kulturës, institucionet publike në fusha e kulturës, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, shoqatat e qytetarëve nga fusha e kulturës dhe skena e pavarur kulturore, si dhe ekspertë nga fusha e kulturës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    BE NDAL IMPORTIN E VETURAVE TË VJETRA! RMV AKOMA PA NDALESË PËR EURO 4

    Lajmi i rradhës

    Dibra harmonizon disa projekte të arsimit me praktikat e BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë