BE, paketë e re sanksionesh kundër Rusisë

    Para dy vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, BE vendosi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Me masat e reja BE do të demonstrojë edhe njëherë se nuk do ta pranojë agresionin rus kundër një vendi të pavarur.

    Përfaqësues të 27 vendeve të BE kanë rënë në ujdi të mërkurën (21.02.) në Bruksel për një zgjerim të listës së sanksioneve kundër Rusisë me persona dhe institucione, pasuritë e të cilëve në BE do të ngrijnë. Përveç kësaj do të sanksionohen edhe kompani që ndikojnë në forcimin ushtarak e teknologjik të Rusisë apo zhvillimin e sektorit të mbrojtjes apo sigurisë ruse. Mallra apo teknologji të BE që mund të jenë të vlefshme ushtarakisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainësnuk duhet të shiten më tek ato kompani.

    Me këtë instrument, BE ka vendosur në shënjestër edhe kompani në Kinë apo Uzbekistan, Iran dhe Emiratet e Bashkuara që marrin pjesë në devijimin e sanksioneve të BE. Paketa e 13-të e masave është “paketa më e zgjeruar” e sanksioneve të BE, bëri të ditur presidenca belge në Bruksel, pas ujdisë së vendeve anëtare. Ky vendim vetëm do të formalizohet. Më pas lista me emrat e kompanitë e sanksionuara do të publikohet në fletoren zyrtare të BE deri në ditën e fillimit të luftës në Ukrainë, më 24 shkurt. Paketa e sanksioneve shihet më shumë si akt simbolik, sepse nuk përmban sanksione të reja ekonomike.

    Sipas një dokumenti të publikuar, BE do të ashpërsojë eksportet, dhe ndër të tjera do të ndalë tregtinë e kompanive europiane me ato firma kineze që furnizojnë Rusinë me mallra të përdorimit ushtarak. Masat e reja të sanksioneve drejtohen kundër gati 200 institucioneve dhe personave të veçantë. Me to nuk lejohet më tregtia dhe hyrja e tyre në territorin e BE. /DW/

    Lajmi Paraprak

    TikTok-u nën lupën e BE-së – Mbrojtja e të rinjve me mangësi

    Lajmi i rradhës

    Rriten rastet me skoliozë te fëmijët e moshës 10-17 vjeç, shkak qëndrimi në telefon apo çantat e shkollës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë