BE përfiton falas nga “truri i Kosovës”

    Edhe pse nga buxheti i shtetit të Kosovës ndahen mijëra euro për shkollimin e një nxënësi apo studenti, mijëra të arsimuar ikin çdo vit nga Kosova për të investuar dijen e tyre në një vend të huaj.

    Radio Evropa e Lirë qëndroi më 13 shtator pranë Ambasadës gjermane në Prishtinë, ku pa dhjetëra të rinj që kishin përgatitur dokumentacionin për aplikim për vizë pune në shtetin gjerman.

    Dy prej tyre, njëri 24 dhe tjetri 25 vjeç, thanë se kërkojnë “mundësi më të mira jetese”.

    Duke mos dashur të identifikohen, ata treguan se kanë përfunduar Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri dhe se janë aftësuar si instalues elektrikë.

    Të dy thanë se kanë gjetur mundësi punësimi në Gjermani, me profesionin e marrë në Kosovë.

    Gati 10.000 euro për shkollim

    Shkollimi fillor, i mesëm dhe universitar në institucionet publike të Kosovës është falas për çdo qytetar të vendit.

    Një hulumtim që ka kryer më herët organizata joqeveritare në Kosovë “Demokracia Plus”, i titulluar “Kostoja e emigrimit të të rinjve”, ka gjetur se për shkollimin e një personi, nga niveli fillor deri në atë universitar, shteti i Kosovës ndan minimum 9.700 euro.

    Në këtë shumë përfshihen disa pagesa, nisur nga shujtat ditore për nxënës të klasës së parë deri në të pestën, librat për nxënës të shkollave fillore e deri te taksat e ndryshme për studentë.

    Po ashtu, me Ligjin për financa publike, komunave të Kosovës çdo vit u ndahen mjete nga buxheti, që përdoren vetëm për arsim. Për vitin 2023, ky grant është planifikuar të jetë 200 milionë euro.

    Lirim Krasniqi, nga organizata Germin, e cila merret me çështje të diasporës, thotë se njerëzit që emigrojnë nga Kosova në mënyrë të rregullt, “marrin me vete edhe koston financiare të shkollimit të tyre”.

    “Vendet e Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermania, ku kryesisht emigrojnë qytetarët e Kosovës, përfitojnë më së shumti. Ato marrin një fuqi punëtore të kualifikuar ose relativisht të kualifikuar – në një lloj mënyre falas”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

    Hulumtimi i organizatës “Demokracia Plus” ka gjetur, po ashtu, se emigrimi i popullsisë i kushton Kosovës edhe me zvogëlim të bruto prodhimit të brendshëm.

    “Çdo individ i aftë për punë, që emigron nga Kosova, merr me vete mesatarisht rreth 17 mijë euro në vit” që do të mund të gjeneroheshin nga “punësimi i tyre produktiv”, thuhet në hulumtim.

    Kjo shumë u referohet taksave në të ardhura që ata do të paguanin, taksave në vlerën e shtuar, kontributeve për sigurime sociale e të tjera.

    Kush, ku dhe pse po largohet?

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42.000 banorë.

    Emigrimi i rregullt, sipas ASK-së, është bërë për disa arsye: bashkim familjar, martesë, gjetje e një vendi të punës, studime afatgjata e të tjera.

    Po sipas ASK-së, në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

    Destinacionet më të synuara të kosovarëve janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-ja, Turqia dhe Kanadaja.

    Ambasada gjermane në Prishtinë, në një deklaratë për REL-in në muajin mars, ka bërë të ditur se brenda vitit lëshon 5.500 viza pune për aplikimet që bëhen nga qytetarët e Kosovës.

    Një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, i titulluar “Profili i zgjeruar i migrimit 2013-2017”, ka nxjerrë në pah se, pas vitit 2011 e këndej, nga Kosova janë larguar kryesisht të rinj të grup-moshave 25-44 vjeç dhe me shkollim të avancuar.

    “Ikje për një të ardhme më të sigurt”

    Ilir Vitija, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga kontaktet që kjo organizatë ka me të rinj, del se ata ikin për shkak të mungesës së perspektivës, shkollimit cilësor, vendeve të punës në profesionin që kanë studiuar e të tjera.

    “Me lehtësi po gjejnë punë jashtë Kosovës”, thotë ai për emigrantët e rregullt. “Kanë një të ardhme më të sigurt”, sipas tij.

    Kjo organizatë ka po ashtu një platformë, ku të rinjtë mund të shprehin mendimet apo shqetësimet e tyre.

    “Mund të them se secili prej nesh, të paktën një herë, ka menduar ta lëshojë Kosovën. E shumë prej nesh e kemi si opsion të parë këtë zgjedhje”, shkruan një përdorues i kësaj platforme.

    Ikja e popullatës vë në rrezik tregun e punës

    Përfaqësues të shoqatave ekonomike thonë se ikja e popullatës nga Kosova vë në rrezik tregun e punës.

    “Kuadrot tona është duke na i marrë tregu evropian. Nëse vazhdon kështu, Kosova rrezikon të mbetet pa ekspertë të fushave të ndryshme, e pa punëtorë fizikë. Kompanitë nuk mund të zhvillohen pa fuqi punëtore dhe profesionale”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

    Sipas tij, dy sektorë që aktualisht përballen me mungesë të madhe punëtorësh, janë: gastronomia dhe ndërtimtaria.

    Cila mund të jetë zgjidhja?

    Nga Qeveria e Kosovës thonë për REL-in se këtë vit shkollor ka nisur mësimi dual, që mund të inkurajojë më shumë të rinj të shohin të ardhmen e tyre në Kosovë.

    Mësimi dual është një sistem, sipas të cilit, aftësimi në një kompani të caktuar kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.

    Mësimi fillimisht ka nisur në një shkollë profesionale në Prishtinë me nxënës të pesë klasave të dhjeta – në drejtimet: floktari, kuzhinier/e, asistent/e i/e mikpritjes hoteliere dhe murator/e.

    Këto profile thuhet se u përgjigjen edhe kërkesave të tregut.

    Në një fjalim të mëhershëm në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, po përpiqet të rrisë besueshmërinë në institucione.

    “Mungesa e punësimit dhe sidomos e punësimit në profesionin e caktuar të të riut ka ndikuar që ata të emigrojnë nga vendi ynë”, ka thënë Kurti.

    Gjendja në shifra

    Sipas të dhënave të ASK-së, papunësia në Kosovë, vitin e kaluar, është sjellë mes 20.5 për qind dhe 25.8 për qind.

    Shkalla e papunësisë te të rinjtë – grup mosha 15-24 vjeç – është afro 40 për qind.

    Paga mesatare bruto në vitin 2021 ka qenë 484 euro.

    Norma e inflacionit, sipas ASK-së, ka arritur në 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021.

    Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri. /REL/

    Lajmi Paraprak

    196 fëmijë nga Kumanova nuk mund të përfshihen në sistemin parashkollorë

    Lajmi i rradhës

    Thëniet më të bukura nga Milan Kundera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë