Beteja për Tajvanin zhvendoset në Europë

     Pierre Haski

    Dy ministra të jashtëm, rivalë midis tyre, po zhvillojnë këtë javë ture takimesh nëpër Evropë: njëri vjen nga Pekini, dhe tjetri nga Tajpei. Është një situatë e paprecedentë, e cilatregon shkallën në të cilën çështja e Tajvanit, është bërë kudo një çështje diplomatike e dorëssë parë.

    Ministri kinez Uang Ji vizitoi Athinën, vend ku Kina bleu portin e Pireut dhe më pas Beogradin, kryeqytetin e një vendi kyç në projektin e investimeve kineze në Evropë, dhe ku qeveria serbe krenohet për ekzistencën e “një miqësie të hekurt” me Kinën.

    Ji do të përfaqësojë udhëheqësin kinez Xi Jinping në samitin e vendeve të G20–ës, të planifikuar për në Romë gjatë kësaj fundjave. Më pak e zakonshme është vizita e kreut të diplomacisë tajvaneze, Xhozef Vu, në Republikën Çeke dhe Sllovaki, dhe përpara një pranie të cilësuar si “jozyrtare” në Bruksel.

    Turi diplomati i Vu, është pjesë e ofensivës tajvaneze për të “ekzistuar” në skenën ndërkombëtare, pavarësisht mungesës së njohjes zyrtare. Njëkohësisht, një delegacion ekonomik tajvanez ndodhet në Lituani. Këto ture nuk janë aspak rastësore.

    Në fakt, Tajvani ndodhet në qendër të Luftës së Ftohtë të re Kinë–SHBA. Pekini ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të parandaluar, ose të paktën për të frenuar përafrimin e Evropës me pozicionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës.

    Më 26 tetor, Xi Jinping i deklaroi gjatë një bisede telefonike presidentit francez EmanuelMakron, se do të donte të favorizonte rrugën evropiane drejt autonomisë strategjike (natyrisht në lidhje me Shtetet e Bashkuara).

    Nga ana e tij Tajvani, dëshiron që të kundërpërgjigjet ndaj përpjekjeve të Kinës për të margjinalizuar ishullin nga çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare. Çdo kontakt, qoftë edhe më i vogli, është një lajm i mirë, siç është vizita e fundit e senatorëve francezë në Taipei, ku ata u pritën nga presidenti Tsai Ing–Uen, duke ngjallur zemërimin e Pekinit.

    Në fakt, Evropa është e ndarë midis një grupi vendesh miq të Pekinit dhe përfituesve të investimeve të Rrugës së re të Mëndafshit, dhe një grupimi tjetër që e kritikon ashpër Kinën dhe regjimin e saj, dhe së fundi një grupimi të tretë vendesh, si Franca apo Gjermania, të cilat kërkojnë një “rrugë të tretë”, as të përafruar me pozicionet e Uashingtonit, dhe as shumë dashamirëse ndaj Pekinit.

    Opsioni i fundit, është gjithnjë e më i vështirë për t’u ndjekur. Në lidhje me çështjen e Tajvanit, ne jemi dëshmitarë të një radikalizimi progresiv të pozicioneve që kanë marrë palët. Presidenti i SHBA-së Xho Bajden ka deklaruar publikisht se vendi i tij do ta mbronte Tajvanin në rastin e një agresionit kinez.

    Ndërkohë, presidenti tajvanez konfirmoi për CNN praninë e ushtarëve amerikanë në ishull për të trajnuar trupat lokale, dhe tha se ishte i sigurt për mbështetjen e domosdoshme nga Uashingtoni. Zhdukja e paqartësisë strategjike të Uashingtonit dhe aktivizmi diplomatik i Tajvanit, kanë efektin e një “flamuri të kuq” që valëvitet para syve të Kinës.

    Presidenti kinës Xi Jingping ka deklaruar se pushtimi i Tajvanit është një qëllim, që nuk mund të vazhdojë të shtyhet më “nga brezi në brez”. Për këtë arsye, Pekini kërcënon këdo që guxon të shkojë shumë larg, siç është Lituania e vogël, që ka pësuar goditjet e Kinës së fuqishme, për shkak të zhvillimit të një lidhjeje të ngushtë me Tajvanin. Dhe ky është vetëm fillimi. Përplasja ekzistenciale, rrezikon seriozisht të lëkundë marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë viteve të ardhshme. / “Francë Inter” Bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Pesë shtetet që dhanë më shumë leje qëndrimi për shqiptarët në vitin 2020

    Lajmi i rradhës

    Sa zgjat helmimi nga ushqimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë