Biden thotë se sulmi rus ndaj Ukrainës është ende i mundshëm

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se një sulm rus ndaj Ukrainës ende “është shumë i mundshëm”, por përpjekjet diplomatike të nivelit të lartë do të vazhdojnë, me qëllim që të zgjidhet kriza pas grumbullimit ushtarak rus.

    “Ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në mënyrë të vendosur ndaj një sulmi rus në Ukrainë, që vazhdon të jetë një mundësi”, tha Biden.

    Gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë të martën, Biden tha se raportimet se Rusia ka tërhequr disa forca nga kufiri me Ukrainën, ende nuk janë verifikuar nga Uashingtoni.

    “Për qytetarët e Rusisë: ju nuk jeni armiku ynë, dhe unë nuk besoj se ju doni një luftë të përgjakshme, shkatërruese ndaj Ukrainës”, tha ai.

    Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara “nuk duan konfrontim direkt me Rusinë”, por ai shtoi se nëse Rusia sulmon amerikanët në Ukrainë, “ne do të përgjigjemi me forcë”.

    Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s janë të përgatitur çfarëdo që do të ndodhë dhe paralajmëroi se Rusia do të paguante një çmim të lartë ekonomik, nëse nis pushtimin e Ukrainës.

    Rusia ka raportuar se ka tërhequr disa trupa nga kufiri me Ukrainën, pasi kanë kryer stërvitjet ushtarake. Ministria e Mbrojtjes raportoi se disa forca janë kthyer në bazat e tyre.

    Më herët gjatë të martës, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia është e gatshme për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për transparencën ushtarake, kufizimet mbi dislokimet e raketave dhe për çështje të tjera të sigurisë.

    Por, Biden u shpreh skeptikë ndaj qëllimeve të Rusisë. Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Rusia e pushton Ukrainën, SHBA-ja “do ta mbledhë botën për ta kundërshtuar agresionin” rus.

    Ndërkaq, sa i përket kërkesave të sigurisë së Rusisë, Biden tha se ka mënyra për t’i adresuar ato së bashku me shqetësimet e sigurisë së SHBA-së dhe NATO-s.

    Biden tha se numri i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën është 150,000. Më herët, Uashingtoni kishte thënë se kjo shifër ishte 130,000 dhe ka thënë se mund të jetë sinjal se Moska po përgatitet për ta pushtuar Ukrainën.

    Rusia mohon se ka plane të tilla.

    Pas njoftimit nga pala ruse ka tërhequr disa trupa nga kufiri, zyrtarët perëndimorë thanë se kjo jep shpresë që kriza të zgjidhet në mënyrë diplomatike.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ende nuk ka parë sinjale në terren që mbështesin pretendimin rus, edhe pse tha se ka indikacione nga Moska se ka vullnet për të vazhduar dialogun dhe ka krijuar hapësirë për shpresë se kjo krizë mund të shmanget.

    “Ka sinjale nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë. Kjo na jep hapësirë për optimizëm të matur. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë të shtensionimit të situatës në terren nga pala ruse”, tha Stoltenberg më 15 shkurt. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Mërzia është një nga torturat më të rënda”

    Lajmi i rradhës

    Pagën minimale s’e luan as rritja e çmimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë