Bisedimet Shkup – Sofje nën llupën e Amerikës!

    SHBA-të pritet të jenë shumë aktive në bisedimet për mënyrën e saktë të zbatimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes pasi Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në një seancë dëgjimore për të ardhmen e Evropës në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, tha se Maqedonia e Veriut vuan për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, që është një nga problemet për anëtarësim në BE dhe ndikon vazhdimisht në ndryshim të kushteve.

    Ai u pyet nga senatori demokrat nga New Hampshire, Jeanne Shaheen, se çfarë mund të bëjë më shumë SHBA për të inkurajuar evropianët që të përmbushin premtimet e tyre ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë reformat e kërkuara, pa ndryshuar rregullat ose kushtet për lëvizjen e tyre në BE, rasti me Maqedoninë e Veriut.

    “Çështja kryesore është marrëveshja që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë dhe sapo Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme, do të duhet të bisedohet për mënyrën e saktë të zbatimit të saj. Pra, kjo do të jetë një fushë ku unë pres që ne të jemi gjithashtu shumë aktivë”, u përgjigj O’Brien.

    Bullgaria thotë se nuk ka ndërmend të vendosë kushte të reja në rrugën drejt BE-së, por se nuk do të lejojë devijime nga marrëveshjet e arritura, e para prej të cilave është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë.

    Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, tha se nuk do të negociojë me diktat dhe ultimatume dhe se Bullgaria duhet të respektojë të drejtat e komunitetit maqedonas, për shkeljen e të cilave ka 14 aktgjykime nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. SHBA po punon për të ruajtur marrëveshjen me Greqinë, tha O’Brien.

    “Një pjesë e punës sonë diplomatike është t’i hapim rrugën atij për të ruajtur marrëveshjen që ka me Greqinë dhe mendoj se takimi juaj dhe të tjerët kanë ndihmuar që Greqia të mos bëhet mike në rrugën e Maqedonisë së Veriut përpara, dhe jo kritike. E njëjta gjë me Shqipërinë”, tha ai.

    Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova thanë se emrin kushtetues të shtetit do ta përdorin në kontekst zyrtar, por emrin Maqedoni do ta përdorin në deklarata dhe si akt të së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim.

    Kryeministri grek Kyriakos Micotakis, gjatë Samitit të NATO-s në Uashington në fillim të këtij muaji, tha se një nga aspektet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Prespës është që emri Maqedonia e Veriut të përdoret erga omnes, që do të thotë brenda dhe jashtë vendit. Ai tha se në këtë moment Greqia “nuk do të zbulojë armët që ka në dispozicion për t’iu përgjigjur taktikave të udhëheqjes së vendit fqinj”. Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, tha se marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë nuk do të rinegociohen.

    “Ato marrëveshje janë bërë. Asnjë rinegocim i Prespës, asnjë rinegocim i progresit drejt BE-së. Kjo është shumë e qartë”, tha ambasadorja amerikane Angela Ageler në një intervistë për Radion Evropa e Lirë muajin e kaluar.

    Ndryshe, zgjedhjet e qershorit në Bullgari deri më tani nuk kanë rezultuar me formimin e qeverisë dhe autoritetet e Shkupit ende nuk kanë një bashkëbisedues “të rregullt” në Sofje, me të cilin do të fillonin një dialog për të çuar përpara procesin. Pavarësisht nëse funksionon një qeveri zyrtare apo e rregullt, të njëjtat mesazhe vijnë nga Sofja: se pala bullgare nuk ka ndërmend të vendosë “kushte të reja” për Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu nuk do të lejojë asnjë devijim nga marrëveshjet e arritura deri më tani. e para prej të cilave është hyrja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV.

    Pak ditë më parë, kryeministri i qeverisë zyrtare dhe u.d Ministri i Punëve të Jashtme, Dimitar Glavçev, theksoi se Sofja vazhdon përkushtimin e saj për integrimet evropiane në Ballkanin Perëndimor bazuar në meritat e veta, por edhe insiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve bullgarë jashtë vendit. “Në këtë kontekst, garantimi i të drejtave të bullgarëve në RMV është me rëndësi parësore për ne”, tha Gllavçev. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “TVSh-ja ime” / Qytetarët ende nuk i kanë marrë paratë

    Lajmi i rradhës

    TATIME TË REJA! | Të hyra plus në arkën e shtetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë