Bislimovski: Çmimi i rrymës nuk do të ndryshojë deri në fund të vitit

    Njeriu i parë i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat, tha se çmimi i rrymës nuk do të ndryshojë deri në Vitin e Ri. Sipas tij, për të mbajtur çmimin brenda kufijve aktualë, do të duhet të mos kemi nevojë për import shtesë të energjisë elektrike, përcjell Nistori.

    “Që nga viti 2019 Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) nuk e përcakton çmimin e EMV-së, por EMV-ja vetë me vendim të Qeverisë e përcakton çmimin me të cilin paraqitet në tenderin e EVN Home, kështu që mendoj se është herët të flitet për ndonjë ndryshimet në çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar. Për të përmbushur kushtin, që të mos ketë rritje të energjisë elektrike, duhet të mos kemi nevojë të importojmë energji elektrike. Tani për tani, deri më 31 dhjetor nuk do të ketë ndryshim të çmimit për tregun e rregulluar”, tha Bislimovski.

    Këshilltari i kryeministrit për energjetikë, Viktor Andonov, duke folur për negociatat për import të mundshëm të energjisë elektrike nga Bullgaria, tha se sipas ligjeve bullgare për energji, çdo ndryshim në vendime duhet të kalojë në parlament, dhe aktualisht Bullgaria nuk ka parlament. Siç thotë ai, megjithëse çmimet e bursave bullgare janë afër atyre hungareze, janë të mundshme edhe marrëveshje dypalëshe.

    “Për momentin Bullgaria nuk ka Parlament…, sipas ligjit të tyre për energji, prodhuesit janë të detyruar, ata që kanë më shumë se 500 kilovat, të ofrojnë energjinë e tyre në bursë. Në fund të muajit vendoset çmim. Muajt e fundit ka qenë afër Hupex-it hungarez, madje disi më poshtë. Këto janë rregullat, por në përgjithësi mund të bëhen përjashtime. Aktualisht jemi duke punuar në këtë”, tha Andonov.

    Ndryshe, Lidhja e Odave Ekonomike (LOE) kërkon heqjen e TVSH-së për pajisjet e nevojshme për instalimin e sistemeve fotovoltaike. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i LOE-së, Orce Simov në paraqitjen e tij në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat. Siç shtoi ai, njëra prej kërkesave i është drejtuar Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe ka të bëjë me thjeshtësimin e procedurave në drejtim të pakësimit të dokumentacionit të nevojshëm.

    “Të thjeshtësohen procedurat për fotovoltaikët, si për familjet ashtu edhe për kompanitë. Të hiqen dokumentet dhe procedurat e panevojshme, në mënyrë që të mund të zbatohet shpejt. Kërkojmë gjithashtu që të hiqet TVSH-ja për pajisjet e nevojshme për sistemet fotovoltaike”, tha Simov. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon konfrontimi për regjistrimin e popullsisë në RMV

    Lajmi i rradhës

    E pranon edhe Rustemi: Autostrada Tetovë – Gostivar nuk i plotëson kushtet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë