Bizneset familjare mbajnë gjallë Dibrën

    Një pjesë e bizneseve në Komunën e Dibrës janë biznese familjare. Kjo është një dukuri që jep shpresë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe, sadopak, ndikon në uljen e numrit të të rinjve që e braktisin Dibrën. Në dy dekadat e fundit ka filluar të zhvillohet më shumë biznesi familjar, sidomos në sferën e ndërtimtarisë, tregtisë, hotelerisë dhe gastronomisë, pastaj në mobileri, blegtori etj. Gëzon fakti se nga viti në vit bizneset familjare bëhen më të fuqishme dhe rrisin numrin e të punësuarve. Kjo ndodh në një kohë kur, pas paraqitjes së pluralizmit, në qytet u mbyllën fabrikat dhe punësimet realizoheshin kryesisht në sektorin e administratës. Megjithatë, mbetet fakti se funksionimi i bizneseve familjare deri tani, në shumicën e rasteve, ka qenë pa ndonjë strukturë të mirëfilltë organizative dhe vendimmarrëse.

    Ka raste kur tani me bizneset merren gjenerata e dytë dhe e tretë. Shumica e vendimeve janë marrë nga themeluesi, që shpeshherë ka qenë prindi, e në disa raste edhe vëllai i madh. Familjarët e tjerë kanë ushtruar funksione të ndryshme në kompani dhe kanë kontribuar në mënyra të ndryshme.

    Suksese të mëdha bizneset familjare kanë arritur sidomos në sferën e ndërtimtarisë. Disa familje dibrane me traditë biznesi tashmë kanë themeluar kompani serioze dhe ndërtojnë objekte banimi me cilësi të lartë. Janë familje të njohura dibrane që kanë arritur suksese në ndërtimin e ndërtesave kolektive dhe individuale. Ato kontribuojnë shumë edhe në sferën e punësimit. N.B. është një dibran i ri që punon në një nga kompanitë e ndërtimit. Ai thotë se është shumë i kënaqur me pagën dhe se punësimi i tij ka ndodhur pas katër vitesh pritjeje për punë, edhe pse kishte përfunduar një shkollë të mesme profesionale. Në fund, ai u punësua nga familjari i tij, respektivisht pronari i biznesit. Në bisedat që kemi zhvilluar me disa nga pronarët e kompanive, ata theksojnë se bizneset private janë shumë efektive.

    Suksese të mëdha, kur bëhet fjalë për bizneset private në Dibër, janë arritur edhe në sferën e tregtisë. Tashmë me shumë sukses funksionojnë kompanitë tregtare, si dhe ato të mobilerisë. Ka raste kur para disa dekadash kanë punuar si zdrukthëtarë në punëtoritë e tyre, ndërsa sot kanë fabrika. Pronarët informojnë se mobilet e prodhuara në Dibër sot shiten edhe në disa shtete të Evropës. Në të dy sektorët, respektivisht në tregti dhe mobileri, janë të punësuar shumë dibranë, gjë që tregon qartë se bizneset familjare ndihmojnë edhe në punësimin e gjeneratave të reja. Biseduam me A.R. dhe M.R. nga Dibra, të cilët punojnë në një kompani të mobilerisë. Ata thonë se janë shumë të kënaqur me punën dhe se punojnë tek familjari i tyre. Në komunën e Dibrës lulëzojnë edhe bizneset familjare në hoteleri dhe gastronomi. Hapja e restoranteve dhe kafiterive nga familje dibrane ka mundësuar punësimin e një numri të madh dibranësh, kryesisht familjarë të tyre, por jo vetëm.

    Duke marrë parasysh rrethanat ekonomike, në bizneset familjare ka raste kur të rinj të papunësuar prej vitesh punësohen në bizneset që kanë familjarët e tyre. B.T. tregon se ka përfunduar studimet në Drejtësi, ka kërkuar punë për gjashtë vite dhe tani punon në administrimin e kompanisë së xhaxhait të tij. Deri tani, bizneset familjare funksionojnë me shumë sukses dhe, faktikisht, kontribuojnë dukshëm në hapjen e vendeve të punës, zhvillimin ekonomik të familjeve dhe, normalisht, edhe të komunës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush fiton dhe kush humbet nga ndryshimi i tarifave! 

    Lajmi i rradhës

    Rreziku për paraqitjen dhe përhapjen e hantavirusit në RMV është i ulët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë