Borell në Shkup: miratoni ndryshimet kushtetuese, mos bëni ndarje për BE-në

    Ndryshime kushtetuese dhe reforma për të vazhduar rrugën drejt BE-së, porositi Borell.

    Nuk duhet të ketë ndarje politike për çështjet e Bashkimit Evropian. Nëse doni të shkoni në rrugën e BE-së, atëherë duhet të përfundoni procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të vazhdoni përpara për reformat kryesore. Është për të gjithë qytetarët, nuk është diçka nga e cila do të përfitojë një parti politike, por për të gjithë popullin, për Maqedoninë e Veriut si shtet, theksoi mbrëmë nënkryetari i KE-së dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Zhozep Borell në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, përcjell Nistori.

    Vazhdimi në rrugën evropiane, thekson ai, është diçka që duhet të jetë para dhe mbi trazirat partiake. Ai e vlerësoi pozitivisht miratimin e Rregullores së re të punës me, siç tha, mbështetje ndërpartiake.

    “Shpresoj se do të pasojnë hapa të mëtejshëm pozitivë për këtë Kuvend bazuar në Rregulloren e re dhe për Kuvendin e ardhshëm, pas zgjedhjeve, kurdo që  të mbahen ato”, tha ai.

    Duke theksuar se procesi i skriningut do të përfundojë së shpejti, ai përgëzoi të gjithë administratën, duke theksuar se ky është një investim dhe aksion në vendin tonë.

    Nënkryetari i KE-së  tha gjithashtu se përpjekjet për reforma të vendit janë diçka që vlerësohet shumë në Bruksel.

    Borell shfaqi shpresë se Maqedonia e Veriut do të shfrytëzojë mundësinë që ofron plani i ri për Ballkanin Perëndimor për të stimuluar rritjen ekonomike, rritjen e numrit të vendeve të punës dhe standardit të jetesës përmes qasjes në një pjesë të Tregut të Vetëm Evropian para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Borell: Lavrov në Shkup do të dëgjojë drejtpërdrejt pse Rusia është dënuar dhe izoluar

    Borell, tha se takimi ministror i OSBE-së në Shkup do të jetë një mundësi e mirë për ninistrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov,  të dëgjojë drejtpërdrejt nga pjesëmarrësit pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar, dhe më pas ai do të jetë në gjendje të kthehet në Kremlin dhe të përcjellë se BE-ja dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë.

    Nënkryetari i KE-së dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë tha se OSBE-ja, përkundër të gjitha vështirësive dhe kohëve të vështira në të cilat jetojmë, është një partner i rëndësishëm dhe për shkak se jetojmë në kohë të tilla, ajo bëhet një partner, organizatë dhe forum edhe më i rëndësishëm shkëmbimi për Bashkimin Evropian.

    Nga ana tjetër, theksoi ai, është thelbësore që në takimin ministror të sigurohet që OSBE-ja të ketë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për të funksionuar efektivisht.

    Ne nuk duam të humbasim aftësinë e punës së OSBE-së dhe duam t’ju përgëzojmë ju, Maqedonia e Veriut, për punën që keni bërë në këto kohë të vështira. Me të vërtetë keni bërë një punë të mirë dhe meritoni të falënderoheni”, tha Borell.

    Borell theksoi gjithashtu se BE-ja mbështet Ukrainën, e cila po lufton për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj, por, siç tha ai, po lufton për paqen dhe stabilitetin në Evropë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    BORXHI PUBLIK RRITET | Alarm për shtrëngim të rripit

    Lajmi i rradhës

    “‘PATRIOTËT’ PARAZGJEDHORË NË RMV!”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë