BORXHI PUBLIK RRITET | Alarm për shtrëngim të rripit

    Në tre katër vitet e fundit është rritur dukshëm borxhi publik në Maqedoninë e Veriut si rrjedhojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Apo ai 49.1 për qind në vitin 2019 në 59.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2022, për tu stabilizuar në 55.8 për qind në fund të shtatorit 2023, që është afër 8 miliardë euro. Mirëpo me huadhëniet e paralajmëruara, niveli i tij pritet sërish të rritet në periudhën e ardhshme. Shteti në vitin e ardhshëm planifikon të marrë 1.2 miliardë euro të tjera hua. Me paratë nga kreditë e reja do të kthehen borxhet e vjetra dhe do të mbulohet deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm i parashikuar në 545 milionë euro, parashikohet me buxhetin e vitit 2024 që peshon 5.4 miliardë euro.

    Ekspertët thonë se shteti duhet të bëjë kujdes me këtë nivel të rritjes së borxhit publik. Borxhi publik përbëhet nga paratë që i detyrohen shtetit, ndërmarrjeve publike, komunave, ndërmarrjeve shtetërore, Bankës Popullore. Vendet me një borxh publik deri në 60 për qind të PBB-së janë mesatarisht me borxhe, bazuar në kriteret e Bankës Botërore. Kur tejkalohet ky prag, vendi bie në kategorinë me borxhe të larta. Në një situatë kur borxhi publik po rritet dhe po i afrohet 60 për qind të BPV-së, profesori universitar Zoran Ivanovski vlerëson se shteti tashmë po i shteron mundësitë për huamarrje shtesë dhe rritje të mëtutjeshme të borxhit publik. “Sa i përket huamarrjes, është fakt që shteti duhet të sigurojë fonde për financimin e shpenzimeve publike të planifikuara, përfshirë edhe mbulimin e shlyerjes së borxhit. Sigurisht që shteti e bën në mënyrën më të lehtë nëpërmjet huamarrjes. Besoj se duhet të mendojmë më seriozisht për alternativat tjera në fushën e strategjisë së konsolidimit fiskal”, thotë Ivanovski. Alternativa për shtetin, sipas tij ndoshta duhet të jetë tjetërsimi apo shitja e tokave, objekteve apo kompanive më pak të dobishme, sepse po vendoset në pikë pyetje afatgjate edhe qëndrueshmëria fiskale e borxhit publik.

    Njohësit e financave në vend vlerësojnë se në këtë borxh prej 8 miliardë euro, duhet shtuar edhe borxhet e fshehta të ndërmarrjeve publike dhe enteve shëndetësore që vlerësohen në qindra miliona euro apo së paku 500 milion euro shtesë , që edhe më tej rëndon borxhin publik dhe paraqet rrezik për qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe stabilitetit e ekonomisë.

    Qeveria e ardhshme duhet të jetë më e kujdesshme, dhe të ulë ndjeshëm shpenzimet që nuk janë produktive dhe nga ana tjetër të sigurojë të ardhura me aq sa shpenzon, thotë eksperti Pavle Gaçov

    Nga ekzekutivi thonë se gjendja me borxhin publik është stabile, përderisa ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se shteti ka plan për zvogëlimin e borxhit.

    “Ruajtja e borxhit publik në nivel stabil dhe në kuadër të kornizave të kritereve të Mastrihtit, si dhe sipas rregullave të reja fiskale të Ligjit të Buxhetit është dhe mbetet përcaktimi ynë themelor sa i përket menaxhimit të borxhit publik. Treguesi më i mirë janë të dhënat që Ministria e Financave i publikon me dinamikën e përcaktuar dhe të dhënat që tregojnë uljen e nivelit të borxhit publik nga 59.7% e PBB-së në vitin 2020 në 55.8% në fund të tremujorit të tretë të këtij viti”, thekson ministri i Financave, Fatmir Besimi. Ai shton se është e rëndësishme që e gjithë kjo u realizua në rrethana kur kishim nevojë për më shumë përkrahje fiskale për t’u ballafaquar me krizën e Kovidit, më pas me atë energjetike dhe të çmimeve, për të vilat u ndanë 2 miliardë euro, njëkohësisht u servisuan të gjitha detyrimet duke përfshirë edhe huamarrjet e vjetra. Në këtë mënyrë, krahas detyrimeve të tjera u paguan edhe euro obligavionet në vlerë prej 1.220 miliardë eurove.

    Njëherësh në tremujorin e tretë të vitit 2023 është kryer pagesa e euro bondit të emetuar në vitin 2016 në vlerë prej 450 milionë eurove, përkatësisht janë paguar detyrimet në bazë të borxhit të jashtëm në vlerë prej rreth 540 milionë eurove.

    “Si Qeveri dhe Ministri, mbetemi të përkushtuar për menaxhimin prudent apo me kujdes të borxhit publik dhe ruajtjen e tij në nivel të qëndrueshëm. Për ruajtjen e këtij përkushtimi dhe për vazhdimin e trendit të uljes së borxhit, po zbatohet Plani i konsolidimit gradual fiskal dhe i sigurimit të mjeteve në buxhet vetëm për projektet zhvillimore dhe shlyerjen e borxheve të vjetra me kosto sa më të ulët”, përfundon Besimi.

    Ndryshe, Sipas Bankës botërore Maqedonia do ta mbyllë vitin me rritjen ekonomike më të ulët në rajon, me 1,8 për qind. Edhe në dy vitet e ardhshme vendi nuk do të jetë në gjendje të zbusë borxhin publik dhe rritja e tij ekonomike do të jetë gjithashtu modeste. Inflacioni do të ulet me 9.1 për qind , por jo dukshëm këtë vit, siç priste qeveria. Ky është projeksioni i Bankës Botërore për treguesit ekonomikë në vend i publikuar në Raportin e ri Ekonomik. Sipas Bankës, borxhi publik aktualisht është 59.1 për qind, deri në fund të vitit do të rritet në 60.2 për qind të PBB-së. Borxhi pritet të rritet në dy vitet e ardhshme dhe në vitin 2025 të arrijë në 62.2 për qind.

    Banka Botërore, në raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor që e publikoi këtë vjeshtë, thekson se borxhi publik i Maqedonisë së Veriut vazhdon të rritet. Obligimet e prapambetura mbeten mbi tre për qind të PBB-së, kryesisht për shkak të mos pagesës nga ndërmarrjet shtetërore, sektori shëndetësor dhe pushteti vendor.

    Banka Botërore thekson gjithashtu se financat publike janë të mbingarkuara për shkak të rritjes së kostove të huamarrjes dhe se konsolidimi fiskal duhet të jetë prioritet për shtetin, sipas detyrimeve të reja për konsumin e pagave dhe investimet publike. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Të painformuar për ndihmën falas juridike

    Lajmi i rradhës

    Borell në Shkup: miratoni ndryshimet kushtetuese, mos bëni ndarje për BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë