BORXH TË RI PËR BORXHET E VJETRA!

    Pas emetimit të eurobligacionit në vlerë prej 700 milionë euro dhe me normën më të ulët të interesit historikisht prej 1.625 për qind në mars të vitit 2021, Maqedonia e Veriut sërish do të hyjë në borxh të ri përmes eurobondit në vlerë prej 800 milionë euro, me një afat të kthimit prej dhjetë vitesh. Edhe këto të holla, kërkesa e të cilave është shpallur edhe në gazetën zyrtare do të shfrytëzohen mbi gjysma për kthimin e borxheve të vjetra, ngjashëm me trendin e para dy viteve kur eurobondi 2021 u përdor për të rifinancuar euro obligacionin apo euro bondin e tretë nga 2014 në shumën 500 milionë euro.

    Në fillim të muajit shkurt kjo kërkesë për borxhe të reja është prezantuar edhe para investitorëve potencial. Në ndërkohë, në vitet e kaluara shteti po ballafaqohet me kërkesa të mëdha për financime të reja si rrjedhojë e krizës shëndetësore dhe krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia që ka rritur koston e krizës ekonomike. Gjithashtu faturat në rritje për shtetin për krizën energjetike, si dhe pasojat e luftës në Ukrainë me shtrenjtim të madh të energjenseve, ushqimeve dhe rritje të inflacionit, kanë vendosur telashe të reja për të zgjidhur para arkës së shtetit.

    Përskaj angazhimit për konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme, pas tejkalimit gradual të krizës dhe rimëkëmbjes së ekonomisë, pritet që pjesërisht paratë e huazuara të drejtohen edhe në fushat prioritare për rritje dhe zhvillim ekonomik, me çka do të gjenerohen efekte pozitive multiplikative në ekonominë vendore. Nga ana tjetër, Eurobondi prej 800 deri 900 milionë euro përflitej edhe në vitin 2022, mirëpo kërkesat e buxhetit u plotësuan me huazime të tjera, për shkak të zhvillimeve jo të volitshme në tregjet financiare ndërkombëtare, apo kamatave të larta.

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se vitin e kaluar me qëllim të përballjes së goditjeve si rezultat i krizës energjetike dhe krizës së çmimeve, shteti duhej të siguronte 300 milionë euro. Për atë qëllim, u kërkuan mjete financiare nga FMN-ja përmes programit PLL dhe instrumenteve të tjera që ishin me kushte më të favorshme sesa emetimi i euroobligacionit. Njëherësh po ndiqen me kujdes edhe zhvillimet në tregjet e kapitalit. Në vitin në vijim, duhet të sigurojmë mjete financiare në vlerë prej 800 milionë eurove si financim i jashtëm, prej të cilave 450 milionë euro për shlyerjen e euroobligacionit, që maturon në muajin korrik të vitit 2023, thekson Besimi.

    Këto ditë vendi Bashkimi Evropian lajmëroi se do t’i akordojë 100 milionë euro Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u ballafaquar me pasojat e krizës energjetike. Komisioni Evropian dha propozimin për sigurimin e këtyre mjeteve për vendin përmes pakos së përkrahjes makro financiare të vendosur gjatë krizës së kovidit. Mjete shtesë në arkën e shtetit pritet të shqyrtohen edhe nga ndihma mundshme makrofinanciare nga BE-ja, përskaj përkrahjes nga Banka Botërore përmes programeve të politikave të zhvillimit.

    Në vitin e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi për Maqedoninë, 530 milionë euro përmes Instrumentit për maturi dhe likuiditet, nga të cilat 110 milionë u transferuan në vend menjëherë. Më pas u siguruan 250 milionë euro nga obligacioni gjerman për të shlyer edhe borxhet e të vjetra. Borxhi i ri i referohet të emetimit të letrave me vlerë në tregun e Gjermanisë, apo fletobligacionit të njohur si “Namens schuld verschreibungen” – NSV, me vlerë prej 250 milionë eurove. Mjetet do të shfrytëzohen për pagesën e borxheve të vjetra që maturohen edhe për financimin e nevojave të buxhetit. Njëherësh qeveria huazoi në aspekt afatshkurtër 50 milion euro nga Banka Shparkase.

    BORXHET PËRMES EUROBONDIT

    2005: 150 milionë euro me 4.625 kamatë

    2009: 175 milionë euro me 9.875 për qind

    2014: 500 milionë euro me kamatë 3.975 për qind

    2015: 270 milionë euro me kamatë prej 4.875 për qind

    2016: 450 milionë euro me kamatë prej 5.625 për qind

    2018: 500 milionë euro me kamatë prej 2.75 për qind

    2020: 700 milionë euro me kamatë prej 3.675 për qind

    2021: 700 milionë euro me kamatë prej 1.625 për qind

    2023: 800 milionë euro

    Lajmi Paraprak

    Alarm për bomba në 18 shkolla fillore dhe të mesme të Shkupit

    Lajmi i rradhës

    Maqedoninë e Veriut e kanë lëshuar 2000 mjekë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë