BOTUESIT TË ZHGËNJYER: KU JANË MIQTË E LIBRIT? | Mbyllet edicioni i 35-të i panairit të Shkupit

    Stendat e botuesve shqiptarë kanë qenë ndër më pak të vizituarat gjatë ditëve të Panairit të Librit. Slogani i këtij edicioni ishte “Aroma e librit të sapobotuar lajmëron pranverën”. Por për librin në gjuhën shqipe nuk ka ndjellë asgjë. Me  çmime të arsyeshme e të pandryshuara, ulje nga 10 – 15 apo 20 për qind,  prapëseprapë interesim ka qenë i vogël, jo vetëm për të blerë, por as për të vizituar këndin me librat shqip. 

    Vizitorët dhe blerësit kanë qenë të pakët në numër, si në ditët e para, gjatë fundjavës,  ashtu edhe në prag të mbylljes. Të mërkurën është ditët e fundit e edicionit të 35-të të Panairit të Librit në arenën “Boris Trajkovski” dhe botuesit nga Albas, Nobel, Logos, Fan Noli nga Shqipëria  Furkan, Gnosa thonë për KOHA se po ndahen të zhgënjyer nga indiferenca ndaj librit që çdo vit bëhet edhe më e madhe.  Për botuesit e tjerë situata është krejtësisht ndryshe. Bilanci i këtij edicioni jubilar të panairit ku morën pjesë rreth 60 shtëpi botuese është komentuar si tejet pozitiv nga botuesit maqedonas dhe shifra vizitorësh që ka arritur në 30 mijë, ose mesatarisht pesë mijë vizitorë në ditë. Radhët për të vizituar kanë qenë të gjata, për shkak të vizitave të organizuara me nxënës nga qytete të tjera. Por e kundërta ndodh me botuesit shqiptarë. Nga shtëpia botuese “Albas”, që ka një prej stendave më të mëdha janë të habitur sesi mund të mungojnë të paktën vizitat e organizuara nga shkollat, jo për të blerë, por për t’u prezantuar me librin.

    “Ka ditë që të them të drejtën vetëm rrimë dhe shohim vizitorët në stendat e tjera. Nuk është problemi për të blerë, por si ka mundësi që shkollat nuk e shohin panairin si një mundësi për të  afruar nxënësit me librin, për t’i nxitur leximin, apo kureshtjen. Sidomos kur shoh sesa i madh është numri i nxënësve maqedonas që vijnë të organizuar nga Shkupi e qytete të tjera. Kur më pyesin se pse nuk ka vizitorë them se pyetja duhet drejtuar jo tek botuesit, por tek të tjerët”, thotë Shyrete Ajrullahu nga Albas, një prej stendave më të pasura kryesisht me literaturë për fëmijë, që nga librat me përralla për moshat nga 3 vjeç…., e deri tek enciklopeditë për të rinjtë.  Botues të tjerë pohojnë se kjo situatë përkeqësohet edhe nga mungesa e reklamave në shqip, promovimet e autorëve apo titujve të rinj.

    Në total ky edicion numëroi një rritje prej 25 për qind më shumë vizitorë sesa viti i kaluar. Organizatorët pohojnë se këtë vit frekuentuesit më të shumtë kanë qenë të rinjtë dhe nxënësit e shkollave të ndryshme të vendit, “fakt ky që ngjall shpresë për brezat e ardhshëm dhe shprehitë e leximit” , thuhet në njoftimin për shtyp.

    Një nga ngjarjet që ka ndikuar ka qenë edhe prezenca e shkrimtarit të letërsisë bashkëkohore, Chris Carter, si edhe shumë takime e tryeza me autorë, kritikë, e të tjerë. Nga librat në gjuhën shqipe është shënuar vetëm një ngjarje nga Arkivi i Shtetit – promovimi i një libri të Myzafer Bislimit për prefekturën e Dibrës (1941-1944).

    Panairi ka ndihmën financiare edhe nga Ministria e Kulturës, nga ku theksojnë se kjo mbështetje është e një rëndësie të madhe, veçanërisht në këtë moment aktual, kur të dhënat tregojnë se po lexohet më pak, dhe epoka e teknologjisë digjitale i ka mësuar njerëzit të kalojnë periudha më të gjata para ekraneve të smartfonëve, kompjuterëve dhe televizorëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Si të shmangni djersitjen e tepërt

    Lajmi i rradhës

    Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë