Bursat e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e studentëve

    Jeta studentore është vështirësuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës ku ka rezultuar me rritjen e çmimeve të ushqimeve që konsumojnë studentët çdo ditë, çmimet e transportit ndërurban dhe çmimi i kafes. Studentët ankohen se rritja e çmimeve ka ndikuar të vështirësohet jeta e tyre studentore edhe më shumë. Ata thonë se në këtë kohë është e nevojshme që autoritetet arsimore të mendojnë edhe për kategorinë e studenteve dhe të rrisin vlerën e bursës.  Shujta ushqimore për çdo studentë është 2.400 denarë për nëntë muajt e vitit akademik.

    Bursa për studentët e kategorive sociale është 6.050 denarë në muaj, për nëntë muaj gjatë vitit akademik, shuma e njëjtë është edhe për studentët që kanë arritur sukses të lartë në studime me mesataren 9.00 në programet e studimit në informatikë, në programet e studimit në gjuhën maqedonase, letërsinë maqedonase dhe letërsitë sllave të jugut. Ndërkohë bursa për studentët e regjistruar në programet e studimeve në fushat shkencore e matematikës, teknike dhe teknologjike, bioteknike ose shkenca mjekësore është 3.300 denarë në muaj për nëntë muaj gjatë vitit akademik.

    Edita Arsllani ka deklaruar se jeta studentore ka vështirësitë e veta, por me rritjen e çmimeve së fundmi ka vështirësuar edhe më shumë jetën studentore. Sipas saj, rritja e çmimeve ka ndikuar te të gjithë studentët e në veçanti tek ata të cilët udhëtojnë nga qytetet tjera ku shpesh ballafaqohen edhe me pengesa të llojllojshme. “Krahas harxhimeve të shumta ku bën pjesë edhe ushqimi dhe rritja e çmimeve te produktet ushqimore që konsumojmë ne në përditshmëri, sjell vështirësi të dukshme te ne dhe familja që na financon në vazhdimësi sepse bursat nuk janë plotësisht të mjaftueshme për t’u përballuar me standardin që ne hasim sot.

    Domethënë me çmimet e ushqimeve, kafes, biletave e vendeve për banim Konviktit dhe Banesave si dhe harxhimet e tjera studentore te cilat shënojnë rritje të vazhdueshme”, u shpreh Arsllani. Ajo duke folur për vështirësitë që hasin studentët gjatë të studimeve, shtoi se në kushtet në të cilat është vendi ynë, duke u përballur me krizën shëndetësore dhe bashkë me atë financiare, duhen të bëhen dhe ndryshime në llogaritjen e ditës për një student sepse çmimet janë bërë të papërballueshme për studentët dhe familjet e tyre.

    Studenti tjetër, Shpat Xhemaili, ka deklaruar se ngritja e çmimeve në stratosferë ka bërë që disa studentë edhe ta mendojnë ndalimin e studimeve. Sipas tij, për këtë arsyeje Ministria e Arsimit dhe Shkencës bashkë me Qeverinë, duhet të mendojnë seriozisht për rritjen e bursave studentore dhe shujtës ushqimore që ndahet për studentët. “Është e pa mundur të kalohet muaji me të ardhurat që vijnë vetëm nga bursat dhe për këtë arsyeje studentët duhet të punojnë shpesh dhe kështu nuk e kanë mundësi të fokusohen në studime dhe të tregojnë rezultate të shkëlqyera. Bëjë thirrje deri te autoritetet përkatëse të rrisin ndihmën dhe mbështetjen për studentët pasi studentët janë e ardhmja e vendit. Nëse studentët ndihmohen dhe motivohen ata nuk do ta lëshojnë vendin, ku rrjedhimisht do ta ndihmojnë përparimin e vendit të tyre”, deklaroi ai.

    Ndryshe, çmimet e biletave nga qytetet tjera për Shkup janë rritur nga 20 deri në 35 për qind varësisht nga cili qytet. Kujtojmë se në internet është organizuar edhe një peticion online nga studentët për ta kthyer çmimin e vjetër të udhëtimit nga Kumanova për në Shkup për studentët, por deri më tani peticioni nuk ka dhënë rezultate. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Çmimi i lartë i rrymës rrezikon bizneset

    Lajmi i rradhës

    Sigurimi i “bukës” përmes pagave në zarf!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë