Aziri: Kultura shqiptare nuk përparon vetëm me shoqata dhe nëpërmjet skenës alternative

    12.5 milionë eurot e Ministrisë së Kulturës, si duket janë vetëm “lëmoshë” për projektet kulturore dhe të pamjaftueshme për mbulimin e harxhimeve të aktiviteteve të shoqatave, festivaleve dhe organizimeve tjera. Kështu thonë për Nistorin shtëpi botuese dhe udhëheqës të festivaleve kulturore.

    Vlora Demiri nga galeria “Kult” në Gostivar për Nistori shprehet e indinjuar në lidhje me buxhetin e ndarë nga Ministria e Kulturës, duke e quajtur buxhet të lëmoshës dhe jo buxhet që mund të mbulojë vërtetë shpenzimet e aktiviteteve kulturore në “Kult”.

    “Shumë projekte të mirëfillta përfshirë këtu edhe evenimentin e fotografisë Punctum të organizuar nga Galeria Kult, janë futur në “listën e lëmoshës” ku e bën të pamundur relizimin e tyre në mënyrë të mirëfilltë, ashtu siç i ka hije një evenimenti kulturor. Punctum-i është një akumulim i punës 13 vjeçare të kësaj galerie e cila në historikun e saj posedon përvojë të dëshmuar. Shumat e ndara nga Ministria e Kulturës dëshmojnë qartë që ky institucion për ta çuar para artin dhe kulturën e vendit duhet të ndyshojë mentalitetin e vlerësimit. Ky institucion duhet të kuptojë që me këto shuma “kopracërie” detyron zbehjen e cilësisë së aktiviteteve të mirëfillta artistiko-kulturore.”, shton Demiri.

    Sipas Demirit, nga numri i projekteve, por edhe nga shuma e mbështetjes duket qartë që nuk ka pasur vlerësim me parametra të barabartë në ndarjen e buxhetit.

    Valmir Aziri, sekretar i Ministrisë së Kulturës
    Buxheti për këtë vit është 30% më pak se ai i mëparshmi. Dhe kjo ka reflektuar edhe në ndarjen e buxhetit te projektet për kulturë. Në përgjithësi, po ta marrësh buxhetin në të gjitha veprimtaritë, projektet shqiptare varion nga 25% deri 30%, varësisht prej veprimtarive. Për shembull në botime është diku 36%, kjo kur përkthehet në mjete i bie 32% për shqiptarët. Muzika është gjithashtu 29%, te drama është 34%, në interdisciplinare më pak, sepse ka pas më pak projekte. Te ndërkombëtaret është 20%, pasi ka më pak projekte. Pra, mesatarja është nga 27 deri 29%, varësisht prej buxhetit dhe projekteve. Në çdo komision ka pasur së paku nga një anëtar shqiptar, ku ka pasur pesë, ka pasur dy anëtarë shqiptarë. Vlerësimet, mendoj se janë bërë në mënyrë profesionale. Ndoshta dikujt vitin e kaluar i është dhënë një shumë më e madhe, ndërsa këtë vit më pak, por nuk ka projekte të cilat janë ndërprerë. Ndoshta dikush e ka pasur vitin jubilar dhe ka marrë më shumë, dikush këtë vit projektin e ka më serioz. Një problematikë tjetër këtë herë ka qenë se i gjithë procesi i konkurrimit ka qenë në formë elektronike. Një pjesë e aplikantëve duke menduar se e kanë bërë Attach ftesën, ndërkaq e kanë ngjitur një fletë tjetër të bardhë, nuk e di nëse ka ndodhur qëllimshëm apo ndonjë arsye tjetër. Në përgjithësi 95% e programës ka dalë mirë, pozitive, institucionet janë të mbuluara mirë me mjetet.

    Arsyeja pse këtë vit buxheti i Ministrisë së Kulturës është më i vogël për projketet kulturore

    Valmir Aziri, sekretar i Ministrisë së Kulturës
    Kriza ekonomike, kirza e ka bërë gjithkund. Në çdo prerje ekonomike përgjatë krizës, e pëson kultura. Kjo ndodh me të gjitha qeveritë në botë, jo vetëm te ne.

    Të gjitha institucionet e tetrove marrin buxhet të barabartë?

    Valmir Aziri, sekretar i Ministrisë së Kulturës
    E di që ka një marrëveshje në parim. Teatri Kombëtar i Shkupit merr të njëjtin buxheti si Teatri Kombëtar Maqedonas. Teatri i Tetovës merr buxhet ekuivalent si Teatri i Manastirit. Kemi marrë parasysh në Ministrinë e Kulturës që të përfshihen dhe të përfaqësohen në kuadër të numrit të banorëve dhe sigurisht emri i institucionit se në çfarë niveli është. Nëse janë në nivele nacionale, p.sh. Ansambli merr mjete sataneske. Në nivel të institucioneve, Galeria e Arteve në Tetovë merr sa ajo në Kumanovë, varësisht prej numrit të banorëve. Domethënë në këtë aspekt nuk ka diskriminim etnik.

    Nga ana tjetër, Muhamed Murtezi i “Furkan ISM” për Nistori thotë se këtë vit, Ministria e Kulturës nuk ka mbështetur asnjë titull të tyre.

    “Si shtëpi botuese e pranishme më shumë se 25 vjet, me disa qindra botime e pjesëmarrje në panaire, sivjet nuk na është mbështetur asnjë titull. Në të vërtetë, këtë fat e ka ‘Furkan ISM’ pothuajse çdo vit, por shpresuam sivjet të jetë më mirë. Po t’i hidhni një sy përfituesve të botimeve në shqip, asnjërin prej tyre nuk i keni, ta zëmë në panairin e Prishtinës dhe Tiranës. Madje shumë pak ose hiç fare janë të njohur edhe në RMV. Në pjesën e veprimtarisë botuese nuk jemi të kënaqur me ndarjen e buxhetin nga Ministria e Kulturës, për më shumë që nuk është mbështetur asnjë projekt i yni. E vlerësojmë një ndarje që nuk është mbështetur në meritokraci dhe vlera, por mbi bazë të miqësisë dhe interesave tjerë.”, deklaron Murtezi.

    Ndryshe, as ODA që funksionon afro dy dekada, këtë vit nuk është futur në listën e konkursit fitues. Sabedin Selmani i ODA fajëson Ministrinë e Kulturës se po i zhduk edhe ato pak institucione që janë si, produksioni ODA, Jazz Fest, skenën e muzikës serioze, etj. E gjithë kjo për t’u dhënë hapësirë shoqatave të tyre fluide.

    “Gjysma e së vërtetës nuk është gënjeshtër, por është mashtrimi më i madh. Sa i përket konkursit që ka shpallë Ministria e Kulturës, duket një sherr me shumë hile, sepse nuk është i bazuar mbi vlera dhe kritere dhe kjo në mënyrë automatike nënkupton që kultura është e uzurpuar. Mënyra se si zgjidhen anëtarët e komisioneve flet shumë për vet gjenezën e problemit. Janë duke i zbeh edhe ato pak institucione që i kemi, e dyta nuk dijnë t’i themelojnë institucionet që na mungojnë. Po i zhdukin edhe ato pak institucione që janë si, produksioni ODA, Jazz Fest, skenën e muzikës serioze, etj. E gjithë kjo për t’u dhënë hapësirë shoqatave të tyre fluide. Duhet të flitet për projekte cilësore e jo për kulaçin (kush e merr e kujt ia ndan). Nuk arsyetohet ndarja me logjikën “të gjithëve nga pak”. Sa i përket ODA, të gjithë janë deshmitarë per aktivitetet që janë zhvilluar. Pothuajse dy dekada është bërë një punë e madhe dhe tani e shihni se mungon në listën e konkusit ky emër. E dhimbshme!” – thekson Selmani për Nistorin.

    Sipas tij, është jashtë çdo logjike që një njeri me disa shoqata të ketë një buxhet më të madh se sa institucioni më i madh i kultures (Teatri Shqiptar Shkup). Ai kërkon që politika t’i mbajë duart larg kulturës, duke shpresuar se një ditë do të çlirohemi nga pengmarrja e kulturës!

    Ky buxhet a arrin të mbulojë harxhimet bazë të projekteve kulturore?

    Valmir Aziri, sekretar i Ministrisë së Kulturës
    Ministria e Kulturës nuk e ka obligim që të gjitha projektet t’i mbështesë qind për qind. Në bazë të pikëve që merr çdo projekt, sa është serioz, sa është interkulturor, sa përfshin gra, sa përfshin të rinj, sa përfshin njerëz me nevoja të veçanta. Të gjitha këto janë pjesë e një vlerësimi teknik dhe në fund projekti vlerësohet artistikisht. Në bazë të atyre pikëve lëshohen edhe shumat. E ritheksoj, gjithmonë duke marrë parasysh se, ky është vit i krizës dhe në këtë kohë krize, Ministria e Kulturës nuk është treguar për dikë nënë e për dikë njerkë. Jemi munduar që ta ndihmojmë çdo projekt aq sa ka fuqi Ministria. Dëshirat dhe kërkesat e njerëzve nuk përkojnë me realitetin fiskal të Ministrisë së Kulturës. Vitin e kaluar kemi pas më shumë, kemi lëshuar më shumë, tani kemi më pak dhe rrjedhimisht projekteve u është lëshuar më pak buxhet. Ankesat janë se u kemi lëshuar më pak mjete e jo se nuk u kemi lëshuar aspak.

    Ministria e Kulturës për shoqatën “Silindart” ka ndarë 63.900 mijë denarë. Sipas Burhan Ahmetit, këtë vit ka konkuruar me projektin Simpoziumi i 8-të Ndërkombëtar i Artit “Struga 2023”. Me këto mjete, sipas Ahmetit, as ngjyrat nuk mund të blihen, e mos të flasim për shpenzimet tjera si: akomodimi i 25 artistëve, ushqimi, materialet e punës, përgatitjet e ekspozitës së Simpoziumit, transporti i artistëve nga aeroporti për në Strugë dhe anasjelltas.

    “Nuk i mbulojme dot as shpenzimet bazë. Sa për ilustrim një kolonie të ngjashme lokale që organizohet në një fshat të Demir Hisarit i kanë ndarë 190 mijë denarë, ndërsa neve 63 mijë denarë. Për ekspozimin e 25 veprave nga koleksioni i Glaerisë së Fierit që do të ekspozohen në Tetovë 120 mijë denarë. Nuk jemi kundër këtyre, madje edhe për këta nuk janë të mjaftueshme. Por kur krahasohet aktiviteti ndërkombëtar që po e organizojmë, ka dallim sa mali me fushën. Këtu shihet mosangazhimi profesional i anëtarëve të komisionit si dhe të kukullave partiake shqiptare që me dekada të tëra e kanë marrë peng kulturën dhe e shohin si burim përfitimesh e jo të përkrahjes së aktiviteteve me vlerë. Thjeshtë po tentojnë t’a lajnë një groshë pa ujë me këto shuma qesharake që ua ndajnë projekteve shqiptare.” – potencon Ahmeti nga “Silindart”.

    Nga “The Park Festival” thonë se Ministria e Kulturës ka ndarë mjete 14 herë më pak se sa buxheti i vitit të kaluar.

    “Buxheti i ndarë për edicionin e pestë të The Park Festival nga ana e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç se është tejsisht i pamjaftueshëm për organizimin dhe realizimin e një festivali me përmasa të tilla, gjithashtu është një thyerje morale si për ekipin ashtu edhe për publikun. Edhe pse përmasat e Park Festivalit u rritën me çdo edicion të rradhës, Minisitria e Kulturës për çdo vit zvogëloi përkrahjen financiare ndaj këtij festivali dhe për edicionin jubilar me rastin e pesëvjetorit të The Park Festival të shkrijë gati se tëresisht përkrahjen duke ofruar mbështjete më se simbolike (14 herë më pak se sa buxheti i vitit të kaluar) për një festival katërditor të këtyre përmasave.”, deklarojnë nga ThPF.

    Ata shtojnë se për mosmbështetje financiare, nuk duan që qytetarët dhe në veçanti të rinjve të Gostivarit t’u pritet shpresa dhe besimi në institucionet shetëtore. Ata kërkojnë që sa më shpejtë të reflektohet në këtë vendim të paparanueshëm.

    Edhe shoqatës “Ars Albanica” i janë aprovuar vetëm dy revista nga 30 mijë denarë, gjithsej 60 mijë denarë. Ndërkaq, sipas Zeqirja Rexhepit, vetëm shtypi për një numër reviste me 200 faqe, kushton më shumë se 50 mijë denarë.

    “Projekti festivali mbarëkombëtar “Flakadani i kujtesës” edicioni IV-të nuk është aprovuar. Natyrisht sepse është mbarëkombëtar! Projekti i tretë, simpoziumi “Gjurmë në kohë” kushtuar kritikut të letërsisë shqipe Prof. DR. Agim Vincës, nuk është marrë parasysh! Projekti i katërt, “Almanaku” me poezitë e festivalit të 2020, shqip-anglisht, gjithashtu nuk është marrë parasysh! Projekti personal “Ecejake në kohë” pjesa e dytë, libër shkencor, me 300 faqe i gatshëm për botim, nuk është aprovuar poashtu! Projekti personal i Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi, libër poetik, me poezi shqip-anglisht nuk është marrë parasysh!”

    Rexhepi e quan komisionin si të ashtuquajtur “profesional”, pasi ka aprovuar projekte, me përjashtime të vockla, tërësisht antivlera për kulturën shqiptare.

    Edhe “Skena e muzikës serioze shqiptare” ka reaguar mbi konkursin e Ministrisë së Kulturës. Sipas tyre, festivali në fjalë këtë vit ka buxhet trefish të zvogëluar dhe vendosi ta çojë në regres punën e këtij festivali.

    “Festivali “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në konkursin e sivjetshëm të Ministrisë së Kulturës u godit rëndë nga ana e vendimmarrësve të kësaj ministrie. Por, kush janë këta vendimmarrës? Janë komisioni të cilin e përzgjedhin vet zyrtarët e kësaj ministrie, edhe atë pa kurrëfarë konkursi publik dhe kriterium në përzgjedhje? Janë zyrtarët e përhershëm, të cilët buxhetit të Ministrisë i referohen si kulaç? Apo është Ministri, i cili zakonisht nuk e ka idenë se çka ndodh me buxhetin e shtëpisë së vet?”

    SMSSh në lidhje me pohimet e zyrtarëve të ministrisë që “buxheti i Ministrisë për këtë vit është 30% më pak se ai i mëparshmi dhe kjo ka reflektuar edhe në ndarjen e buxhetit te projektet për kulturë”, sipas tyre është i paarsyeshëm, pasi kjo ministri, në të njëjtin konkurs, ka favorizuar shoqata të panjohura, të cilat kanë zero impakt në jetën kulturore të vendit tonë, duke e barazuar punën e “Skenës” me këto shoqata anonime.

    Me buxhetin të cilin këtë vit ministria e ndau Ministria, Festivali nuk do jetë në gjendje ta realizojë koncertin e violinistit botëror Tedi Papavrami, si dhe vënien në skenë të operës “Skenderbeu”.

    Kultura shqiptare nuk përparon vetëm me shoqata dhe nëpërmjet skenës alternative

    Valmir Aziri, sekretar i Ministrisë së Kulturës
    Ne si shqiptarë mund të pretendojmë për kultivim të kulturës shqiptare vetëm në mënyrë institucionale. Nëse ne pretendojmë me shoqata, me individë, të cilët i falenderoj për punën e tyre, por ne nuk mund të krahasohemi me popujt tjerë në Ballkan nëse ia lëmë këtë punë vetëm skenës alternative. Gjithsesi se do t’u ndihmojmë edhe këtyre, por ashtu siç krijuam Ansamblin, kemi krijuar edhe teatrot, edhe galeritë. Kjo flet për një qasje institucionale dhe kjo filozofi duhet ndjekur.

    Buxheti i vitit 2022 u miratua në vlerën 3,85 miliardë denarë (mbi 62 milionë euro), ose 10 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar. E llogaritur në përqindje kultura mori 1,49 nga buxhetit i përgjithshëm. Investimet kapitale për këtë vit llogariten të jenë në vlerën 10 milionë euro, për projektet me interes nacional u ndanë 17 milionë euro. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në politikë urrejtjet e përbashkëta janë pothuajse gjithnjë bazë e miqësive

    Lajmi i rradhës

    Lagështia dhe myku

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë