Më shumë se gjysma e arkës së shtetit, apo mbi 65 për qind e buxhetit, edhe këtë vit do të shpenzohet për pensione, paga dhe transferta sociale, ndërsa investimet kapitale sërish janë shkurtuar dhe ridestinuar për qëllime të tjera, kryesisht në shpenzime rrjedhëse. Sipas Propozim-buxhetit për vitin 2026, deficiti buxhetor është planifikuar në 3.5 për qind të PBB-së, që përbën rreth 637 milionë euro. Investimet kapitale janë ulur në 650 milionë euro, ndërsa për të mbuluar borxhet e viteve të kaluara planifikohet huamarrje prej 1.7 miliardë eurosh, nga të cilat 950 milionë euro përmes emetimit të një euroobligacioni. Fondet për transferta sociale do të rriten me 6.7 për qind, për paga me 7 për qind, ndërsa për pensione me gati 10 për qind.
BUXHET I ORIENTUAR DREJT SHPENZIMEVE SOCIALE
Në buxhetin e ri prej 6.73 miliardë eurosh, me 6.1 miliardë euro të ardhura dhe 6.7 miliardë euro shpenzime, pjesa më e madhe e fondeve mbetet e destinuar për shpenzime rrjedhëse. Vetëm rreth 10 për qind e fondeve janë të lira për zhvillim ekonomik, theksojnë ekspertët ekonomikë. Këshilli Fiskal rekomandon që fondet e papërdorura të investimeve kapitale të mos kalojnë më në shpenzime rrjedhëse, por të krijohet një fond i posaçëm zhvillimi për t’u përdorur në vitin vijues. “Gjatë planifikimit të investimeve të mëdha është e domosdoshme analiza kosto-përfitim dhe vendimmarrja duhet të bazohet në rezultate konkrete ekonomike”, thuhet në opinionin e Këshillit Fiskal.
DEFICITI DHE HUAMARRJA
Parashikimet e Qeverisë janë që PBB-ja të rritet me 3.8 për qind, ndërsa inflacioni të ulet në 2.5 për qind. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se këto parashikime janë shumë optimiste, duke marrë parasysh krizën e ndërtimit, mungesën e efikasitetit në administratë dhe situatën gjeopolitike. “Nuk jam shumë optimist se kjo normë do të arrihet. Rritja do të jetë e mundur vetëm nëse fokusi përqendrohet te projektet kapitale që gjenerojnë zhvillim real”, thotë profesori Zoran Ivanovski, duke shtuar se buxheti mbetet “një kategori sociale”, ashtu siç ka qenë në 30 vitet e fundit.
Edhe profesori Borçe Trenovski nënvizon se për një buxhet të qëndrueshëm nevojiten reforma thelbësore në të ardhura dhe shpenzime.
“Duhet të shihet nëse është përmirësuar efikasiteti i përdorimit të shpenzimeve. Nga ana tjetër, kemi ende rreth 30 për qind ekonomi informale dhe humbje të mëdha në mbledhjen e tatimeve – rreth 400 milionë euro nga TVSH-ja dhe 100 milionë euro nga taksat e pronës që nuk mblidhen”, thotë ai. Profesori Sinisha Naumoski e vlerëson buxhetin si “të kujdesshëm dhe realist”, por paralajmëron për rreziqe të brendshme, si rritja joekonomike e pagave në sektorin publik dhe dobësitë strukturore në prodhim dhe energjetikë.
“Ky është buxhet i stabilitetit dhe vazhdimësisë, që krijon bazë për investime më të forta në 2027”, thotë ai, duke shtuar se shteti duhet të mbështesë kompanitë me kredi me norma më të ulëta interesi dhe të forcojë produktivitetin.
MINISTRJA E FINANCAVE: KONSOLIDIM FISKAL DHE EFIKASITET
Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, projektbuxheti për vitin 2026 mbulon të gjitha politikat strategjike të qeverisë, me qëllim përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe konsolidimin fiskal gradual. “Buxheti do të bazohet në projeksione reale – të ardhurat do të planifikohen sipas mundësive, ndërsa shpenzimet do të orientohen drejt prioriteteve strategjike. Do të reduktohen shpenzimet jo-thelbësore, dhe mbështetja për qytetarët dhe ekonominë do të jetë e synuar”, theksoi ajo. Të ardhurat janë planifikuar në 374.7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 413.9 miliardë denarë. Deficiti buxhetor pritet të jetë 3.5 për qind e PBB-së, me një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2025.
Sipas ministres, investimet kapitale do të arrijnë 40.5 miliardë denarë, me fokus te infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D, si dhe në shëndetësi dhe arsim. Pensionet pritet të rriten me 9.7 për qind, ndërsa për marsin e 2026 është parashikuar rritje lineare prej 1.000 denarësh. Nga opozita LSDM e kanë cilësuar buxhetin e vitit 2026 si “pranim të paaftësisë ekonomike të qeverisë”.
“Deficiti prej 3.5% shkel rregullin fiskal ligjor prej 3%. Qeveria po e quan këtë buxhet ‘zhvillimor’, ndërkohë që i ul investimet kapitale nga 47.3 miliardë denarë në 40.5 miliardë, që është rreth 7 miliardë më pak”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Sipas partisë opozitare, kjo strategji buxhetore nuk sjell përfitime për qytetarët as për ekonominë, por vetëm huamarrje të reja, rritje të çmimeve dhe presion mbi tatimpaguesit. “Produktiviteti i ulët dhe devijimi nga ligji fiskal do të sjellin kosto më të larta dhe standard më të ulët jetese për qytetarët”, përfundon reagimi i LSDM-së. Në përmbledhje, buxheti i vitit 2026 shihet si vazhdim i modelit social të shpenzimeve, me pak hapësirë për zhvillim, shumë detyrime borxhore dhe sfida të mëdha për t’u përballur me realitetin ekonomik të vendit. /Koha/






