Byrnes: Maqedonia e Veriut është mik i sigurt të cilit ne i besojmë

    Ashtu siç Maqedonia e Veriut, siç ju, do të vazhdoni të ngjiteni në kodrën drejt një të ardhmeje më të sigurt eurointegruese, do të duhet të përballeni edhe me sfida të vështira. Dilemat që ata krijojnë janë unike për vendin tuaj dhe rrugëtimin tuaj, por ju nuk jeni vetëm në përballjen me to. Shtetet e Bashkuara janë me ju në atë ngjitje, tha mbrëmë ambasadorja amerikane në vend, Kate Marie Byrnes, në ceremoninë në Ambasadën amerikane me rastin e 246 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

    Në prani të përfaqësuesve të lartë të shtetit, partive politike, sektorit civil dhe medias, Byrnes tha se pasi dy vendet do të përballen me sfida të reja, do t’i përballojnë ato së bashku, si aleatë, partnerë dhe miq.

    Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut në tre vitet e fundit ka përparuar nga një vend që aspironte të bëhet anëtare e NATO-s, në një aleat të besueshëm, të barabartë dhe të aftë. Ai përkujtoi se në muajin maj vendi ishte nikoqir i stërvitjes “Përgjigje e shpejtë”, e cila ishte stërvitja më e madhe ushtarake e mbajtur ndonjëherë në poligonin Krivolak. Ajo vuri në dukje se Maqedonia e Veriut vazhdimisht tregon përkushtimin e saj ndaj partneritetit strategjik dhe mbështetjes së parimeve demokratike – të njëjtat ideale, të cilat, siç tha ambasadorja, Rusia po përpiqet t’ua mohojë qytetarëve të Ukrainës.

    “Maqedonia e Veriut është mik i sigurt të cilit ne i besojmë. Bashkëpunojmë së bashku për të mbrojtur mjedisin jetësor, kulturën dhe mundësitë ekonomike që e bëjnë Maqedoninë e Veriut pjesë jetike të rajonit”, tha Byrens.

    Ajo në theksoi se që nga viti 2019, Shtetet e Bashkuara kanë investuar afro 60 milionë dollarë në industri, infrastrukturë dhe inovacion, duke krijuar mijëra vende pune.

    Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

    Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

    Lajmi Paraprak

    RRITJA E PAGAVE | Nuk dihet kush dhe sa punon!

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Protestuesit e dhunshëm të arrestohen dhe të dënohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë