Pendarovski: Protestuesit e dhunshëm të arrestohen dhe të dënohen

    Pas protestave të mbrëmshme, gjatë të cilave pati incidente, sot presidenti Stevo Pendarovski bëri thirrje që të protestohet me dinjitet dhe pa dhunë.

    “Përdorimi i dhunës dhe nxitja e dhunës për qëllime politike është e papranueshme. Ngjarja që ndodhi dje në Shkup nuk duhet të përsëritet sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se qetësia dhe siguria e të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski.

    Dje, theksohet në njoftim, policia ka pasur reagim në kohë që parandaloi përplasje të mëdha. Pres që të gjithë personat që u përfshinë në ngjarjen e djeshme të arrestohen dhe të sanksionohen në kohë sa më të shkurtër.

    “U bëj thirrje të gjithë organizatorëve të protestave, të cilat po zhvillohen këto ditë në Maqedoninë e Veriut, të marrin përgjegjësi dhe të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të protestuar me dinjitet dhe pa dhunë. Në të njëjtën kohë, dënoj fuqishëm mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit nga civilë dhe qytetarë të vendit, të cilët nuk janë pjestarë të autoriteteve të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    Ndryshe pasditen e sotme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

    Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri.

    Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”.

    Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet.

    Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

    Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

    Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

    Lajmi Paraprak

    Byrnes: Maqedonia e Veriut është mik i sigurt të cilit ne i besojmë

    Lajmi i rradhës

    Republika e Maqedonisë së Veriut ka tregtuar më shumë me Gjermaninë dhe më pak me Bullgarinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë