Çairi, Karposhi, Gjorçe Petrov dhe shumë komuna të tjera të Shkupit edhe sot ishin të mbuluara nga mbeturinat. Kontejnerët e stërmbushur dhe deponitë e krijuara pranë tyre pasqyronin gjendjen e rëndë të higjienës në kryeqytet ndërsa era e keqe në shumë vende ndihej edhe nga larg.
Qytetarët, thonë se kjo situatë që nuk është parë kurrë më parë nuk ka ardhur vetvetiu. Mosfunksionimi siç duhet i shërbimeve, mungesa e makinerisë, mospagesa e punëtoreve të terrenit siç duhet e kanë sjellë kryeqytetin në këtë gjendje.
“Duhet të organizohen apo të blejnë më shumë makineri, pra duhet të behët diçka”, tha një qytetar.
“Unë nuk e di a i shohin shërbimet këto. Unë jetoj në Karposh 3 por edhe atje është e njëjtë, grumbuj me mbeturina. Shërbime ka por nuk funksionojnë”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Kryetarët e komunave duhet të ndërmarrin diçka, nuk ka nevojë kështu të kemi gjendjen me mbeturinat, le të lëshojnë njerëzit të pastrojnë e të punojnë dhe le tu japin paga më të larta të jetë pastër e jo kështu i ndytë”, theksoi një qytetar.
“I përzunë punëtorët nga puna e tani kush të pastroj, s’ka kush të pastrojë. Unë jam 85 vjeçare dhe kësi pa pastërtie nuk mbaj mend në Shkup. Në Ohër kemi banese por atje rrugët janë të pastra”, tha një qytetare.
Në krahasim me komunat e tjera, sipas pamjeve të kamerës së Alsat, Çairi duket se renditet i pari në listën e komunave me më shumë mbeturina.
Qytetarët thonë se do të duhet të presin që të përfundojnë zgjedhjet lokale me shpresë për funksionim normal të shërbimeve.
“Mbeturina ka shumë? Ka, çfarë të bëjmë ajo është situata çfarë të them”, theksoi një qytetar.
“Çfarë të them, tani para zgjedhjeve askush nuk ndërmerr asgjë dhe është logjike që pas zgjedhjeve të presim të rinjtë çfarë do të shfaqin”, tha një qytetare.
Nga Ndërmarrja Publike e Higjienës Komunale në kuadër të Qytetit të Shkupit, nuk u përgjigjën në pyetjen se a është arsye mungesa e punëtoreve apo makinerisë për funksionim normal të kësaj ndërmarrje që nuk grumbullohen siç duhet mbeturinat në kryeqytet. /Alsat/






