Çdo vit frikë për furnizimin me rrymë në RMV

    Termocentrali i Osllomesë nuk prodhon rrymë si rrjedhojë e remontit dhe pritet që javë ne ardhshme të fillojë me punë. Nuk punon as Termocentrali i Negotinës për shkak se sipas ekzekutivit për momentin nuk shpaguhet që të prodhojë rrymë me një kosto të lartë të mazutit dhe çmim prodhues prej 210 euro për megavat orë. Po punojnë blloku I parë dhe i dytë në Termocentralin e Manastirit. Në periudhën e kaluar në vazhdimësi, sektori vendor energjetik po ballafaqohet me probleme dhe sfida të ndryshme si ulja e madhe e nivelit të liqeneve për prodhimin e rrymës, termocentralet që shpesh punojnë me kapacitete jo të plota, dhe po kryhen riparime të ndryshme që për periudha të caktuara edhe ndërpresin punën e tyre e kështu me radhë. Në kushte të tilla kemi import në rritje dhe problem me prodhimin sa më të madh të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore.

    Brengosës është edhe fakti se po ulet me të madhe prodhimtaria vendore e energjisë elektrike. Maqedonia e Veriut ka shënuar një import të madh të rrymës në vitin 2020 prej 32 për qind. Sipas raporteve të Entit Rregullator për Energjetikë, kjo paraqet një rritje të dukshme të importit të rrymës në raport me sasinë e importuar prej 24.39 për qind në vitin 2019 dhe 26 për qind në vitin 2018.

    Nga ana tjetër, analizat tregojnë një rënie e madhe e prodhimtarisë vendore të rrymës prej 6744 gigavat orë në vitin 2010 në 5172 gigavat orë në vitin 2020, që paraqet një rënie prej 24 për qind apo 1.617 gigavat orë. Analizat më tej tregojnë se në gati 20 vitet e kaluara po shënon ulje të vazhdueshme prodhimi i rrymës nga termocentralet që dominojnë në prodhimtarinë vendore të energjisë elektrike në periudhën e kaluar. Prodhimtaria mesatar e energjisë elektrike në termocentrale në periudhën 2002-2006 është 4.866 gigavat orë, nga 2007 deri 2010 është 4.636 gigavat orë, nga 2011 deri 2014 është 4.125 gigavat orë, dhe nga 2015 deri 2018 është 2.946 gigavat orë dhe nga 2019 deri 2020 është 2.902 gigavat orë. 

    “Shkaqet për trendin e uljes së prodhimtarisë në termocentralet janë defektet e shumta dhe ndërprerjet në Termocentralin e Manastirit, ulja e sasive dhe cilësisë së mihur së qymyrit në këtë impiant energjetik, afrimi i fundit të punës së termocentraleve vendore , ulja e efikasitetit të punës e kështu me radhë”, thuhet në raportin e Entit Rregullator për Energjetikë.

    Të dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë vetëm konfirmojnë rënien e madhe të prodhimtarisë vendore të rrymës prej 6.744 gigavat orë në vitin 2010, në 5.284 gigavat orë në vitin 2021. Nga ana tjetër, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë harxhuar 363 milionë euro për importin e energjisë elektrike, apo tre herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Ekspertët thonë se shteti në periudhë n e kaluar fare pak ka investuar në kapacitete të reja për prodhimin e rrymës, andaj tani edhe po paguajmë faturën e mos investimit me kohë në impiante të reja.

    “Sektori i energjetikës kërkon planifikime afatgjate që mungojnë tek ne për një periudhë më të gjatë kohore. Maqedonisë i nevojitet e ashtuquajtura energji bazike. Pra mirë është që po investohet në panele diellore dhe në suaza afatgjate të kemi burime të rinovueshme, mirëpo kjo nuk është energji e përhershme, andaj edhe nevojitet që të kemi energji bazike”, thotë ekspertja Sanja Bozhinovska.

    Në ndërkohë njohësit e tjerë të kësaj problematike thonë se vendi nevojitet të vazhdojë të investojë në burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetin e energjisë, deri në përfundimin e pritshëm të hidrocentralit Çebren.

    Sipas profesorit universitar, Konstantin Dimitrov, kjo është mënyra se si Maqedonia mund të sigurojë energji elektrike relativisht të përballueshme në dekadat e ardhshme. Ai shton se ndërtimi i termocentraleve me gaz mund të përfundojë në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, përskaj hapjes së minierës së qymyrit në Zhivojno dhe mirëmbajtjes së Termocentralit të Manastir që të mund të punojë të paktën deri në vitin 2030. Kjo do të sigurojë kohë për ndërtimin e hidrocentralit të Çebren, shton ai.

    Pritet që nëse merr dritë jeshile dhe kalon procedurat e nevojshme, që investitori grek PPS, të realizojë investimin në gjashtë-shtatë vitet e ardhshme. Partneri privat pritet të investojë mbi 550 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë deri në vitin 2028. Hidrocentrali është projektuar me një fuqi minimale të instaluar prej 333 megavat, dhe prodhimi i parë pritet në vitin 2029. Prodhimi i energjisë elektrike varet nga karakteristikat teknike të digës si lartësia, kapaciteti i instaluar, mënyra e funksionimit etj. Vlerësohet se prodhimi i energjisë elektrike nga “Çebren” do të shkonte nga 870 deri në 1140 gigavat-orë. Apo sa një e pesta e totalit të prodhimit të energjisë elektrike në vitin e kaluar. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Të gjitha institucionet kulturore në Tetovë janë nën kompetencë të Ministrisë së Kulturës

    Lajmi i rradhës

    SERRAT NË MAQEDONI PARA MBYLLJES! Perime të hershme vetëm nga importi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë