SERRAT NË MAQEDONI PARA MBYLLJES! Perime të hershme vetëm nga importi

    Për shkak të çmimeve të larta të mazutit, energjisë elektrike dhe ujit gjeotermal, nën kërcënim për mbyllje këtë dimër në Maqedoni po kanosen edhe prodhimet e produkteve të serrave. Problem shtesë për serrat po bëhet edhe importi i produkteve të hershme të serrave me çmime shumë më të ulëta se ato vendase, gjë që po paraqet edhe një goditje shtesë për prodhimin në vend. Sipas drejtuesit të Grupit për Prodhime të Serrave në Odën Ekonomike, Branko Baltovski, tashmë ka ardhur koha që ministritë të zgjidhin problemet mes tyre që mos të rrezikohet prodhimi i produkteve të hershme të serrave.

    “Gjithë kjo situatë me çmimet ndikon edhe në prodhimin e produkteve të serrave, i cili viteve të fundit është përballur me probleme të pazgjidhshme. Serrat po tatohen dyfish për shfrytëzimin e ujërave gjeotermale përmes tarifave të dy ministrive. Ata paguajnë koncesion si detyrim ligjor që lind me marrjen e licencës për shfrytëzim nga Ministria e Ekonomisë, si dhe një tarifë për shfrytëzimin e ujit të përcaktuar nga Ministria e Ekologjisë. Është koha që këto tre ministri- ekonomia, ekologjia dhe bujqësia, të ulen t’i zgjidhin problemet për shfrytëzimin e ujërave gjeotermal, që të mos përfundojmë në situatë që mos të kemi prodhim të hershëm të serrave vendase”, deklaroi Baltovski. Sipas tij barrë shtesë për serrat është edhe fakti se çmimet e naftës dhe energjisë elektrike janë jashtëzakonisht të larta, pasi shumica e serrave ngrohen me naftë dhe kjo energji përdoret edhe për pompimin e ujit gjeotermal.

    “Pompat për nxjerrjen e ujit punojnë me këtë energji, dhe kjo rrit edhe më shumë kostot e kompanive që përdorin ujin gjeotermal. Kompanitë në të cilat ngrohja organizohet me naftë dhe burime tjera të energjisë kemi probleme pasi çmimet janë tepër të larta. Disa nga serrat janë duke bërë llogaritë nëse do të vazhdojnë me prodhimin pasi shpenzimet e tyre i tejkalojnë të gjitha përllogaritjet dhe atë se çfarë do të marrin me plasimin e produktit”, tha Baltovski.

    Nga ana e serrave kërkohet gjithashtu zgjidhja e çështjes së importit të produkteve të hershme të serrave, pasi prodhimi vendas nuk ka kapacitete të mjaftueshme t’i përgjigjet kësaj konkurrence.

    “Probleme kemi edhe me mosrespektimin e tarifave shtesë (rritje e çmimit të produktit të importuar për ta barazuar me çmimin e produktit vendas), gjë që po mundëson edhe import enorm të këtyre produkteve nga Shqipëria, Turqia, Greqia, të cilat janë me çmim më të ulët se prodhimet tona, pasi ata nuk përdorin asnjë energji gjatë prodhimit të tyre pasi janë vende me klimë bregdetare. Me çmim kaq të lartë të energjisë, por edhe të plehrave dhe materialit farë, produkti ynë është shumë më i shtrenjtë, arsye kjo që shkakton edhe interesim më të ulët tek konsumatorët”, shtoi Baltovski.

    Gjatë këtyre ditëve, Komuna e Koçanit ka rritur çmimin e ujit gjeotermal për 83%, gjë që po ndikon edhe në rritje të çmimit të serrave në këtë komunë nga e cila pritet rritje e çmimit të produkteve të serrave.

    “Me këtë rritje të çmimit të ujit gjeotermal në kulmin e stinës së dimrit, rriten edhe kostot e prodhimit të serrave, kështu që tashmë është në pikëpyetje prodhimi dimëror. Kostot do të bëhen edhe më të larta nëse llogariten edhe cmimet e plehrave dhe materialit farë. Gjithë kjo mund të jetë edhe arsye për anulimin e këtij lloji të prodhimit që për shkak të mosrentabilitetit vendi mund që të mbetet vetëm me prodhime të importuara të serrave”, deklaroi një pronar i një serre.

    Në vend janë gjithsej 240 hektarë serra, prej të cilave në 200 hekatrë prodhohen produkte të hershme të tyre, dhe që energji bazë për ngrohje e kanë naftën, ndërsa për 35 hektarë të tjera si bazë për ngrohje përdoret uji gjeotermal. Këto serra janë në territorin e Koçanit, Pollogut, Strumicës dhe Gjevgjelisë. Nga eksporti i këtyre prodhimeve vendi në vit fiton rreth 20 milionë euro, pasi 75% e këtyre prodhimeve eksportohen. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Çdo vit frikë për furnizimin me rrymë në RMV

    Lajmi i rradhës

    TË MERRET PARASYSH SHËNDETI PUBLIK NË RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë