“Celulari po i vret shpirtrat e fëmijëve”

    Jemi dëshmitarë se fëmijët tanë kalojnë shumë kohë me celularë në duar. Ekspertët shpesh kritikojnë prindërit për këtë temë. Por duhet dalluar përdorimi i telefonit për argëtim, për lojëra, krijimi i profileve në rrjetet sociale dhe nevoja reale e posedimit të telefonit në mënyrë që prindi dhe fëmija të jenë në komunikim. Shpesh faktorët e jashtëm e komplikojnë procesin e vendimmarrjes dhe të drejtojnë drejt vendimeve të ndryshme. Një vendim i rëndësishëm është nëse fëmija juaj është gati për të pasur një telefon.

    Për këtë psikologja Edlira Destani për gazetën KOHA tha se arsyeja se sot fëmijët kanë vështirësi është përdorimi i hershëm i celularëve.

    “Prindi duke i dhënë telefon fëmijës, zëvendëson shumë detyra dhe angazhime që duhet të bëj ai në mënyrë të drejtpërdrejtë. Boshllëku që lë komunikimi i drejtpërdrejtë prind-fëmijë po reflektohet në mënyrën se si fëmija po komunikon me veten dhe të tjerët. Jo rastësisht kemi rritje të numrit të rasteve tek fëmijët prej moshës 2 vjeçare që kanë vështirësi të konsiderueshme në gjuhë, në sjellje, në marrëdhëniet sociale dhe familjare, por edhe në shëndetin trupor”, deklaroi për KOHA Edlira Destani, psikologe klinike.

    Ajo shton se nuk ka kohë ideale për të thënë se kur mund t’i jepet telefoni fëmijës, por ideale është që fëmijët të qëndrojnë larg telefonave të paktën 10 vjeçarin e parë të jetës së tyre.

    Ndërkaq ekspertët e Qendrës së Kërkimeve besojnë se janë disa komponentë të tjerë që duhen konsideruar më parë, duke përfshirë lehtësinë e komunikimit midis prindërve dhe fëmijëve, nivelin e maturimit të fëmijës dhe protokollimi i duhur për përdorimin e celularit. Nga hulumtimi që është kryer rezulton se fëmijët më të vegjël se 10 vjeç nuk duhet të përdorin telefonin celular. Theksohet se prindërit fillimisht fëmijëve duhet t’ju shpjegojnë pasojat e sjelljes së papërshtatshme dhe t’ju tregojnë shembuj nga jeta reale.

    Nga ana tjetër Rejhane Murati, prind i një fëmije, tregoi për gazetën KOHA se për shkak të përdorimit të celularit, fëmija ka pasur probleme me të folurit.

    “Para se të mbushte 1 vit i blemë një telefon, mirëpo nuk i menduam pasojat. Pas 3 vitesh fëmija kishte probleme me të folurit ku tani kujdeset një defektologe, mirëpo nuk ka zgjidhje për prindërit e angazhuar kur fëmijët qajnë, gjithmonë është zgjidhja e vetme, ku me telefon qetësohen pavarësisht se sa keq ndikon te ata”, deklaroi Rejhane Murati, prind. Studimi nuk ka gjetur efekte të tjera që mund të shkaktohen si pasojë e përdorimit të celularit në aftësitë e tjera komunikuese të fëmijëve si gjestet, gjuha e trupit apo ndërveprimi social. Por ndikimet e mëdha që këto pajisje kanë në të folurin e fëmijës, ja vlejnë të hetohen thellësisht në studime të tjera.

    Lajmi Paraprak

    Dibër, ulet interesimi për bimët mjekuese

    Lajmi i rradhës

    RMV, shënon shkallë të lartë të shpërnguljes masovike të popullatës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë