RMV, shënon shkallë të lartë të shpërnguljes masovike të popullatës

    Ballkani dhe Maqedonia me vite shënojnë shkalla të larta të shpërnguljes masovike të popullatës. Kjo ikje është edhe më e shprehur tek të rinjtë ku vetëm në 10-11 vitet e fundit është zvogëluar edhe numri I maturantëve për 40 për qind. Në kërkim të jetesës më të mirë dhe pagave më të larta, të rinjve ikin rruga pa kthim. Edhe sondazhet e ndryshme tregojnë se një përqindje e madhe e të rinjve kanë prirje dhe dëshirë për ikur jashtë shtetit. Çdo i treti i ri dëshiron të largohet nga vendi tregon hulumtimi i Agjencisë për Rini dhe Sport. Gjithnjë sipas sondazhit, dy të tretat e të rinjve mezi presin një shans për t’u larguar sepse janë të pakënaqur me arsimin, nuk shohin mundësi për zhvillim dhe janë pesimistë për hapjen e biznesit të tyre. Ata thjesht e shohin rrugëdaljen për një jetë dinjitoze përtej kufijve të vendit.

    Sipas të dhënave, 30 për qind e të rinjve të anketuar besojnë se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për zhvillim në vend. Një e treta e të anketuarve janë përgjigjur se kanë dëshirë të zhvillojnë biznesin e tyre, por se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të. Gjithashtu 24.4 për qind e të anketuarve do të kërkonin punë jashtë vendit dhe vetëm 23.3 për qind e të rinjve duan të punojnë në sektorin privat.

    Edhe sondazhet e tjera konfirmojnë trendet negative të ikjes së të rinjve jashtë shtetit. 83 për qind e të rinjve nuk u besojnë institucioneve për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe do të largoheshin për shkak të arsimit jocilësor, shkallës së lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurave të ulëta.

    Mbi gjysma apo 58 për qind e të rinjve do të largoheshin nga vendi, ndërsa 64.8 për qind e të rinjve janë të pakënaqur me jetën në vend, tregojnë të dhënat e Hulumtimit të Fondacionit për demokraci të Vesti-minster.

    Maqedonia në 10 vite ka humbur mbi 3 miliardë euro në rritjen e mundshme të ekonomisë , në rënien e konsumit dhe shpenzimet mbi arsimimin e tyre. Gjithashtu Fondacioni Vestminstar llogarit se vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin për shkak të migrimit të të rinjve mbi 3 miliardë euro çdo vit në rritjen e mundshme të ekonomisë dhe në rënien e konsumit. Nëse kësaj shifre i shtohen shpenzimet mbi arsimimin e tyre,atëherë kostoja në total është rreth 5.5 miliardë euro në vit. Vetëm në Maqedoninë e Veriut për këto shkaqe llogaritet se po humbet mbi 300 milionë euro për çdo vit, thonë nga Fondacioni VestMinster. Drejtoresha e këtij institucioni Dona Kosturanova, lidhur me pyetjen se sa janë pagat vendimtare për mbajtjen e të rinjve në vend, thotë se hulumtimit i tyre nuk ka trajtuar këtë temë në mënyrë specifike, por megjithatë shton se kur i pyesim të rinjtë se cila është një nga çështjet e rëndësishme, ata tregojnë punësimin.

    “Përskaj vetë vendeve të punës, ndoshta janë të rëndësishme edhe shpërblimi që kanë, kushtet e punës, por edhe karakteristika të tjera që i bëjnë vendet e punës të qëndrueshme dhe tërheqëse për të rinjtë. Kur i pyesim të rinjtë se çfarë duan të përmirësojnë, mësojmë se përveç punës cilësore, përmirësimi i arsimit , infrastrukturës, kujdesit ndaj mjedisit, sportit dhe rekreacionit dhe tema të tjera që nuk janë me interes vetëm për të rinjtë por janë të rëndësishme për të gjithë”, thekson Kosturanova.

    Së fundmi, edhe presidenti i shtetit ka shprehur brengosjen e tij për këtë çështje. Të gjithë e dimë arsyen e këtij eksodi. Të rinjtë e suksesshëm që shkojnë jashtë ndihen të tjetërsuar në vendin e tyre. Që nga pavarësia, të rinjtë janë margjinalizuar dhe reduktuar në marrës pasivë të politikave, thotë presidenti Stevo Pendarovski.

    “Energjia rinore shpesh keqpërdoret për qëllime dhe interesa të ngushta partiake. Çdo i dyti i ri nuk beson se vota e tij në zgjedhje do të sjellë ndryshim, gjithnjë e më pak të rinj besojnë se mund të avancojnë karrierën e tyre me përpjekje personale, sepse anëtarësimi në parti, lidhjet familjare dhe përkatësia etnike shpesh janë më të rëndësishme se dija dhe cilësia. Kjo hap një derë të gjerë për korrupsionin dhe çdo transaksion korruptues i parave dhe pushtetit vendos standarde të dyfishta, anulon barazinë para ligjit, shkatërron besimin tek institucionet dhe në fund zhvlerëson shtetin”, thekson Pendarovski.

    Ndryshe, rezultatet e regjistrimit tregojnë një tendencë shumë të qartë të migrimit të të rinjve gjatë 20 viteve të fundit. Nga viti 2002 deri në vitin 2021, numri i përgjithshëm i të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç është ulur me 150 mijë qytetarë. Një trend i tillë tregon se popullsia e vendit po plaket. Shqetësuese është edhe tendenca e njohur e largimit të të rinjve (ikja e trurit). Sipas regjistrimit të vitit 2021, rreth 100.000 qytetarë, të cilët në vitin 2002 ishin të moshës 15 deri në 29 vjeç, nuk jetojnë më në vend. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Celulari po i vret shpirtrat e fëmijëve”

    Lajmi i rradhës

    A do të frenojë Europa në Ballkan?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë