Çfarë dezinformata u përhapën për dy vrasjet që e tronditën RMV-në?

    Në lidhje me rastin e vrasjeve të së miturës Vanja Gjorçevska dhe të Pançe Zhezovskit, në shumë media në vend dhe në rrjetet sociale janë publikuar shumë informacione të gabuara, lajme të rreme dhe dezinformata.

    Me 03.12.2023, Petar Bogojeski, kryetar i partisë “Koncepti Maqedonas” botoi dezinformata se vrasësit e të miturës janë liruar, duke pyetur “a janë liruar të dyshuarit nga stacioni policor dhe a janë tashmë të bartur në Kosovë?!? “.

    Mirëpo të njëjtën ditë MPB njoftoi se “përkundër spekulimeve dhe dezinformatave se ky rast ka prapavijë etnike, ju njoftojmë se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase”.

    Gjithashtu, portali Euromapres paralajmëroi për akuza të rreme në Facebook se rrëmbyesi qenka pronar i një televizioni rom me prejardhje nga Kosova, i cili jeton prej 15 vitesh në Francë.

    Ndonëse MPB-ja kumtoi se “në rrethinën e Shkupit është gjetur trupi i pajetë i të miturës”, TV Sitel në lajmet e orës 21 raportoi se “trupi i saj i pajetë, sipas kumtesës së MPB-së, është gjetur në rrethinën e Velesit”. Në të njëjtën kohë, ndonëse MPB njoftoi se kufomat janë gjetur në dy lokacione të ndryshme, edhe TV Kanal 5 në kronikën e datës 4.12.2023 raportoi se i zhdukuri nga Velesi është gjetur “në të njëjtin vend pranë 14-vjeçares…”.

    Përveç kësaj, disa portale dhe ‘influencues’ kanë shpërndarë lajmin e rremë se i dyshuari kryesor për dy vrasjet është arrestuar në Kroaci.

    Më 05.12.2023, TV Alfa botoi kronikën “Shkup – Beograd – Stamboll – Minsk: I arratisuri më i kërkuar është në Bjellorusi?!”, në të cilën pretendohet pa prova se “Pallço ka pasur plan dhe biletë aeroplani për në Minsk, metropolin e Bjellorusisë pro-ruse.” Por më vonë doli se ai kishte udhëtuar fare me aeroplan.

    Para se të njoftonte MPB se i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjet ishte arrestuar në Turqi, disa portale raportuan gabimisht se ai qenka “arrestuar në pikë kufitare” dhe se ishte “ndaluar në kufi”. Mirëpo, në të vërtetë doli se i dyshuari i parë është arrestuar në qytetin Balikesir, i cili nuk ndodhet në afërsi të kufirit turk.

    Edhe ekipi i Vërtetmatësit botoi më tepër artikuj për postimet në rrjetet sociale, duke nxjerrë në pah të pavërtetat që përhapeshin për vrasjen e të miturës nga Shkupi, si dhe ato për të dyshuarin e parë.

    Siç e pamë, kjo tragjedi u keqpërdor nga shumë aktorë për të përhapur spekulime, informata të gabueshme, dezinformata dhe teori konspirative. Disa prej tyre padyshim kishin për qëllim të shkaktonin tensione ndëretnike dhe të minonin besimin në institucionet e sistemit. Prandaj, qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë ngjarjeve të tilla dhe të mbështeten vetëm në informacione të kontrolluara mirë dhe nga burime të besueshme. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Liridona dhe burrat e mjerë shqiptarë

    Lajmi i rradhës

    Disgrafia, vështirësitë me shkrimin si tregues i një çrregullimi në të nxënë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë