Çfarë do të thotë anëtarësimi i Ukrainës në NATO?

    Ukraina, e cila është në luftë me Rusinë që nga shkurti i vitit 2022, vazhdon të kërkojë me ngulm anëtarësimin në NATO sa më shpejt që është e mundur.

    Mirëpo, shtetet anëtare të aleancës perëndimore kanë qëndrime të ndryshme sa i përket asaj, se kur do të ishte koha e duhur që Ukraina të jetë anëtare e NATO-s.

    Përderisa shtetet lindore evropiane kërkojnë një lloj mundësie t’i ofrohet Kievit në samitin e NATO-s në Vilnius që do të zhvillohet në mes të muajit korrik, shtetet anëtare perëndimore si SHBA-të, Franca dhe Gjermania janë duke marrë në konsideratë për çdo aleancë që afrohet me luftën më Rusinë.

    Vendimi për të ftuar një shtet në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, duhet të merret me konsensus.

    Ani pse Ukraina ka marrë hapat në drejtim të anëtarësimit në NATO, ende ka shumë sfida – dhe këndvështrimi i Rusisë për zhvillimet mbetet më se i rëndësishëm.

    Në samitin e vitit 2008 në Bukuresht, NATO u pajtua se Ukraina, që njësoj si Rusia, ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në përfundim të saj në vitin 1991 – do të bashkohej me aleancën. Mirëpo, liderët e NATO-s deri më tani nuk kanë marrë ndonjë hap konkret – deri në finalizimin e bashkimit të Ukrainës me NATO – si Plani i Veprimit të Anëtarësimit (MAP), që do të jepte një afat që do të sillte Kievin më afër bllokut.

    Afatet

    Në një vizitë jo të zakonshme të sekretarit gjeneral të NATO-së, Jens Stoltenberg, në Kiev gjatë muajit prill, la të kuptohej se “vendi i merituar” i Ukrainës është në NATO, por nuk dha ndonjë afat të caktuar.

    Ai, tutje, bëri të ditur se Ukraina nuk mund t’i bashkohet NATO-s përderisa lufta me Rusinë ende është duke u zhvilluar.

    Në fillim të qershorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, bëri të ditur se pozicionin në të cilin gjendet Ukraina dhe tha se anëtarësimi i vendit të tij në NATO nuk është i mundur përderisa lufta është duke vazhduar.

    Procedurat

    Neni 10 i Traktatit të Uashingtonit thotë se anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo shtet evropian që ka gatishmëri për të çuar përpara parimet e këtij Traktati dhe për të kontribuar në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.

    Që nga viti 1999, shumica e shteteve që kanë synuar t’i bashkohen NATO-s, kanë marrë pjesë në atë që njihet si Plan i Veprimit të Anëtarësimit, një program i krijuar për t’i ndihmuar ata të përmbushin disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake.

    Kandidatët për anëtarësim duhet të jenë demokraci funksionale që i trajtojnë pakicat e tyre në mënyrë të barabartë, të zotohen të zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore dhe të demonstrojnë aftësinë dhe vullnetin e tyre për të ofruar mbështetje ushtarake për operacionet e NATO-s.

    Mirëpo, nuk dihet ende se si do të jetë rrugëtimi i Ukrainës drejt anëtarësimit.

    Ushtria e vendit ka bërë përparime të rëndësishme drejt standardeve të NATO-s që nga inkursioni i Rusisë 15 muaj më parë, pavarësisht se nuk i është dhënë një MAP.

    Ky proces pritet të përshpejtohet pasi Kievit përfundimisht i mbaron armatimi dhe municionet e krijuara nga kohët e Bashkimi Sovjetik dhe ndërsa Perëndimi trajnon trupat ukrainase në përputhje me standardet e NATO-s dhe prodhon armë gjithnjë e më të avancuara në vend.

    Së fundi, do t’u mbetet 31 vendeve anëtare të tanishme që të vendosin se sa shpejt dhe me çfarë kushtesh mund të anëtarësohet Ukraina në NATO.

    Neni 5

    Ukraina do të mbështetej nga masat mbrojtëse të Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit nëse ajo bashkohet me NATO-n. Sipas këtij neni, një sulm ndaj një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

    NATO u krijua në vitin 1949 me qëllimin kryesor për të reduktuar mundësinë e një pushtimi sovjetik në territorin aleat dhe thelbi i themelimit të aleancës është ofrimi i ndihmës reciproke.

    Po ashtu, Neni 5 përmendet si një nga arsyet kryesore pse Ukraina nuk mund të anëtarësohet në NATO teksa është në konflikt me Rusinë, pasi kjo mund ta tërheqë menjëherë aleancën në një luftë aktive.

    Pozicioni i Rusisë

    Me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, do të kishte probleme në vitet në vazhdim, ka deklaruar Kremlini.

    Rusia ka paralajmëruar se Moska do t’i mbrojë interesat dhe sigurinë e saj, të cilat ajo pretendon se janë në rrezik për më shumë se 20 vjet për shkak të zgjerimit të aleancës drejt lindjes në kufijtë e Rusisë me Evropën.

    Kremlini e ka parë prej kohësh zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore si dëshmi të armiqësisë së Perëndimit me Rusinë – diçka që fuqitë perëndimore e mohojnë, duke thënë se aleanca ka natyrë tërësisht mbrojtëse – dhe e ka përmendur këtë si arsye kryesore për vendimin e saj për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt 2022. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Propozimi i Perëndimit “do ta nxirrte veriun nga kriza”

    Lajmi i rradhës

    TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR | Xhaferi: Nuk jam ndjerë mirë me vendimin e gjykatës, nuk është e lehtë për një pasojë të tillë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë