Çfarë mbollëm në 2022, do ta korrim në 2023?

    Urtësia popullore shpesh mbledh mendimet më të mençura në thënie të shkurtra që bëhen thënie dhe fjalë të urta. Falë kësaj, përfaqësuesit e popullit mund t’i drejtohen lehtësisht kësaj mençurie dhe të përvetësojnë përvojën më të arsyeshme, siç thonë ata “për të mirën e përgjithshme”. Një shembull tipik është shprehja “Çfarë të mbjellësh, do të korrësh!”, e cila është e zbatueshme pothuajse kudo. E nëse i referohemi kësaj thënie, përfaqësuesit e popullit nuk kanë mbjellë aq gjëra të mira në vitin që po lëmë pas, për të korrur gjëra të mira në vitin që po vjen, e sidomos në fushën e sistemit të drejtësisë në vend. Viti 2022 në Maqedoninë e Veriut do të mbahet mend si viti i krizës ekonomike, politike dhe energjetike pa mos cekur edhe krizat në sferat tjera.

    KRYEMINISTËR PA ZGJEDHJE

    Në fillim të vitit 2022, përkatësisht më 16 janar, Parlamenti me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, zgjodhi për kryeministër Dimitar Kovaçevskin, pasi Zoran Zaev dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale. Kovaçevski një figurë jo shumë e njohur politike, pa karizëm politike dhe pa mbështetje në qarqet politike brenda dhe jashtë vendit. Kovaçevski njihej si një ekonomist që kishte edhe biznese, por nuk njihej në opinion për ndonjë gjë. Bashkë me të në qeveri u fut edhe një parti tjetër shqiptare Alternativa e cila u zotua se do të luftojë krimin, korrupsionin madje shkuan aq larg sa edhe futjen në qeveri e kushtëzuan në letër me zgjedhjen e rasteve të montuara, por vetëm pak javë pas kësaj, ata hoqën dorë nga këto kërkesa me arsyetimet e integrimit të vendit.

    Në planin ndërkombëtar Maqedonia e Veriut arriti të merr drejtimin e OSBE organizatës më të rëndësishëm për siguri dhe bashkëpunim, ndërsa marrëdhëniet me fqinjët konkretisht me Bullgarinë, ishin në nivelin më të ulët. Propozim plani i Francës për zgjedhjen e ngërçit me Bullgarinë hasi në kundërshtime të mëdha në vend ku eksponent politik jo vetëm të opozitës e cila kundërshtonte, por edhe të pozitës shprehin tone pesimiste në lidhje me këtë propozim edhe sikur rruga e integrimit të ndërpritej…. por i njëjti propozim kaloi në Parlament dhe më 19 korrik në Bruksel, Maqedonia zyrtarisht mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Por kjo sfidë vë sprovë të vështirë Kovaçevskin i cili duhet të sigurojë 80 vota për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese e cila është kusht që zyrtarisht vendi të nisë negociatat me BE-në.
    Në kampin politik opozitar mund të përmendet vetëm ndryshimet në partinë opozitare ASH e cila u karakterizua me dorëheqjen e liderit Ziadin Sela, i cili në zgjedhjet e jashtëzakonshme për këshillin në komunën e Tetovës, pësoi disfatë duke mos mundur të merr asnjë këshilltar. Kjo humbje shkaktoi tërmet në partinë opozitare me 8 deputet ASH, kurse forcoi pozitat e partisë së Kasamit e cila në zgjedhjet e jashtëzakonshme arriti të mund edhe një herë partinë shqiptare në pushtet BDI-në, duke konfirmuar veten se në rajonin e Pollogut vazhdon të mbetet parti më e fuqishme.

    (PA)DREJTËSIA

    Në vitin që po lëmë pas, Maqedoninë e karakterizuan edhe shumë afera korruptive dhe krime të cilat nuk patën epilogun e duhur. Vlerësimet e organizatave ndërkombëtare se në Maqedoninë e Veriut shkalla e korrupsionit është e lartë dhe se besimi në organet e drejtësisë ka rënë në nivelin më të ulët dëshmon se sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe nga biznes grupimet. E nëse këtu i referohemi thënies “Çfarë mbollëm, atë do të korrim”, nuk jep shumë optimizëm se drejtësia në vend do të “lulëzon” në vitin 2023. Analisti politik, Berat Azizi thotë se ndërrimet e shpeshta të drejtuesve më të lartë të Gjykatave dhe zgjedhja e figurave që nuk kanë luftuar fenomenet negative jep sinjalin se edhe gjatë kohë sistemi i drejtësisë në vend nuk do të vihet në binar. “Aktualisht vendi ndodhet para një sfide atë të luftës kundër korrupsionit apo e njohur si Vetting, që tek qytetarët duket si një mision i pamundur për shkak se të njëjtit duhet të zbatojnë Vettingun. Madje edhe presidenti i shtetit u shpreh me tone pesimiste në lidhje me realizimin e Vettingut në një shtet ku korrupsioni tashmë ka lëshuar rrënjë të thella. Mos dënimi i ish shefit të shërbimit sekret Sasho Mijallkov, ka shtuar edhe më tepër pesimizmin e qytetarëve se sistemi i drejtësisë do të funksionojë”, shprehet Azizi.

    EKONOMIA NË 2022

    Maqedonia e Veriut në vitin 2022 është vendi që më së shumti është prekur nga kriza ekonomike botërore duke shtuar kësaj edhe mungesën e një strategjie të mirëfilltë ekonomike e cila do të zbuste krizën e qytetarit. Ndihmat ekonomike për qytetarët në 2022 nuk mjaftojnë për të zbutur aspak gjendjen e mjerueshme duke patur parasysh standardin dhe çmimet stratosferike të prodhimeve ushqimore. Mekanizmi i shtetit për të kontrolluar rritjen e pakontrolluar të çmimeve nga bizneset ka dështuar plotësisht sepse kemi një rritje prej 40 deri në 70 për qind kurse ndihma është simbolike. Në anën tjetër shumë ekspert e konsiderojë si të gabuar hapin e qeverisë që të stimulohen bizneset prodhuese pasi ata ndoshta janë më profitabil në vend. Në lidhje me pagat Maqedonia e Veriut vazhdon të mos ketë një harmonizim të ligjeve të pagave në të gjitha sektorët. Diferencat e mëdha në shumë sektorë krijojnë pabarazi ekonomike dhe mllef tek një grupim i të punësuarve. Kriza energjetike më së shumti ka goditur familjet të cilat me të ardhura mesatare nuk kanë fuqi të shlyejnë të gjitha detyrimet.

    ESHS, NË MARS PUBLIKOI REZULTATET E REGJISTRIMIT

    Në fund të muajt mars, Enti Shtetëror i Statistikës publikoi rezultatet zyrtare të Regjistrimit të popullsisë në vend, i cili u mbajt nga 5 deri më 30 shtator 2021. Pas dy dekadash vakante, Maqedonia e Veriut realizoi dhe publikoi rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021 në të cilin shqiptarët rezultuan të ishin 29.5% e popullsisë së përgjithshme të vendit përfshirë ata që jetojnë jashtë të paktën për 1 vit. Popullsia e përgjithshme në vend është 1.836.713 banorë. Me regjistrimin e fundit, shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut dhe 24.3% janë banorë rezidentë në vend, ndërsa të tjerët jetojnë jashtë për të paktën 12 muaj. Në total numri i popullsisë ka regjistruar një tkurrje me rreth 185 mijë persona në harkun e 20 viteve. Maqedonasit përbëjnë sot 58.44% të popullsisë nga 64.17% në vitin 2002. Nga Enti kumtuan që vetëm 3500 bullgarë janë regjistruar, ndërkohë që sipas pretendimeve të Sofjes mbi 70 mijë maqedonas kanë marrë pasaportë bullgare që prej vitit 2010. Sa i përket pakicave të tjera etnike shifrat janë pothuajse të njëjta me ato të 2002-shit. Turqit përbëjnë 3.86% të popullsisë, romët 2.53% serbët 1.3%, boshnjakët 0.87% dhe vllahët 0.47%.

    IKJA E TË RINJVE

    2022-ta karakterizohet si viti ku më së shumti qytetarët e vendit kanë lëshuar shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë drejt vendeve evropiane. Është folur shumë për të parandaluar këtë fenomen, por pa ndonjë masë konkrete ose plan për të ndalur të paktën trurin këtu. Në vitin 2023 nuk pritet ndonjë ndryshim radikal sepse do të vazhdojë e njëjta politikë, kriza ekonomike nuk do të zbutet sepse paralajmërimet e para tashmë janë evidente shtrenjtim i energjisë elektrike dhe kjo do të ndikojë në rritjen e dhe të çmimeve tjera. Hapja e vendeve të reja të punës nuk duket aspak në horizont pasi shumë kompani te ne ballafaqohen me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të ofertës së varfët që kanë vetë ato.

    “Ikja e të rinjve do të parandalohet vetëm nëse përmirësojmë sistemin e drejtësisë, parandalojmë korrupsionin dhe krimin, ofrojmë kushte më të mira për të rinjtë dhe instalojmë sistemin e drejtësisë dhe meritokracisë në të kundërtën ikja do të vazhdojë”, thotë Berat Azizi, analist.

    SKENË POLITIKE ME NDRYSHIME TË PJESSHME

    Diçka që shënoi këtë vit është sigurisht inflacioni, vetoja e Bullgarisë, propozimi francez dhe sigurisht kriza e vazhdueshme politike në të cilën gjendemi vazhdimisht në vitet e fundit, thotë politologu, Dimitar Hristov.

    “Për të filluar me optimizëm, së pari shpresoj për stabilizim kur bëhet fjalë për inflacionin, por jo menjëherë, diku në mes të vitit, çmimet do të mbeten në një nivel më të lartë se sa jemi mësuar, por pres stabilizim. Për sa i përket eurointegrimeve, pres që situata me Bullgarinë të zvarritet sërish dhe nuk shpresoj që ata të heqin shpejt veton derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre. Duhet urgjentisht diplomaci më e fortë. Pra, nuk pres një hapje dhe marrjen e një date për negociatat me BE. Brenda, pres zgjedhje të shpejta, diku në prill ose maj, që ndoshta do të nënkuptonte fundin e disa karrierave politike. Nëse VMRO DPMNE nuk fiton, jam i sigurt se do të jetë fundi i Hristijan Mickoskit. Në LSDM-në në pushtet, do të varet shumë edhe nga mënyra se si do të shkojnë ato zgjedhje, por nuk pres përmbysje të mëdha në mesin e tyre. E Majta dhe partia e re politike e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievskit mund të kenë rritje më të madhe. Me bllokun shqiptar situata do të mbetet në status quo, BDI nuk do të jetë parti opozitare dhe partitë më të vogla nga ky bllok do të mbesin në të njëjtin nivel si tani”, ka deklaruar për KOHA, Dimitar Hristov, politolog.

    PO LËMË PRAPA NJË VIT ME 365 SKANDALE

    Në përfundim të vitit 2022 nga partia opozitare VMRO-DPMNE, kanë reaguar duke thënë se prapa vetës jemi duke lënë një vit me skandale dhe dështime të shumta të Qeverisë. Nga atje thonë se Qeveria e Kovaçevskit dhe Ahmetit prapa vetes po lenë një vit me 365 skandale. VMRO, nënvizon se populli dhe biznesi po varfërohen, ndërsa funksionarët e korruptuar të pushtetit po i mbushin xhepat e tyre. Sipas tyre, gjysmë milion qytetarë jetojnë në varfëri.

    “Të punësuarit në postat e Maqedonisë, prodhuesit e orizit, dhe të punësuar në kompani tjera nuk arritën të paguajnë mundin, por për këtë drejtoria për libra amë ka dhënë tender për digjitalizimin e kompanisë e formuar pak para shpalljes së furnizimit publik. Ky ishte vit që e shënoi keqpërdorimet e detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i parave popullore. E kështu mësuam se gen-seku i Qeverisë Muhamed Zekiri po ngarkohet për dëmtim të buxhetit shtetëror në vlerë prej thuajse një milion euro për studim fizibiliti për privatizimin e postës. Për këtë rast, hetimi nuk u zgjerua të shihet se kush nga përfaqësuesit e Zekirit ka marë pjesë në këtë vepër, gjegjësisht nëse Zaev apo ministrat tjerë e kanë nxitur veprën”, thonë nga partia e Mickoskit.

    Nga atje gjithashtu thonë se për shkak të Bullgarisë, Maqedonia ishte e detyruar të ndryshojë librat, ngjarjet dhe figurat kombëtare.“Ky pushtet kriminogjen planifikon të vazhdojë sikur deri tani. Kjo duhet të ndalojë. Maqedonia mundet dhe patjetër duhet të ketë Qeveri të re e cila do të punojë në interes të qytetarëve”, thonë në fund nga atje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sa është borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut?

    Lajmi i rradhës

    RMV – Taksë në një vit krize

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë