RMV – Taksë në një vit krize

    Mbi 180 kompani ndër to edhe disa nga bankat më të mëdha në vend, e që kanë të ardhura mbi 10 milionë euro në viti pritet që nga viti 2023 të paguajnë ekstra tatim në fitim. Nga Ministria e Financave thonë se mjetet e grumbulluara në arkën e shtetit prej afër 90 milionë euro do të shkojnë për masat e reja anti krizë. Me fjalë të tjera, me këtë tatim do të përfshihen biznese me të ardhura më të larta se 10 milionë euro, por vetëm nëse ai është për 20 për qind më i lartë se mesatarja e arritur në 4 vitet e fundit. Apo thënë ndryshe, kompanitë që do ta mbyllin këtë vit me 10 milionë euro të ardhura, ndërsa mesatarja që kanë pasur 4 vite më parë është 8 milionë euro, do të paguajnë taksë shtesë për 2 milionë euro shtesë të fituara. Ky tatim, sipas paralajmërimeve , do të ishte i njëfishtë dhe do të vlente vetëm për vitin 2023.

    Ky ligj do të përfshijë kompanitë nga të gjithë sektorët ekonomikë dhe jo vetëm nga disa aktivitete, siç është rasti në vendet e tjera që kanë vendosur një masë të ngjashme.Komuniteti i biznesit vlerëson se këto tatime nuk duhet ti paguajnë të gjitha kompanitë që kanë pasur fitime ekstra, por vetëm ato që kanë përfituar nga kriza. Për më tepër shtojnë se ai paraqet edhe rrezik për investitorët.

    Zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, thotë se simulimet tregojnë se tek disa kompaninë më të mëdha, ky tatim nuk do të ndikojë shumë ndaj punës dhe profitit të tyre.

    “Qëllimi nuk është të ndëshkojmë askënd, por të mbledhim më shumë para në një vit krize dhe do të rëndojmë ato kompani që janë të mëdha dhe mund të përballojnë një taksë më të lartë, bëhet fjalë për një numër të vogël kompanish që kanë të ardhura mbi 10 milionë euro dhe një fitim mbi 1 milion euro dhe taksa është futur vetëm për vitin 2023 dhe do të paguhet vetëm për atë shumë fitimi mbi fitimin e një viti më parë, pra është taksë krize në një vit krize”, thekson Bytyqi.

    Duke shpjeguar modelin e ri të tatimit për ekstra fitim ai thotë se nëse supozojmë se një kompani ka një fitim mesatar për katër vitet e fundit prej një milion eurosh dhe këtë vit lejohet plus 20 për qind, kjo do të thotë 1.2 milion euro fitim. Deri në 1.2 milion euro do të ketë të njëjtën normë tatimore që ka qenë deri tani. Për diferencën nga 1.2 milion euro në fitimin e ri eventual, që le të themi se është dy milionë euro, apo në 800 mijë euro, do të llogaritet 30 për qind tatim fitimi shtesë. Kjo do të thotë se kompania do të paguajë 240 mijë euro shtesë tatim fitimi vetëm për këtë vit. Pra, ky është ndryshimi i vetëm, thekson ai.

    Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut thekson se miratimi i ligjit për tatimin shtesë mbi fitimin në fund të vitit 2022, paraqet rrezik për reputacionin e shtetit dhe krijon pasiguri tek investitorët ekzistues dhe ata potencial, veçanërisht duke pasur parasysh që shtetet fqinje nuk kanë vendosur tatim të ngjashëm. Nga Oda ekonomike thonë se me konceptin e propozuar, kompanitë që kanë investuar në vitet e mëparshme dhe kanë realizuar një fitim më të vogël, krahasuar me fitimin potencialisht të rritur në vitin 2022, që do të realizonin si rezultat i investimeve, rritjes së efikasitetit në punë dhe rritjes së produktivitetit të punonjësve, vendosen në një pozicion të pafavorshëm.

    Projektligji për ekstra fitimin është dorëzuar në Parlament, por opozita ka njoftuar se nuk do ta mbështesë.

    “Ne planifikojmë ta bllokojmë këtë masë, sepse kjo nuk është një luftë kundër ekonomisë gri. Këto janë kompani që janë tatimpagues dhe për disa prej tyre është rritur fitimi sepse paraprakisht kanë investuar në prodhimtari dhe rritje e numrit të punëtorëve”, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

    Nga ekzekutivi thonë se fitimi shtesë tatohet në Britaninë e Madhe, me norma 30 dhe 35 për qind, në Hungari nga 25 në 65 për qind (atje, përveç kompanive energjetike, kompanitë nga trafiku ajror, shërbimet financiare, tregtia me pakicë. dhe përfshihen edhe të tjera ), në Kroaci me 33 për qind, në Itali me 50 për qind. Kufiri që konsiderohet fitim shtesë është gjithashtu i ndryshëm. Në Kroaci është 20 për qind mbi mesataren, por i gjithë fitimi merret si një bazë, në Itali është 10 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë mbollëm në 2022, do ta korrim në 2023?

    Lajmi i rradhës

    Në ora 00:01 lindi foshnja e parë e vitit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë