Çfarë nënkupton pezullimi i marrëveshjes së drithërave nga Rusia?

    Associated Press

    Rusia ka pezulluar pjesën e saj të marrëveshjes të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara. Kjo marrëveshje i mundëson Ukrainës të eksportojë në mënyrë të sigurt drithëra nga portet në Detin e Zi, teksa lufta po vazhdon. Moska ka thënë se nuk do të lejojë anijet ukrainase që të lundrojnë.

    Më 31 tetor, Ukraina tha se dhjetëra anije lundruan pavarësisht raportimeve të para se më shumë se 200 anije, shumica të ngarkuara me dërgesa dhe të gatshme për udhëtim, u bllokuan pas njoftimit të Rusisë të bërë gjatë fundjavës. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se është pezulluar qarkullimi i anijeve, duke shtuar se vazhdimi i dërgesave “është i papranueshëm”, pasi Moska pretendoi se sulmet me dronë nga Ukraina, kanë pasur për cak flotën e saj në Detin e Zi.

    Këto eksporte janë kruciale: Ukraina dhe Rusia janë eksportueset kyçe botërore për grurin, elbin, vajin e lulediellit dhe ushqimeve të tjera që dërgohen në Afrikë, Lindje të Mesme dhe pjesë të Azisë ku shumë përballen me uri.

    Më poshtë mund të mësoni se çfarë nënkupton ky vendim i Rusisë për botën që po shqetësohet gjithnjë e më shumë për sigurinë ushqimore dhe po përballet me rritje të çmimeve të ushqimeve.

    Çfarë ka arritur marrëveshja?

    Nisma për drithërat ka qenë një shembull i rrallë i bashkëpunimit midis Ukrainës dhe Rusisë qëkur Rusia nisi pushtimin në shkurt. Marrëveshja, që u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, ka mundësuar që mbi 9 milionë tonë drithë të largohen sigurt nga portet ukrainase përmes 397 anijeve.

    Marrëveshja për drithërat bëri që çmimet globale të ushqimeve të binin për 15 për qind, pasi arritën nivele rekorde në mars, tha OKB-ja, dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka kërkuar nga Rusia dhe Ukraina që ta zgjasin këtë marrëveshje, e cila skadon më 19 nëntor.

    Pas njoftimit të Rusisë, çmimet e grurit u rritën për 5 për qind. Me tregjet e shtrënguara globale, shtetet më të varfra do të duhet të paguajnë më shumë për importet e grurit, tha Joseph Glauber, hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Politikave Ushqimore në Uashington.

    Para se të arrihej marrëveshja për drithërat, SHBA-ja dhe Evropa akuzuan Rusinë se po linte pa ushqim pjesët më të ndjeshme të botës, duke ua pamundësuar eksportet. Qëkur është arritur marrëveshja, presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se shumica e drithërave të eksportuara po shkojnë në Evropë në vend se në shtetet më të varfra të botës.

    Shefi i agjencisë humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, tha se 23 për qind e totalit të eksporteve nga Ukraina – nën marrëveshjen e drithërave – ka shkuar në shtetet me të ardhura të ulëta, dhe të ardhura të mesme të ulëta, dhe 49 për qind e të gjitha dërgesave me grurë kanë shkuar në shtete të tilla.

    Ukraina ka thënë se mbi 5 milionë tonë janë eksportuar në shtetet afrikane dhe azatike, me 190.000 tonë grurë të dërguar në shtetet që marrin ndihmë nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.

    Po anijet që janë larguar së fundi nga Ukraina?

    Një anije që bartte 30.000 tonë grurë për në Etiopi, nën programin e OKB-së, u nis drejt këtij shteti të hënën, tha Ukraina. Kjo ishte një prej dhjetëra anijeve që kanë bartur mbi 354.000 tonë produkte bujqësore dhe Ukraina tha se ato u larguan nga portet e saj pasi OKB-ja dhe Turqia u pajtuan që anijet të qarkullonin përmes korridorit humanitar. Etiopia, së bashku me Somalinë dhe Kenian, janë të prekura jashtëzakonisht shumë nga thatësira më e rëndë që ka goditur rajonin e tyre në dekada.

    Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt më 31 tetor, se “Deti i Zi vazhdon të jetë një zonë armiqësore” dhe se “nuk mund të lejojmë kalim të papenguar të anijeve pa inspektimin tonë”.

    Nebenzia tha se Rusia kundërshton vendimin e OKB-së, Ukrainës dhe Turqisë, për të lejuar anijet që të kalojnë pa u inspektuar nga Rusia. Moska tha se së shpejti do të prezantojë masat për kontroll.

    William Osnato, analist i lartë për të dhënat bujqësore dhe analiza në kompaninë Gro Intelligence, tha se harta e gjurmimit të anijeve nuk tregon se ndonjë anije është nisur drejt Odesës.

    Çfarë do të ndodhë?

    Rusia ka ofruar që të furnizojë me 500.000 tonë drithëra “shtetet më të varfra pa asnjë pagesë në katër muajt e ardhshëm”. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Rusia nuk është tërhequr nga marrëveshja për drithërat, por e ka pezulluar atë.

    Përderisa sanksionet ndaj Rusisë nuk prekin eksportet e grurit dhe kjo marrëveshje e arritur në kohë lufte kishte për qëllim që të hapte rrugën për dërgesat me ushqim dhe plehra artificiale të Rusisë, disa biznese kanë qenë shumë skeptike.

    Shtetet në zhvillim do të duhet të gjejnë furnizues të rinj të drithërave dhe të paguajnë më shumë për importet nga shtetet sikurse SHBA-ja, Argjentina dhe Australia, tha Glauber, ish-shef i ekonomistëve në Departamentit amerikan të Agrikulturës. Por, çmimet e larta nënkuptojnë se prodhuesit do të mbjellin më shumë, dhe shtetet që nuk janë eksportues të mëdhenj të grurit, sikurse Brazili dhe India, kanë rritur furnizimet.

    “Ajo çfarë i duhet botës tash është një mbjellje e madhe e produkteve bujqësore”, tha ai, teksa shtoi se pasi Ukraina ka rreth 10 për qind të eksporteve botërore të grurit “kjo është një sasi e madhe” që duhet të mbulohet.

    Çfarë tjetër ndikon në furnizimet ushqimore?

    Peter Meyer, kreu i analizave për drithërat në S&P Global Platts tha se ka dyshime se vendimi i Rusisë do të ketë ndikim afatgjatë në çmimin dhe furnizimet me grurë dhe misër. Tregtarët, tha ai, kanë dyshime se marrëveshja do të jetë afatgjatë dhe kjo sipas tij, ka ndikuar që çmimet e misrit të rriten qëkur marrëveshja u arrit në korrik.

    Tregjet e drithërave po ashtu janë të përqendruara në çështje të tjera, tha Meyer, përfshirë edhe shqetësimet për nivelin e ulët të ujit në Lumin Misisipi që ka ngadalësuar eksportet e SHBA-së dhe ka shkaktuar që të ketë më pak rendimente të misrit në Amerikën Perëndimore.

    Por, në disa pjesë të kontinentit afrikan, ku çmimet janë të larta, shqetësimet po vazhdojnë të rriten.

    “Kjo do të jetë edhe një goditje tjetër në tregje dhe mendoj se çmimet do të rriten për një kohë”, tha Shaun Ferris, këshilltar për agrikulturë në një kompani partnere të Programit Botëror të Ushqimit. “Kjo do të nënkuptojë se çmimet në Afrikën Lindore – që janë në nivel rekord – nuk do të zbresin në një të ardhme të afërt”.

    Pas katër sezoneve të dështuara të shiut në Afrikë, miliona njerëz janë të uritur dhe miliona bagëti, që janë burim kryesor i ushqimit, po vdesin. Ferris tha se ai ka biseduar me kompanitë që po dërgojnë qindra tonë ushqime të përpunuara në Kenian Veriore me qëllim që bagëtitë të mbahen gjallë.

    Por, ngecja e fundit në eksportet ukrainase është një rëndesë e re, tha ai.

    Në vendet më të varfra të Afrikës së Veriut dhe në Lindjen e Mesme, ku buka është pjesë esenciale e dietës së qytetarëve, ndoshta nuk do të ketë alternativa, sikurse në Azi është orizi apo melekuqja në Afrikë, tha Glauber. Kjo rrit shqetësimet për trazira në shtetet ku çmimet e bukës nxitën kryengritjes e Pranverës Arabe.

    Në Egjipt, importuesin më të madh në botë të grurit, presidenti Abdel Fattah el-Sissi ka vizituar fermerët që mbjellin grurë, kur nisi sezoni i korrjes në pranverë. Por, vështirësitë ekonomike e kanë bërë më të vështirë blerjen e grurit nga jashtë, pasi monedha kombëtare e Egjiptit ka humbur vlerën ndaj dollarit amerikan.

    “Ka grurë, por ai do të blihet me çmim të shtrenjtë”, tha Glauber. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rohde: Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të shpjegojnë realitetin

    Lajmi i rradhës

    ‘Gazetat janë shpesh skllave të internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false’

    Lajme tjera

    VMRO e vetme, pa shqiptarët

    VMRO-DPMNE përsërit pothuajse pa ndërprerje kërkesën për zgjedhje të shpejta të parakohshme në pranverë. “Fatkeqësisht, ne nuk shohim…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë