Rohde: Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të shpjegojnë realitetin

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se do të donte të shihte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që “të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin” e situatës në Kosovë.

    “Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serb të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter, më 1 nëntor.

    Ai i ka bërë këto komente, në ditën kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

    Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

    Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

    Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

    Ndërkaq, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.

    Poashtu, ajo ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri dhe vendkalimet kufitare me Serbinë, në rast se autoritetet e Kosovës konfiskojnë automjetet me targa të lëshuara nga Serbia.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 1 nëntor, ka thënë se deklaratat e Listës Serbe “tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime” lidhur me riregjistrimin e makinave të tyre që kanë targa jolegale dhe konvertimin e tyre në targa RKS, “por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale”.

    “Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat (lehtësimet) tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhepo i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha Bislimi.

    Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

    Por, autoritetet e Kosovës thonë se pagesa e tarifave nuk do të vlejë për ata qytetarë që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS. Ata gjithashtu do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS deri më 30 mars.

    Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa lehtësira. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjërat që nuk duhet t’i mbani kurrë në hapësirën poshtë lavamanit

    Lajmi i rradhës

    Çfarë nënkupton pezullimi i marrëveshjes së drithërave nga Rusia?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë