Çfarë parasheh projektligji i ri i Macronit për migrantët?

    Reuters

    Ligjvënësit francezë kanë nisur të diskutojnë këtë javë për versionin e ri qeveritar të projektligjit për migrantët.

    Qëllimi fillestar i presidentit francez, Emmanuel Macron, ka qenë që t’i kënaqë dy krahët e koalicionit qeveritar, duke e përshpejtuar dëbimin e disa migrantëve.

    Në anën tjetër, parashihet lehtësim i procedurave për të marrë leje qëndrimi për ata që punojnë në sektorët që kanë vështirësi të gjejnë punëtorë.

    Për projektligjin është duke u punuar qysh prej vitit të kaluar.

    Debati është shtyrë disa herë për shkak të mungesës së mbështetjes parlamentare për miratim.

    Qeveria ka thënë se vrasja e mësuesit francez nga një militant islamist i lindur në Rusi, muajin e kaluar, e ka rritur urgjencën për projektligj për migrantët, për të cilin kanë nisur diskutimet në Senatin e kontrolluar nga opozita, më 6 nëntor.

    Kjo fotografi nga lart e bërë më 16 shtator 2023, tregon tendat e emigrantëve në një kamp në periferi të qytetit Calais, në Francë.
    Kjo fotografi nga lart e bërë më 16 shtator 2023, tregon tendat e emigrantëve në një kamp në periferi të qytetit Calais, në Francë.

    Pse është duke tentuar ta miratojë sërish Franca këtë projektligj?

    Rritja e mbështetjes për të djathtën ekstreme në Francë, Itali, Gjermani dhe vende të tjera në Evropë, nënkupton që kufizimi i migrimit është bërë çështje politike kyçe.

    Franca i ka regjistruar 155.773 kërkesa për azil më 2022, rritje për 28 për qind, në krahasim me vitin paraprak, si dhe rritje edhe të shifrave para pandemisë së koronavirusit.

    Megjithatë, kjo shifër është shumë më e vogël sesa e Gjermanisë, e cila i ka regjistruar 243.835 kërkesa për azil më 2022.

    Muajin e kaluar, ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, dhe ministra të tjerë prej vendeve të BE-së, kanë thënë se rikthimi i sulmeve islamiste në veri të Francës dhe në Bruksel, e ka vënë në pah nevojën e bllokut evropian për verifikim më të madh të migrantëve dhe azilkërkuesve, si dhe për dëbim të atyre që konsiderohen të rrezikshëm për sigurinë.

    Projektligji në fjalë për migrimin është i 29-ti në Francë prej vitit 1980 dhe është i dyti prej kur Macroni është emëruar si president për herë të parë më 2017.

    Përmbajtja e projektligjit

    Darmanin ka thënë se projektligji synon “mikpritjen e dadove, kamerierëve, mbledhësve të pemëve, dhe jep më shumë autoritet për dëbim të delikuentëve”.

    Dokumenti parasheh edhe masa që ua lehtësojnë konservatorëve triumfin në parlament, sikurse dëbimin më të lehtë për migrantët pa dokumente, mohimin e përfitimeve për ata që është marrë vendim të largohen prej shtetit, dhe heqjen e një pike që ia parandalon Qeverisë dëbimin e personave problematikë, që kanë shkuar në Francë nën moshën 13-vjeçare.

    Cilat janë pikat kryesore?

    Dispozita në projektligj, që e lehtëson punën për migrantët në sektorët ekonomikë ku ka mungesa të fuqisë punëtore, është kthyer ndër pikat kryesore.

    I ashtuquajturi Artikulli 3, i ka ndarë ligjvënësit, sidomos brenda koalicionit pakicë të Macronit, mirëpo edhe brenda konservatorëve të partisë Les Republicains, në të cilët varet Qeveria për ta miratuar dokumentin në dy nivelet parlamentare.

    Konservatorët dhe deputetët e qendrës në Senat kanë arritur marrëveshje për Artikullin 3, më 7 nëntor, duke e zëvendësuar me dispozitën që do t’ua mundësonte migrantëve pa dokumente në sektorët kyçë që të kërkojnë leje qëndrimi pa autorizim prej punëdhënësit.

    Prandaj, pritet të vendosen kritere shumë të ashpra për miratim të këtij legjislacioni.

    Senati i kontrolluar prej konservatorëve ka bërë që projektligji të jetë në të mirë të së djathtës, pasi migrantëve pa dokumente ua ka hequr qasjen në sistemin shëndetësor francez, dhe e ka zëvendësuar me dispozitën që mundëson vetëm qasje në kujdes emergjent shëndetësor.

    Grupet për ndihma, përfshirë Amnesty International, kanë thënë se projektligji është sulm në të drejtat themelore të njeriut.

    Edhe me një marrëveshje në Senat, projektligji duhet të miratohet edhe në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ku mbështetësit e Macronit janë të ndarë.

    Cilat janë rreziqet për Qeverinë?

    Më pak se një vit para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, kredibiliteti qeveritar është ende çështje e diskutueshme.

    Dështimi për të arritur marrëveshje do ta vështirësonte mundësinë e Macronit për t’i miratuar reformat para fundit të mandatit të dytë presidencial, dhe mund t’i bindë votuesit që të drejtohen te partitë tjera në zgjedhjet e ardhshme, përfshirë të djathtën ekstreme.

    Qeveria e Macronit mund të përdorë fuqi të posaçme kushtetuese për ta miratuar projektligjin.

    Mirëpo, një hap i tillë mund të përcillet potencialisht me tensione të mëdha.

    Arritja e marrëveshjes mund të mirëpritet nga Macroni, por edhe nga Darmanin, pasi kredibiliteti i tyre vetëm sa do të riforcohet. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “T’i trajtojmë disi njerëzit ndryshe”: Nevoja për besim mes serbëve dhe Qeverisë

    Lajmi i rradhës

    Qeverisë nuk i bëjnë përshtypje vërejtjet e Komisiont Europian për RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë