Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e njëmbëdhjetë të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e njëmbëdhjetë e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Izari: Për komunën e Zhelinës premtoj ujësjellësin nga Mali Sharr

    Kandidati i BDI-së në komunën e Zhelinës, Fatmir Izairi në tubimin qendror të mbajtur në fshatin Zhelinë ka folur për programin politik të tij gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar. Izairi ka premtuar para banorëve të kësaj komune një ndër projektet kapitale, gjegjësisht ujësjellësin nga Mali sharr.

    “Ajo që dua të veçoj në këtë program është ujësjellësi nga Mali sharr për katër komunat, Vrapçisht, Bogovinë, Bërvenicë dhe Zhelinë.” – ka theksuar Fatmiri.

    “Gjërat nuk marrin kuptim nëse nuk krahasohen. Andaj mjafton t’ia hedhni një sy vendbanimeve të komunës tonë. Ta krahasoni si ishte dhe si është tani. Diferenca e madhe me një kahje të thellë negative të lëvizjes së punëve në komunën tonë është motivimi im, që t’i vazhdoj proceset që për fat të keq u ndërprenë. E për fatin edhe më të keq edhe atë që ndërtuam nuk arritën dot së paku ta mirëmbajnë. Diferenca është sot gjelbërimi i tharë, mbeturina kudo, rrugë të papastruara e shumë e shumë probleme të tjera që kanë qenë pjesë e jetës sonë në këto katër vitet e fundit.”

    Izairi u bëri thirrje të gjithë banorëve që të veprojnë drejtë dhe të votojnë blertë. Përndryshe Izairi do të jetë në garë me kandidatin Blerim Sejdiu nga radhët e Lëvizjes Besa, Mahir Ziberi – ASH dhe Medin Izari – PDSH. Dita e zgjedhjeve do të jetë më 17 tetor.

    Bejta: Do t’i largojmë kazinot nga qendra e qytetit

    Kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI dhe Iniciativës qytetare Gostivari që dua, sot përmes një konference për media ka premtuar se në qendrën e Gostivarit nuk do të ketë kazino.

    “Vota juaj për mua si kryetar komune dhe për BDI është një votë kundër Kazinove në qendër të qytetit dhe për një Gostivar modern, të sigurt dhe të pastër”, përfundoi Bejta.

    Bejta tha që edhe pse ishte premtuar në vitin 2017 se do të hiqen kazinotë nga qendra e qytetit – asnjë nuk është mbyllur që atëherë, shumë të reja janë hapur.

    Ne, tha Bejta, “po jetojmë në një shoqëri të lirë dhe secili mbi 18 vjeç do të vendosë vetë nëse dëshiron të luajë në një kazino apo jo – por si shoqëri nuk duhet të lejojmë që qyteti ynë të ketë kazino në çdo cep, pasi ato janë pranë shkollave tona dhe tërheqin brezit tonë të ri të hynë brenda”.

    Zaev nga Shtipi paralajmëroi se vjen koha për projekte të mëdha të komunave

    Vjen koha e projekteve të mëdha për komunat, katër vitet e kaluara  dëshmuam se Qeveria, ka dëgjim  për komunat, janë realizuar mbi 7.000 projekte në të gjitha komunat, janë ndërtuar 60 kopshte, 80 shkolla, 60 objekte për policinë, 34 institucione shëndetësore, 20 shtëpi të kulturës, teatro, ndërtesa komunale, porositi sonte  nga mitingu në Shtip,  kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, në të cilën u promovua kandidati për kryetar të komunës së Shtipit, Sashko Nikollov dhe lista për këshilltarë e udhëhequr nga Aleksandar Mishev.

    Zaev e kërkoi mbështetjen e banorëve të Shtipit për kandidatin për kryetar komune, Sashko Nikollov dhe listën e këshilltarëve, me qëllim që projektet të vazhdojnë edhe në katër vitet e ardhshme, mes projekteve prioritare është rikonstruimi i linjës së vjetër të ujësjellësit, ndërtimi i qarkores Perëndim, gazifikimi sekondar i qytetit të Shtipit.

    Pse nuk ranë në ujdi për një kandidat të përbashkët shqiptar në Bërvenicë? Kërkohet të hidhet short në debat

    Katër kandidatë shqiptarë për kryetar të komunës në Bërvnicë ku ka mbi 3500 votues shqiptar.

    Por, të pyetur se pse nuk ranë në ujdi për një kandidat të përbashkët duke e ditur këtë rrezik, kandidati i ASh-AAA-së, Argjent Gurra me propozim ekskluziv – të hidhet short për t’u tërhequr njëri kandidat. Sipas tij problemi është shkaktuar nga kandidatura e pavarur.

    Por, këtë ofertë nuk e pranon kandidati i BDI-së, Arkin Jahiji. Sipas tij për t’u kandiduar ai janë bërë analiza dhe se BDI qysh në pranverë ia ka bërë me dije Enver Pajazitit – kandidatit të pavarur se nuk do të ketë mbështetjen e kësaj partie.

    Por pse vendosi të kandidojë Enver Pajaziti edhe për një mandat. Ai tha se oferta për kandidat të përbashkët i është bërë shumë vonë, në 5 në 12.

    Kandidatët për kryetar në komunën e Tetovës e vënë theksin përsëri te uji

    Në emisionin “Rruga Drejt” ishin të ftuar kandidatët për kryetar në komunën e Tetovës, Teuta Arifi nga rradhët e BDI-së, Vullnet Murseli-ASH-AAA, Bilall Kasami-Lëvizja Besa dhe Sadi Bexheti-PDSH. Secili nga kandidatët shpalosi programin e tyre politik dhe poashtu folën për problematikat që hasin qytetarët e komunës së Tetovës, duke filluar nga ndërtimet pa leje, kaosi urbanistik, financat e komunës së Tetovës, si dhe ndërtimi i shkollave dhe riparimi i tyre.

    Teuta Arifi, ka thënë se e arritura më e madhe e saj për Tetovën, ishte ndërtimi dhe kompletimi i tubacionit për ujin.
    “Mungesa e ujit ka qenë problem në të kaluarën, por pas ndërtimit të tubacionit të ri dhe stacionit të filtrimit, në pjesët të cilat i mbulon  ujësjellësi i Tetovës, mendoj që ne kemi zgjidhjen e duhur dhe kemi përmirësuar furnizimin me ujë deri në 24 orë. E arritura më e madhe e jona është ndërtimi dhe kompletimi i tubacionit”, u shpreh Arifi.

    Bilall Kasami ka thënë se Tetova, është në gjendje katastrofike sa i përket financave, derisa ka theksuar se kësaj komune i duhet një menaxher i mirë që të ketë një buxhet të qëndrueshëm.
    “Niveli i pagesës së taksave është në nivelin më të ulët në gjithë komunat e Maqedonisë së Veriut. Pra komuna e Tetovës në vitin 2020-të vetëm, 11% të buxhetit e ka mbushur me të ardhurat tatimore të saj. Pra edhe ato 11% nuk i ka realizuar ato që ka planifikuar në vitin 2020-të. Financat e komunës së Tetovës janë katastrofike. Tetova duhet të ketë një menqaxher i cili do të dijë t’i menaxhojë financat e saj dhe të kemi një buxhet të qëndrueshëm” deklaroi Kasami.

    Vullnet Murseli ka thënë se në Tetovë është bër krim urbanistik, derisa ka shtuar se komuna ka qenë e interesuar për ryshfetin e jo për cilësinë e jetës.
    “Në Tetovë është bërë krim urbanistik. Kanë ndërtuar pa leje sepse komuna ka qenë e interesuar për ryshfetin, s’ka qenë e interesuar për cilësinë e  jetës. Ka komplet lagje që janë ndërtuar pa leje, sidomos këto 12 vitet e fundit. Këto janë lejuar për interes të ulët. Ne kemi synim projektimin e planit gjeneral urbanistik, ku parashihet rregullimi i cdo vendi në Tetovë, ku ka nevojë”, deklaroi Vullnet Murseli.

    “Shkollat janë lënë pas dore, derisa problemi është shumë i thellë, pasi që, edukimi nuk është si duhet. Shkollat kanë politizim në përgjithësi sigurisht sepse partitë që janë në pushtet gjithmonë mundohen t’i vendosin drejtorat t’i realizojnë qëllimet e veta. Në të ardhmen, si kryetar komune, përzgjedhjen e drejtorave do ia lë në dorë Këshillit të Shkollave, ata t’i zgjedhin ata dhe t’i vendosin njerëzit që punojnë”, tha Bexheti. /Nistori/


    Lajmi Paraprak

    12 futbollist shqiptarë në sfidën Zvicër-Finlandë U17

    Lajmi i rradhës

    Kandidatët për kryetar në komunën e Tetovës e vënë theksin përsëri te uji

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë