Cigaret elektrike, popullaritet të madh edhe në Maqedoninë e Veriut

    Konsumi i produkteve të duhanit nga të rinjtë është një shqetësim në rritje. Shumë prej tyre e fillojnë konsumin si një mënyrë përfshirje dhe përshtatje në grupet shoqërore të bashkëmoshatarëve. Nisja e duhanit në moshë të re, krijon mundësinë e shfaqjes së shqetësimeve serioze shëndetësore. Por ajo që po shqetëson më shumë së fundmi është ekspozimi i të rinjve ndaj produkteve Vape të pakontrolluara, të cilat ofrohen me çmime të lira dhe joshin të rinjtë përmes shijeve të shtuara.

    Ndonëse asnjë produkt duhani nuk është i padëmshëm, kur flitet për produkte të pakontrolluara, dëmi shfaqet në të tjera përmasa. Për të eliminuar mijëra toksicitete që rrjedhin nga tymosja e duhanit tradicional, në veçanti katranin dhe monoksid karbonin si dy faktorët më të rrezikshëm të duhanit tradicional, vejps përdorin baterinë elektrike për të avullosur likuidin e nikotinës. Avulli që del nga këto pajisje, shpejt shpërbëhet dhe zakonisht nuk pengon njerëz të tjerë në rrethinë. Si të tilla, cigaret elektronike “vape” kanë fituar popullaritet dhe përdorim të gjerë si alternativë e nikotinës, shpeshherë si pajisje për lënien e cigares klasike dhe nikotinës në përgjithësi, meqenëse vejps zakonisht kanë dendësi më të ulët të nikotinës ose ka nga lloji tjetër që janë vetëm me avull, pra pa nikotinë.

    Krahas ekspozimit ndaj elementeve të dëmshme kimike, përmbajtjet e pakontrolluara të këtyre produkteve i ekspozojnë duhanpirësit edhe ndaj rreziqeve të tjera, që vijnë si pasojë e përmbajtjeve jo cilësore apo përbërësve të shtuar apo magazinimit jashtë standardeve të lejuara. Kushte që ndihmojnë prodhuesit e palicensuar të ofrojnë në treg produkte me çmime më të lira.

    Në një bashkëbisedim me redaksinë tonë, Anita Bajrami tregon eksperiencën e sajë të hidhur me përdorimin e vejp-it, që gati sa nuk përfundoi me pasoja të rënda.

    “Fillova t’a përdorja me shpresë që të reduktoja konsumimin e cigares. Fakti që nuk detyrohesha më të dal në ambiente të hapura për të pirë cigare, më levërdiste goxha mirë. Ditën e parë kisha vetëm grrithje fyti dhe kollë. Ditën e dytë më nisi gjakderdhja nga hunda, e cila thuajse vazhdon për çdo ditë, edhe tani pas ndërprerjes së konsumimit të vejp-it. Kam ende probleme me frymëmarrjen”, rrëfen Bajrami.

    Edhe pse deri më tani ende nuk ka një përfundim shkencorë se sa realisht i dëmshëm apo i padëmshëm mund të jetë tymosja/avullimi i vejp-it, Greta Zeqiri, mjeke nga Kumanova, nuk e rekomandon konsumimin e tyre. “Përderisa  ‘vejping’  mund të jetë më pak e dëmshme  se sa pirja e cigareve, nuk është pa rrezik dhe nuk duhet të konsiderohet një alternativë e sigurt për pirjen e cigareve.  Është e rëndësishme të kalkuloni me kujdes rreziqet dhe përfitimet e mundshme të ‘vejping’  përpara se të vendosni nëse do të përdorni cigare elektronike apo jo”, sugjeron ajo.

    Tutje, ajo shton se gjatë viteve të fundit, ka pasur raportime të pacientëve që kanë përjetuar probleme  të rënda respiratore, duke përfshirë simptoma të ngjashme me pneumoninë, pas përdorimit të cigareve elektronike.  Kjo gjendje është referuar si sëmundje respiratore e shkaktuar nga  tymosja, e quajtur “Vaping-induced respiratory illness” që në shqip nënkupton “Sëmundje të frymëmarrjes të shkaktuara nga avullimi”.

    “Arsyeja  e saktë e kësaj sëmundje ende nuk dihet  saktësisht, por besohet se ka të bëjë me kimikatet dhe substancat që gjenden në cigaret elektronike. Disa cigare elektronike përmbajnë gjithashtu THC (përbërësi aktiv në marijuanë) ose kanabinoidë të tjerë, të cilët mund të rrisin më tej rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes”, përfundon mjekja Greta Zeqiri. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit në RMV, “mjeshtër” për të kopjuar!

    Lajmi i rradhës

    Antivirusi rus që siguron institucionet e Maqedonisë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë