TË ARSIMOHESH JASHTË RMV | Jona dhe Adora do t’ua mësyjnë universiteteve ndërkombëtare

    Adora Limani në të djathtën tuaj, ndërsa në të majtën tuaj Jona Kurtishi

    Dëshira e shumë nxënësve për të studiuar jashtë Maqedonisë së Veriut është shumë e madhe, por edhe jo mundësia, kjo ndoshta për shkak të pamundësisë financiare. Edhe pse nga Ministria e Arsimit nuk ka të dhëna për këtë vit se sa mund të jetë numri i maturantëve për të studiuar jashtë vendit, por Jona Kurtishi dhe Adora Limani kanë vendosur që rrugëtimin e dijes ta vazhdojnë në Europë e ShBA, shkruan Nistori.

    Adora Limani është maturante në shkollën ndërkombëtare NOVA në Shkup e cila nuk ka notë më të ulët se pesë, por në momentin e regjistrimit ajo ka dorëzuar edhe diploma nga tri shkolla verore në ShBA, çmime nga konkurse të ndryshme ndërkombëtare në shkrim kreativ dhe në debate të ndryshme, punime të botuara në revistat lokale dhe shkollore dhe aktivitete jashtëshkollore, veçanërisht në fushën e të drejtave të grave. Themeloi edhe klubin e parë feminist në shkollën e saj.

    Limani ka vendosur të studiojë në Universitetin Brown – një universitet privat, i cili është themeluar në vitin 1764 dhe është një nga tetë universitetet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përfshihen në listën e universiteteve më të renditura në botë së bashku me Universitetin e Harvard-it, Universitetn e Kolumbias , Universitetin e Jeilit.

    “Në ShBA e fillova shkollimin tim kur isha 5 vjeçe dhe që atëherë jam shkolluar në shkolla ndërkombëtare. Të dy prindërit janë shkolluar në ShBA dhe ishte e pashmangshme vazhdimi i shkollimit tim atje. Si që e ceka edhe më herët, “Ivy League” janë në mesin e 12 shkollave më prestigjioze në botë dhe kur flitet për një mundësi të tillë as që bëhet kompromis me përzgjedhjen. Kurse ajo që më bëri të përzgjedh këtë universitet është misioni i këtij universiteti, pra shërbimi ndaj komunitetit, komunikimit dhe ruajtjes së dijes”, shprehet për Nistorin maturantja Limani.

    Nga ana tjetër, Jona Kurtishi, shkollën fillore e përfundoi te Naim Frashëri në Tetovë. Shkollën e mesme internacionale në Nova në Shkup. Është aktiviste në Unicef për të rinj, ish-reprezentative në MUNA! Ajo ka vendosur të studiojë në Webster University Vienna në Austri. Universitet me mbi 100 vjet përvojë.

    “Angazhimi WUV për përsosmërinë akademike në arsimin e lartë është një nga faktorët e shumtë që më nxiti të vazhdoj studimet jashtë vendit. Po ashtu faktor tjerë kryesore janë: hapësirat me kushte cilësore, studime konkurruese, gatishmëria e profesorëve, disciplina dhe mundësia për të ndjekur një diplomë të dyfishtë të akredituar nga shteti austriak dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë maturantja Jona Kurtishi.

    Disa mund të pyesin për arsyet e të studiuarit jashtë vendit

    Sipas Satki Ismailit – njohës i çështjeve të arsimit thotë se, cilësia e arsimit, mungesa e programeve të specializuara, mundësitë e mëtejshme profesionale, motivimi financiar, shkëmbimi i përvojave profesionale, kulturore dhe gjuhësore, janë disa nga faktorët që maturantët vendosin të studiojnë jashtë RMV.

    “Një pjesë e maturantëve nga RMV vendosin të studjojnë jashtë shtetit për shkak të cilësisë së lartë të arsimit në universitetet e huaja. Ata mund të kërkojnë mundësi më të mira për të fituar njohuri të specializuara dhe për të fituar një gradë universitare e cila është e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar më gjerësisht. Universitetet në Maqedoninë e Veriut nuk ofrojnë programe të specializuara ose degë të caktuara të studimit për një pjesë të studentëve të interesuar për të ndjekur studimet. Studimi jashtë vendit ju ofron maturantëve mundësi të mëtejshme profesionale dhe zhvillim personal. Ata mund të kenë mundësinë për të punuar dhe për të fituar përvojë në një treg global, për të ndjekur praktika profesionale ose për të ndërtuar kontakte me profesionistë ndërkombëtarë. Në disa raste, maturantët mund të marrin bursa ose ndihmë financiare për të studiuar jashtë vendit. Ky një motivim i rëndësishëm për të vendosur të studiojnë në universitete të huaja pasi që mundësitë financiare në Maqedoninë e Veriut janë të kufizuara. Studimi jashtë shtetit ofron një eksperiencë të pasur profesionale, kulturore dhe gjuhësore. Maturantët mund të kenë mundësinë për të jetuar në një mjedis të huaj, për të njohur kultura të reja, për të mësuar gjuhë të reja dhe për të zhvilluar një ndërgjegje globale profesionale”, deklaron Ismaili për Nistori.

    Ballkani Perëndimor ka nevojë për përvoja ndërkombëtare, pas studimeve – kthimi është i mundshëm

    Adora Limani dhe Jona Kurtishi për Nistorin thonë se me përvojat që do t’i marrin në ShBA dhe Austri, do të jenë zëri intelektual në arenën ndërkombëtare.

    “Herët është për të thënë, mirëpo synimi im është të punoj ndërkombëtarisht dhe mos të jem e limituar ku veproj. Gjithsesi rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për shumë ndihmë, pasi që një pjesë të shkollimit e kam mbaruar në Prishtinë. Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e rrjetit tim ku dua të veproj. Kam një rrugëtim të gjatë për të kaluar gjatë shkollimit dhe ngritjes time profesionale, andaj koha është kyçe në këtë rast”, potencon Adora.

    “Synimi im kryesor tani është të ndërtoj një karrierë të fortë në fushën e diplomacisë dhe me shpresën që një ditë të jem zëri i popullit tim në arenen ndërkombëtare. Aftësitë që do t’i përvetësoj gjatë kësaj periudhe të studimeve te larta, me shumë vetëbesim them se do të mundohem t’i sjellë këtu në vendin tim, me qëllim që të kontribuoj në shoqërinë tonë, që brezat në vijim të kenë qasje të rregullave të dijes që përfaqësohen me vlera europiane”, përgjigjet Jona.

    Politika mund të ndërmarrë disa veprime për të përmirësuar kushtet e studimit në vend

    Politika duhet të investojë në arsimin publik dhe të sigurojë resurse të mjaftueshme për institucionet e arsimit të lartë. Kjo përfshin investime në infrastrukturë, teknologji të avancuar, biblioteka të pasura dhe mjete mësimore të nevojshme. Satki Ismaili ndër të tjera shton se, përfituesit e këtyre investimeve do të jenë maturantët që do të kenë kushte më të mira për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë dhe shkathtësitë e tyre.

    “Politika duhet të përqendrohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit duke zhvilluar programe të specializuara dhe të rritur standardet akademike. Është e rëndësishme të krijojmë degë dhe programe studimi që janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe që përshtaten me zhvillimet aktuale në fushën e shkencave dhe teknologjisë. Politika mund të inkurajojë partneritete dhe bashkëpunim me universitetet e huaja. Kjo mund të përfshijë shkëmbim studentësh dhe stafesh akademikë, krijimin e programeve të përbashkëta studimi dhe transferimin e njohurive. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e nivelit të arsimit dhe në ofrimin e mundësive të zgjeruara për maturantët në vend. Politika mund të ofrojë bursa më të mira dhe ndihma financiare për maturantët në nevojë të cilat kanë potencial të lartë akademik. Politika duhet të ketë një lidhje të ngushtë me tregun e punës dhe të sigurojë që degët dhe programet e ofruara në universitetet vendase të përshtaten me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës. Kjo përfshin konsultime të rregullta me kompanitë, organizatat e profesionistëve dhe krijimin e rrethit të partnerëve të biznesit për të siguruar që studentët të marrin njohuri dhe aftësi që kërkojnë punëdhënësit”, thotë Ismaili.

    Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ende nuk e ka shpallë konkursin për mbështetjen e studentëve që do të studiojnë në njërin nga 100 universitet më të mira në botë, sipas Listës së Shangait për studime master dhe të doktoraturës, Adora dhe Jona nuk janë shfrytëzuese të asnjë burse apo ndihme nga MASh. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    MOBBING – dhunë e heshtur

    Lajmi i rradhës

    A i humbasin vlerat vajit të ullirit – Si të siguroni më gjatë freskinë e tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë