MOBBING – dhunë e heshtur

    Zana Miftari Reka | Psikologe, Bashkëthemeluese e Qendrës për Psikologji “Persona”

    Kohët e fundit me të madhe flitet për DHUNËN: dhuna në familje, dhuna në institucionet edukativo-arsimore, dhuna përmes rrjeteve sociale, dhuna në shtëpitë e pleqëve… Dhuna këndej, e dhuna andej! Edhe kjo është më se e nevojshme, që popullata të vetëdijësohet se dhuna ekziston dhe se duhet të ndërmerret diçka, si në nivel social, ashtu edhe në nivel shtetëror. Por përpos gjithë këtyre llojeve të dhunës që i ceka, edhe sa lloje tjera që momentalisht nuk më kujtohet as emri, ekziston një lloj dhune e cila shumë mirë njihet në teori, ushtrohet në shoqëri, e gati se KURRË nuk paraqitet nga personat të cilët e përjetojnë. Ajo që është më ironike në të gjithë këtë se as qe identifikohet si një dukuri negative sociale, as nga ana e vet “viktimave”. MOBBINGU – një dhunë e heshtur, e paidentifikuar, e pavetëdijësuar. Dhunë e cila paraqitet në vende të punës!

    Fjala mobbing është pjesë përbërëse e fjalorit të përdorur në fushën e psikologjisë organizative dhe të punës dhe asaj sociale, por kuptimi i saj thelbësor në praktikë ekziston prej dekadash në të gjitha subjektet ekonomike dhe sociale, në të cilat hierarkia e autoritarizmit si vlerë vendoset mbi rëndësinë e dinjitetit dhe integritetit të njeriut. Në kornizat e kulturës dhe mentalitetit tonë, ku autoritarizmi dhe paragjykimi qëndrojnë fuqishëm pas skenës së “teatrit të lirisë dhe të drejtave të njeriut” është mjaft e kuptueshme që inferioriteti dhe mospërfillja e individit – punëtorit të konsiderohen e nevojshme për realizimin e detzrave dhe obligimeve të punës, ndërsa të qenurit i vetëdijshëm për keto antivlera është kërcënuese për vetë strukturën e mikro, apo makro komunitetit.

    Në tokë të tillë “pjellore”, farat e udhëheqësisë u mbollën shumë kohë më parë, me anë të të cilave personalitete të paplotësuara, të frustruar dhe të paintegruar sundojnë mbi ata që pranojnë të zëvendësojnë vendosmërinë e tyre me konformizmin dhe e shohin shmangien e konfliktit si biletën e tyre për qëtësinë në vendin e punës. Fatkeqësisht, viktimat e dhunës në përgjithësi nuk e arrinë kurrë atë qetësi dhe shpesh paguajnë me jetë për heqjen dorë nga beteja për të ruajtur dinjitetine tyre.

    Ekzistojnë rreth 45 forma të ndryshme delikate që identifikohen në procesin e mobbing-ut, të cilat dallojnë prej kulture në kulturë. Për shembull, në mjedisin e punës, viktima e zgjedhur nuk mund të nxjerrë fjalët. Ata ndërpriten vazhdimisht në të folur ose injorohen sikur nuk ekzistojnë. Udheheqësia apo kolektivi shpesh i përfundojnë bisedat befas në momentin që ai/ajo hyn në dhomë. Viktima është i/e përjashtuar nga jeta shoqërore e kolektivit, siç janë festat e ndryshme, ahengjet etj… Shpesh ndodh që zyra e viktimës të zhvendoset larg ambienteve të punës së kolegëve të tjerë. Ju jepen detyra pune të pakuptimta që janë nën nivelin e tij/saj të kualifikimit profesional, detyra që nuk mund t’i zgjidhë, ose i jepen vazhdimisht detyra të reja, e ndërkohë i mohohen informacione të rëndësishme. Viktima është vazhdimisht i/e ekspozuar ndaj kritikave të vazhdueshme për fjalën, qëndrimin, ecjen, veshjen, pamjen, jetën private, kombësinë, gjininë, racën, etj. Akuzohet për lëshime që nuk kanë ndodhur dhe rezultatet e punës së tij/saj zhvlerësohen në mënyrë të pabazë. Përdoren të gjitha mjetet e mundshme të nënçmimit, duke përfshirë zhvatjen dhe kërcënimet, me shkrim apo përmes rrjeteve sociale, të cilat kthehen në terror. Ajo që është më frekuente është zgjatja e orëve të punës, apo mospasja e ditëve të lira, e cila individin lehëtsisht për një periudhë të shkurtë e shpien drejt sindromit të “djegjes në punë”. Fatkeqësisht, ndaj gjinisë femërore ndonjëherë ndodhin edhe abuzime seksuale dhe fizike.

    Qëllimi kryesor i mobbing- ut nuk është vetëm përjashtimi nga bota e punës, sepse edhe kjo mund të arrihet thjeshtë më një ndërprerje të kontratës së punës. Qëllimet e mobingut janë shkatërrimi dinjitetit dhe integritetit personal, profesional dhe social të viktimës. Shumë shpesh, edhe pas ndryshimit të vendit të punës, viktimat nuk arrijnë të rifitojnë vlerat e humbura njerëzore.

    Mobbingu është një fenomen i përgjithshëm shoqëror dhe i kudondodhur që shfaqet në institucione të llojeve të ndryshme dhe çdo person mund të ekspozohet ndaj terrorit të një ose një grupi njerëzish që e rrethojnë. Është e vështirë për t’u vërtetuar dhe si e tillë paraqet një vështirësi fillestare si në ekzistencë ashtu edhe në zbatimin e ligjive për shuarjen e saj. Një shprehje thotë “Të vetmet të drejta që keni janë ato për të cilat dini”.  Pra, armatosuni me informacion!  

    Jeta juaj personale mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të përballuar dhunën në punë. Nëse jeni të stresuar në shtëpi, nuk hani mirë dhe nuk kujdeseni për shëndetin tuaj fizik, përpjekja për ta përballuar mobbingun në vendin e punës mund të ndihet e pakapërcyeshme. Merrni kohë për t’u kujdesur për veten. Ushqeni anën tuaj krijuese. Zhytuni në hobi personale dhe aktivitete shoqërore që ju bëjnë të ndiheni kompetent dhe që vlerësojnë dhe respektojnë atë që jeni… ashtu siç jeni.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Kovaçevski: Akuzat e Mickoskit janë nebulozë dhe mashtrim i publikut

    Lajmi i rradhës

    TË ARSIMOHESH JASHTË RMV | Jona dhe Adora do t’ua mësyjnë universiteteve ndërkombëtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë